Blog

Jo gjithkush hyn në të njejtën derë në të njejtën kohë - Nga Endrit Mullisi

Një fjalë të urtë kam dëgjuar vite më parë: "Jo gjithkush hyn në të njejtën derë në të njejtën kohë". E përdor tashmë këtë argument sa herë që diskutohen çështje të mëdha apo të vogla dhe palët akuzojnë ose indirekt mund të ofendojnë palën tjetër, qoftë për verbëri partiake, indiferentizëm në përfshirje, largim nga vendi, tërheqje prej interesave personale, dhënie kritikash përgjegjësve, akuza për abuzime apo mbrojtje të ligjvënësve të korruptuar.

Si dikush që vendosa të largohem nga Shqipëria, së pari si mentalitet dhe praktikisht si vendbanim, tema e largimit për mua ka qenë më sensitivja, sidomos në vitet e para të emigrimit. Sigurisht më i vështiri ka qenë koncepti i thënë në forma të ndryshme i "tradhëtarit", duke nënkuptuar që kushdo që largohet nga Shqipëria kur ishte duke kontribuar aty, quhet jo më si patriot dhe detyrimisht tradhëtar.

Të gjithë nuk janë në të njejtën kategori, prandaj do ishte e vështirë të kategorizohen të gjithë të larguarit dhe akuzuesit me të njejtin emër. Por unë do të doja të bëja të reflektonin "patriotët" me këtë pyetje (përpara se t'u vinin në pah të tjerëve dobësitë e tyre): "A është e vërtetë që ti nuk largohesh nga Shqipëria sepse e do Shqipërinë apo do më shumë veten?" Ç'dua të them me këtë pyetje?

Unë e quaj hero çdo person që ka guxuar të lerë vendin për një punë ose një jetë më të mirë. Kur isha ende në Shqipëri dhe flisnim për ata që iknin me gomone, thoja: "Kurrë s'kam për ta bërë atë rrugë me atë lloj rreziku". Arsyeja ishte se unë nuk isha në situatat ekstreme të shumicës së atyre njerëzve që u duhej të bënin diçka në vend që të kërcisnin gishtat dhe të prisnin me sytë nga shteti apo nga Zoti. Ndërsa unë u largova para 10 vitesh, nuk ishin të paktë ata që më thanë: "Po ti pse largohesh, ju mirë jeni?"

Nuk janë të paktë ata që 10 vjet më parë çuditeshin me largimin tim dhe sot janë ose të larguar vetë ose duan të largohen. Jeta si emigrant nuk është e lehtë, qoftë kjo dhe në një vend social dhe mikpritës si Kanadaja. Pra, për këdo që ka lënë një pozicion social dhë një punë të mirë në vendin e vet, ka bërë një sakrificë me shpresë për më mirë. Prandaj i quaj heronj dhe jo frikacakë apo tradhëtarë siç mund të mburren disa që kanë nevojë për syze dhe zemër mirëkuptuese.

"A është e vërtetë që ti nuk largohesh nga Shqipëria sepse e do Shqipërinë apo do më shumë veten?" Ndoshta disa që mburren me patriotizmin publikisht, brenda janë të ndërgjegjshëm që, si dhelpra e Ezopit, nuk ua mban ta bëjnë këtë lëvizje sepse kanë frikë që sakrifica do të jetë e madhe. Më mirë dikushi në fshatin tënd apo i panjohur në vend të huaj?

Nuk ka asnjë të keqe që t'i thuash vetes jam mirë në Shqipëri pavarësisht se nuk funksionojnë siç duhet të gjitha sistemet, por s'mund tu thuash tradhëtarë atyre që nuk durojnë të rrinë më në një vend të tillë. Ka njerëz pozitivë që e shohin qëndrimin në vend si një mundësi për të kontribuar pozitivisht në atë ambient. Bravo për secilin prej jush. Ka të tjerë që për shkaqe familjare (nuk mund të lënë prapa prindërit e moshuar, në rastin e cifteve njeri prej tyre nuk do që të largohet) që janë të mbetur - por jo për patriotizëm. Ka të tjerë që do të donin të iknin diku, por e gjejnë të vështirë ikjen (sistem pikësh të pamjaftuëshem, gjuha e vendit ndoshta jo në nivele të pranueshme). Kështu që më mbetet të mendoj që përvec trolleve partiake që paguhen (ose e bëjnë nga qejfi) për të shkruar elozhe pozitive për maskarenjtë shqiptarë që drejtojnë vendin, të tjerëve që na quajnë ne të larguarve "tradhëtarë", ndoshta ende nuk u ka ardhur koha të kalojnë nëpër derën që kalova dhe unë.