Blog

Një obelisk në formë kulle për Lali Erin, tek oborri i Teatrit Kombëtar - Nga Ilir Gjini

Nga: Ilir Gjini

I mbyllur në shtëpi si shumë të tjerë në këto kohë te çmendura, po bashkëbisedoja me disa miq ne Facebook. Megjithëse largësia ishte kontinentale Tiranë – Toronto, edhe virtualisht po ndieja pulsin e bashkëatdhetarëve te mi.

Në këtë kohë te çmendur izolimi, frike nga nje armik i padukshëm njerëzit i rrinë larg njeri-tjetrit dhe heronjtë tanë, janë së shumti mjekët. Në dorë të mjekut dhe të Zotit...

Por miqtë e mi aktorë edhe në këto ditë te vështira   po "karantinohen" jo në shtëpitë e tyre, por në godinën e Teatrit Kombëtar.

Me njw këmbëngulje stoike, prej pothuaj dy vitesh ata vazhdojnë tw ruajnë Teatrin. Godina e Teatrit wshtw shtëpia e tyre dhe po e mbrojnë përtej sakrifices. Tw organizuar me turne ata po qëndrojnë në këtë godinë si "kështjellarë" të rrethuar nga taboret e Lali Erit dhe të Gjatit.

"Dashuri edhe në kohën e Kolerës", ka thënë Markezi. Edhe pse njerëzit vdisnin nga kolera aq shumë sa  bëheshin pirgje sa nuk qe e mundur ti varrosnin, sërish dashnorët e djegur nga zjarri i brendshëm i dashurisë putheshin dhe e shpërfillnin frikën e sëmundjes. Edhe "dashnorët" tanë të Teatrit e shpërfillin Koronën dhe nuk i ndahen Teatrit

Në dashuri me shikim të parë me këtë godinë dhe simboliken e saj që aq bukur e ka argumentur Aurel Plasari, kanë rënë edhe shumë artdashës të kryeqytetit dhe të mbarë vendit. Eshtë shtëpia e artit dhe memoria e qytetit.

Edhe pse në heshtje nga frika e pushtetit, ata i admirojnë këta heronj të heshtur që me përkushtim deri ne dhimbje po e mbrojnë këtë simbol të trashëgimise dhe artit. Jo më kot thirrjes së Aleancës per Teatrin për ndihmë ndaj banorëve të prekur nga tërmeti, iu përgjigjën me qindra e mijëra qytetarë te Tiranës.

Fatkeqësisht në dashuri me kete godinë, për hir të së vërtetës me tokën rreth saj, kanë rënë edhe Lali Eri edhe i Gjati. Ky i fundit që kur ishte minister i Kulturës. Të dy nuk lanë gur pa lëvizur për të rrëmbyer tokën rreth saj.

Herë me projekte për ndërtim të një teatri te ri dhe të ca kullave të pafajshme që si çibane do ti bënin roje teatrit te ri, e herë me joshje të artistëve me emër që njëherë deklaronin se "më mirë të më varrosni para godinës se sa ta prishni atë", e deri te më të rinjtë që pas takimit me Lali Erin ndërruan mendje sikur Lali të kishte një shkop magjik që iu plotëson të gjithëve dëshirat, nuk po heqin dore.

Por "dashnorët" tanë i rezistuan edhe joshjes së pushtetit dhe shpërfillën edhe taborët me police, që ndonjëhere i tërhiqnin zvarë. Ata rezistuan gjatë. Por megjithë përkushtimin e tyre stoik, sërish thuajse asnjëherë nuk zgjuan "interesin" e TV-ve tona kombëtare për të pasqyruar këtë përpjekje për mbrojtjen e një simboli, përjashto rastet kur "përroi bëhej lumë" e nuk e nxinte shtrati.

Lajmi merte dhenë dhe s’e shmangnin dot edhe pse të tejmbushura me kronika "lejfeniste" ku Lali Eri del hero edhe kur shpërndan qese me ushqime për te varfërit e ngujuar, por edhe kur mendon për ambientin dhe vete në punë me biçikletë apo kur përdor shërbimin urban. Me kronika të velesitura me sherbetin e pushtetit që të kujtojnë revistën televizive të kohës së merhumit, sot nuk kujtohen të thonë ndonjë haber për heronjtë tanë të heshtur që me aq pasion mbrojnë Teatrin.

Pak ditë më parë heronjtë na dhanë sihariqin se godina e Teatrit është marë në mbrojtje nga "Europa Nostra", ndërkohë që në komunikim zyrtar me Aleancën për Teatrin, Zj. Mariya Ivanova Gabriel, Komisionere e Bashkimit Europian për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë, bëri të ditur mbështetjen e saj për mbrojtjen e vendndodhjeve me rëndësi kulturore që në 24 Mars u shpallën si pjesë e programit të "Europa Nostra", ku dhe Teatri Kombëtar figuron në krye.  Madje dhe vetë Zj. Doris Pack apo "Pak", paskësh qenë Doris "Shumë" për artistët dhe pranoi të ishte ambasadore e tyre në institucionet europiane.

I entuziazmuar po u thosha miqve të mi se ky është një lajm i madh, pasi do të mund të shpëtonte njëherë e mirë godinen e Teatrit dhe për përkushtimin e tyre, do qe mirë të bëhej një obelisk me emrat e aktoreve dhe intelektualeve që qëndruan në mbrojtje të Teatrit. Jo, më kundershtuan miqtë e mi, kjo është frymë dhe ne nuk duam dekorata! Po çfarë po thoni? Gati janë tamtamet e propagandës dhe do fillojnë të na mbushin mendjen se qe vetë Lali Eri që e shpëtoi Teatrin dhe për këtë t’i bëjmë një obelisk te obotri i Teatrit në forme kulle.

Falemnderit Edmond e Robert Budina, Neritan Liçaj, e shumë të tjerë artiste e intelektualë që nuk po ua përmend emrat. Ju jeni heronjtë tanë!