Blog

Kodi Kadare - Nga Edison Ypi

Nga: Edison Ypi

Ëndrra sheh. Era e dheut të deh. Disa herë në pyll natën ke fjetur. Dëshpërimin që shkakton ndajnat’hera e ke mik të pandarë. Në detin e një pike lot disa herë je mbytur. Ke lexuar të paktën nja dy a tri tragjedi të Shekspirit, disa romane nga letërsia klasike, disa novela nga Çehovi. Di përmendësh ndonjë poezi nga Shekspiri, Gëte, Lasgushi, Lermontovi. E ke të qartë se nuk duhet talent vetëm për të shkruar por edhe për të lexuar. Ke vënë re se ndonjëherë një fjali e vetme të mbreson më fort se një roman i tërë. Me atë që tha se: “Gjithmonë ka një mënyrë për t’i hedhur hi syve shtetit që dyshon”, je plotësisht dakord.

Që ferri është plot me shkrimtarë dhe poetë mediokër që vjershëzat e veta dhe të njëri-tjetrit i mbajnë për kryevepra, nuk ke kundërshtim. E di se themeluesi i Endokrinologjisë nuk është mjek, por shkrimtar, Balzaku. Që Tolstoi nuk e honepste dot Shekspirin, dhe se mospëlqime të tilla mes shkrimtarësh të mëdhenj ka pafund, e ke mëse të qartë. E di se libër i vërtetë nuk është ai libër që lexojmë, por ai libër që na lexon.

Pse shkrimtarin e godasin me shpifje dhe intriga, ndërsa inxhinierin kurrë me hekura të ndryshkur, e di prej kohësh. Ta kallin krrupën ata që thonë "si shkrimtar është i mirë por si njeri jo dhe aq". Nga "mbledhja e kolektivit" kishe ndoht. Aksionet e rinisë të bënin për të vjellë. Kur Pikaso po bënte Guernika-n, jashtë kërcisnin bombat. Papritmas hyri në derë një antifashist që e ndiqnin për ta vrarë. Ju lut Pikasos ta fshihte. Pikaso i tha: Mos më pengo se po bëj një kryevepër për të shpëtuar mijëra si ty. Dhe e shtyu jashtë e i mbylli derën.

Ta kanë thënë, ose e ke lexuar, se Romen Rolan e vizitoi Bashkimin Sovjetik në kulmin e krimit stalinist. Nuk habitesh pse kur u kthye nga ajo vizitë në vendin e Gulagëve, nuk tha asnjë fjale për ato që pa. E di prej kohësh se njëri ndër miqtë e Shën Terezës ishte Moris Dyvalie, diktatori i Haitit, një nga diktatorët më mizorë që ka njohur bota.

Nuk e vë aspak në dyshim se Ismail Kadaresë zemra nuk i punon me naftë dhe truri me bateri, lëkurën nuk e ka prej amianti, kockat nuk i ka prej duralumini. Mrekullohesh kur mendon se çfarë rrënqethje i shkakton cilitdo njeriu të ndjeshëm në botë leximi i “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Ke vënë re qysh herët se në librat e Kadaresë diktatori është personazhi më i shpëlarë, partia është inekzistente ose qesharake, komunistët janë të gjithë të trashanikë të penduar ose të dëshpëruar. Je kënaqur kur ke vënë re sa me pasion i përshkruan dhe sa kompleksë i paraqet Kadare përfaqësuesit e “Klasës së Përmbysur”.

Ke qeshur me episodet përcëlluese, thumbat, kunjat, që në librat e Kadaresë nuk janë katër a pesë por me qindra. Të merret fryma nga krenaria kur mendon se po nuk i vjedh zgjedhjet dhe nuk bën rrëmuja, Evropa, Amerika, Perëndimi, të japin çfarë të duash dhe sa të duash, por shkrimtarë si Kadare nuk të jep asnjë. Jo sepse nuk duan, por sepse nuk kanë.

Vargun e Kadaresë "Ju që gjer në hënë keni vajtur, si s’depërtoni dot gjer në gjoksin tim" ja ke përsëritur qindra herë vetvetes duke ikur rrugës. Je i bindur se Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i botës.

Nëse të mësipërmet nuk të rezultojnë të vërteta, vazhdo gjallo, ha, pi, shumëzohu, fli, gërrhit, dërrdëllit, por mos guxo të thuash se merr vesh nga Letërsia. Ama po qe se për sa më sipër nuk ke kundërshtim një Xhehnet plot mrekullira ka hapur dyert e të pret. Kodin Kadare e ke.