Blog

Të dua sa nuk të përqafoj dot - Nga Sefedin Çela

Nga: Sefedin Çela

Kandili i Detit, Covid-19, frika dhe injoranca

Në vetëkarantinë nga situata e krijuar prej Covid-19 dhe masave detyruese per kufizimin e lirisë së lëvizjes, sidomos për moshen e tretë, kthimi në kohë, në ditë më të bukura, në kohë paqeje, më duket shtegu i duhur për të menaxhuar stresin e ditës si në rrethim e për të dalë virtualisht pa humbje nga kurthi ku na futi virusi.

Deti kishte nxjerrë në breg një masë xhelatinoze, ende të gjallë, që shndrinte në diell. Ishim në plazh; një peisazh të tillë mund ta shihje çdo mëngjez e askujt nuk i bënte përshtypje. Pas një ore punonjësit e shërbimit komunal pastronin gjithçka. Atë mëngjez një fëmijë e kish shpuar masën xhelatinoze me shkop, pastaj kish provuar ta shtypte me këmbë, gjallesa kishte reaguar për vetëmbrojtje e fëmija u trëmb e qau.

Këtu fillon fabula e asaj që po tregoj : në çast, sikur mbinë nga dheu, u mblodhën dhjetra njerëz, të rritur e fëmijë, asaj gjësë xhelatinoze i vunë lloj lloj emrash, e bënë për një lek komunalen që lë sheshit monstra të tilla, që terrorizojnë fëmijët, derisa dikush, që dinte një më shumë nga misteret e detit tha “Është thjesht një kandil, djalit i është përcëlluar pak këmba, ikën me pakëz alkool. Po nuk duhet ngarë as miza, kur nuk e di ç’mizë është!”

Djali ynë ishte pesë vjeç, shkonte e vinte me vrap në vendngjarje. Më në fund tha “pse Kandili i Detit djeg e nuk ndriçon”? Ne kishim në shtëpi një kandil, të vetmin kujtim të gjallë nga fshati im i lindjes, që e ndiznim kur na iknin dritat. Unë ngrita supet. Kur mendova se i a hodha pa përgjigje, ime shoqe më sheh në bebe të syrit e thotë “Po vërtet, kur vetëm djeg e nuk driçon pse e ka emrin kandil”? Ishim të rinj, nuk dinim shumë gjëra, kishim gjetur njëri tjetrin e ende nuk dinim asgjë nga prindërimi, edhe detin sapo e kishim zbuluar. Unë diçka thashë se gjërat janë që shekuj para nesh, tej kohës së Stamo Dumos, shumë më të vjetra se kandili ynë, misteret e detit janë që kur lindi deti. Stamo Dumon e kisha sjellë nga fëmijëria ime. Thuhej “nga koha e Stamo Dumos” për gjërat që s’mbahej mend sa të vjetra ishin.

Tani që m’u kujtua kjo ndodhi e që kam ngé, lexova në Google ç’thuhet për Kandilin e Detit, një lloj meduze me jetëgjatësinë më të madhe nga gjithë gjallesat e detit, por që, realisht, në kujtesën e njerëzve mbetet në episode si ai më sipër, djegie e lehtë që kalon me dizinfektim me pak alkool, ose në llafazanërinë e atyre qe bëjnë mizën buall. Jemi në kohen e koronavirusit.

Jemi në kohë lufte. E shpallur hapur nga gjithë bota. Presidenti francez Macron në disa minuta fjalim para kombit e përsëriti pesë herë luftën ku ishte përfshirë Franca. Merkel u tha gjermaneve se duhet të duronin privimin nga shumë liri që nuk u ishin prekur nga Lufta e Dytë. Kryeministri italian Konte paralajmëroi se çdo individ i prekur nga virusi që do te kapej në lëvizje në thyerje të karantinës do të dënohej për krimin e përhapjes me dashje të epidemisë me 12 vjet burg. Trump shpalli emergjencën në gjithë shtetet e SHBA...

Sipas radhës së luftrave me armë zjarri, kjo duhet të ishte Lufta e Tretë. Po kjo është një luftë e gjithë Botës kundër të njëjtit armik të përbashkët, armiku më i rrezikshëm, më i pistë e më tinzar që nuk është parë ndonjëherë, se nuk shihet me sy. Për ta nxirë aq sa duhet e sa ç’është, një mik më kujtonte me mesazh se ky virus turqish quhet edepsëz hajvan mikrob. Nuk është për të qeshur, është forca e njeriut për të përqeshur vdekjen.

