‘Mihalët’ shqiptarë dhe një bisedë në Toronto - Nga Robert Kore

Dje në darkë në një restorant na shërbeu një shqiptar. Na degjoi që flisnim shqip dhe na tha që ishte shqiptar. Ishte djale i ri, simpatik dhe shumë profesional në punën e tij. Shërbimi që na bëri ishte perfekt.
Duke biseduar me të na shpjegoi:
Kishte punuar 3-4 vjet në kroçierat e Norwegian Cruise Lines. Kursente shumë mirë, sepse nuk kishte shpenzime. E fjetura dhe e ngrëna ishin falas. Natyra e punës ishte që duhej të rrinte larg shtepisë për javë të tëra. Për këtë arsye vendosi të punojë si kamarier në një restorant në SHBA. Pasi kishte grumbulluar një sasi parash, vendosi të kthehet në Shqipëri. Kishte shumë deshire të hapte një restorant atje. Dhe arriti ta realizojeë. E hapi restorantin.
Brenda javës se parë i erdhën dy kontrolle dhe i vunë gjoba tepër të mëdha. Sipas tij, gjobat nuk kishin lidhje me detyrimet e tij dhe ai i quante të padrejta… Si rezultat, ai e mbylli lokalin dhe ka ardhur së fundmi në Kanada, ku edhe punon tani në një restorant italian.
Pyetjes sime se përse u dorëzove kaq shpejt iu pergjigj:
-Unë nuk e dija se si vepronte MAFIA atje dhe nuk mund të mbrohesha. Pagova shumë lekë - më tha.
-Kush ishte MAFIA - i thashë, - ata që të gjobitën apo konkurentët e tu të lokaleve të tjera?
Që të dyja palët - u përgjigj.
Mu kujtua Mihali i Kokëdhimajve. Megjithëse një zanat i zakonshëm, fakti në fjalë tregon shumë. Ky djalë, duke patur një eksperiencë në vende pune ku “shërbimi ndaj klientit” bëhet me një cilësi të lartë, nuk mbijetoi dot as një javë në Shqiperi. Kurse Mihalët lulëzojnë…