Blog

Gjumi i Voskopojës si floriri i Alaskës - Nga Agim Xhafka

Kujtdo i ka ndodhur që gjumi i aksh nate i ka shijuar më shumë se mjalti. Është ajo gjendja kur do me gjithë shpirt të mbyllësh sytë se pas qepallave të pret një prehje sikur lodron shtrirë mbi valët e lehta të liqenit. Të atij liqeni mbasdite që lëviz ngadalë a thua se uji është zëvendësuar me vaj ulliri.

Edhe sot, pas 50 vjetësh atë mjaltë e shijoj akoma. Isha në klasë të shtatë, 13 vjeç kur në Qershor na u tha nga drejtoria e shkollës se do e mbyllim vitin me një marshim në Voskopojë. Sot e di se nga Korça deri atje janë afër 20 e ca km, por atëmot nuk ia kisha idenë.

U nisëm nga dreka dhe sosëm natën te kampi i fëmijëve. Ramë të vdekur në ca krevate pa batanije e çarçafë. Në mëngjes na folën për trimërinë partizane dhe u lëshuam për në Korçë. Ashtu rrëmujë, nga dy, nga pesë, nga dhjetë.

Unë vrapoja e më dukej se pas dy minutash do isha në qytet, kaq shpejt nxitoja. Por edhe pas tre orësh Korça dukej larg. Kur zbrita në fushë më erdhi Vaska në krah. Qe më i vogli, si shtat dhe moshë. Ishte futur as gjashtë vjet në shkollë e atë mot qe 12. Dukej i rraskapitur. Te një shtyllë elektrike tha të shlodheshim. U mbështet dhe... e zuri gjumi.

Dielli po varej nga perëndimi, por ngrohte akoma. U afrova dhe unë e u shtriva aty pranë. Mbylla sytë një sekondë dhe nëpër trup po shëtiste mjalti i gjumit. Nga koka te këmbët, te duart, te ëndërrat. Deri sa më zgjoi një e qarë. Qe Vaska. Hapa sytë. Ishte bërë natë. Frika e tij më kapi dhe mua. Nuk qaja, por dridhesha. Gjumi më dha forcë, vrapuam të dy deri sa nga larg dalluam dritat e rrugicave të qytetit.

Në shtëpi më lahu nëna me kanoçe. Uji i ngrohtë si ninullë. Më zuri gjumi qysh në govatë.

Babait nuk i thashë që shkuam në Voskopojë e erdhëm me këmbë. E fsheha se ai do shkonte në shkollë e do e rrihte drejtorin. Por ia vlejti. Njerëzit për ar shkuan deri në Alaskë. Unë deri në Voskopojë për të zbuluar gjumin flori që e ruaj 24 karat në kujtesë. Më flihet kur e sjell ndërmend...