Ky armik, që po kosit jetë njerëzish, ende pa u mposhtur, pa ditur ende faturën që duhet të paguajë njerëzimi, ka hapur debate të forta në botë, sa solidarë jemi për të ndarë fatin bashkë, apo secili t’i dalë zot vetes, a jemi të gatshëm të sakrifikojmë deri liritë tona dhe sa realisht të rëndësishme janë ato në raport me jetët e rrezikuara?

Jemi një vend i vogël, i varfër; nuk qe zgjedhja jonë, - si e askujt, po tashmë jemi fushëbetejë e kësaj lufte. Kemi dhe ne skalionin e parë, në vijën e parë të betejës, mjekët e infermierët e gjithë personeli shëndetësor, heronj që luftojnë ditë e natë për të shpëtuar jetët e të infektuarëve me komplikacione. Farmacistë, punonjës të supermarketeve, punonjës të informimit publik, punonjës të rendit e ushtarakë. Gjithë mundi i tyre mund të shkoje dëm, madje mund të bjerë në kolaps gjithë sistemi ynë modest shëndetësor, mund të biem në një fatkeqësi kombëtare nëse ne të tjerët, shumica, nuk iu nënështrohemi rregullave të detyrueshme që kërkon kjo luftë:

1 Lani disa herë duart me ujë e sapun, përdorni këndin e brylit kur teshtini.

Këto na i kanë thënë e i kemi ditur që kur kemi lindur. Po ky palovirus i bëri idiotë njerëzit, mos janë të papunë burrat e shteteve, figurat më të njohura publike, mediat, që përsëritin e përsëritin të njëjtat kërkesa, si të ishin armët më efikase për të fituar luftën? Po, ato janë masa – armë, ato vrasin armikun para se të na sulmojë. Ato lehtësojnë shumë mundin e luftëtarëve në vijën e parë, ashtu si për ushtarin në betejë bëhet armë e nxehtë pagurja e ujit!

2 Rrini nëpër shtëpitë tuaja!

Shkolla, universitete, kopshte, çerdhe, bar restorante, hotele, qendra rekreative, zyra shteti janë mbyllur. Shkurt, pjesa më e madhe e popullatës misionin e saj në këtë luftë e ka të qendrojë në shtëpi. Nuk është alternativë, është detyrim. Karantinë! Asgjë nuk është sot si ishte deri dje. Deri dje mallin e shtonin distancat, sot dashuria dëshmohet duke mbajtur distancë, minimumi 1.5 metra! Të dua sa nuk të përqafoj dot! Fantazia e asnjë shkrimtari nuk ka shkuar deri këtu. Bëhu trim e rri në shtëpi! Qëndro si burrë e mbyllu brënda! Tregoji fëmijës se e do, mos e lër të luajë në oborr!

Kësaj nuk i thonë frikë, s’ka pse frikësohemi prej këtyre sjelljeve që jemi detyruar të kemi.

Fundja, frika shpesh e bën njeriun të mësojë më shpejt. E keqja triumfon kur të mirët nuk bëjnë asgjë. Të mirëve, që përherë janë shumica, sot u kërkohet të rrinë brenda, kjo nuk do të thotë se nuk bëjnë asgjë, kjo do të thotë të jenë në frontin e tyre të luftës.

Dikur, në rininë tonë, të uniformuar, jepej alarmi “ajri!”, “gazi!” e të gjithë vinim kundragazin e futeshim në strehim sa hap e mbyll sytë. Sot nuk na kërkon kush të bëjmë këtë për t’u mbrojtur, sot na kërkohet thjesht të rrimë në shtëpi, nuk e bëjmë dot? Kur brënda muajit, pa shenjuar pranvera, kemi përmbysur zakone shekullore, vajzat kanë shtyrë dasmat e kanë anulluar porositë për fustanet e bardhë, të porsalindurve nuk mund t’u gëzohemi së bashku, të dashurit, që ndahen prej nesh nuk mund t’i përcjellim në banesën e fundit, si nuk mundim dot tundimin për shëtitjen e mëngjesit me rrethin e përditshëm e për kafen e radhës në lokalin e preferuar?

Durim, durim! Nuk po kërkohet të durojmë urinë, kërkohet të durojmë ndryshimet e menjëhershme në jetët tona që na i detyron lufta. Gojdhënat e hershme po dhe historia moderne tregojnë se toka është mbushur me varre të të paduruarve. Një numër i madh sojesh padurimin e kanë nga kapadaillëku, nga mania për t’u dukur, si investim e trafik për nesër, për t’u dukur trim kundër rrymës, po aq sa dhe nga budallallëku e sidomos nga injoranca. Vajza me buzë të fryra me botoks e thonj të vënë tërë ngjyra si në filma horror, që tunden e shkunden rrugëve, djem të përkëdhelur e të dalëduarsh, që bëjnë të fortin me makina super duke u ikur me forcë postblloqeve të policisë, personazhe, që e quajnë veten publikë e që lëshojnë deklarata të tipit “këto masa idiote, fashiste”, e që u thone autoriteteve të ligjit “bëni ju trimin duke u mbyllur në vrimë, trim jam unë që dal e nuk u dëgjoj”.

Nuk kam dashur kurrë të jetoj në një kohë kur nuk ka vlerë t’i besosh tjetrit, kur nuk ka vlerë të respektosh ligjin e rregullat e detyrueshme për të gjithë. Them se kjo kategori nuk janë njerëz, janë monstra. Ndonjëherë kanë hapsirë e dalin edhe nëpër dritare mediatike, ku gjejnë dhe idhtarë. Marrin pas vetes, sidomos, masën më të “pafajshme”, injorantët, ata që besojnë se kjo nuk është luftë e që me shkeljet e rregullave nuk bëjnë asgjë të keqe. Ngjitin shumë ca vargje të të paharruarit zagorit K.th. Spiri, që dhe gjërat më serioze i kripte me humorin e tij të hollë: “Mora pushkën dola malit,/të luftoja në furtunë,/ku ta dija u i gjori,/se armiku isha unë!”

Në kohën e krizës së Kubës e të Murit të Berlinit, Presidenti Kennedy, në kulmin e Luftës së Ftohtë, në një fjalim, në të cilin iu drejtua kombit “ mos pyesni ç’bën vendi për ju, po çfarë bëni ju për vendin”, duke folur më tej për programin hapsinor, tha se çdo hap i thelluar në fushën e dijes zbulon më mirë injorancën rreth saj. Duket sikur këto fjalë i ka thënë sot. Frikën nga e panjohura njeriu e mposht, injoranca të mposht. Injoranti bën keq edhe kur rri mënjanë, le më kur hidhet në lumë. Injoranca vret. Është covid i një tipi tjetër, një forcë e verbër si tërmeti e vret si ai.

Nuk duhet lejuar që një numër injorantësh, qoftë dhe një turmë, të rrezikojnë jetën e kujtdo, apo dhe jetët e tyre. Duhet luftuar me kohën, të fitohen ditë e minuta. Italia fqinjë, shumë më e pasur se ne, me kapacitete me herë më të mëdha në çdo fushë, humbi betejën e parë me kohën. E trishtueshme të shohësh kolonë automjetesh ushtarake që transportojnë jetë të humbura nga Bergamo, se aty nuk ka më kapacitete as për të përballuar shërbimet e fundit për qytetarët e vet, jeta e të cileve u fluturoi nga duart.

Iku ajo kohë kur ishim mirë, kush me shumë e kush më pak, e dukeshim njësoj. Kështu ishim deri dje. Italianët nuk duken sot si dje njësoj. Vuajtja i bën të duken ndryshe. Të bëhemi bashkë, të gjithë në shtëpi, menjëherë. Të mundim djajtë, duke filluar nga ata më të këqijtë, ata brenda vetes. Lufta sa ka filluar, ndonjëherë ia vlen të luftosh dhe për të mos humbur sërish, po njeriu lufton për të fituar. Kushdo që ndalon luftën i pari, humbet gjithmonë. Ne nuk do të ndalemi, do t’ia dalim!

Nuk është betejë me Kandilin e Detit në plazh e nuk mjafton një garzë e njomur me alkool, është një flamë që, për ta përballur, nuk na mjaftojnë heronjtë e vijës së parë të të gjithë botës, është tashmë luftë globale ku çdo individ e çdo popull duhet të marrë përgjegjësitë e veta e të bëjë luftën e vet.