Blog

Shëndeti që kthehet bashkë me lirinë - Nga Ruben Avxhiu

Nga: Ruben Avxhiu

Jetojmë në një kohë kur shumica e statistikave në SHBA përqendrohen vetëm te ata që po sëmuren, ata që po shtrohen në spital, ata që kanë nevojë që të lidhen me një aspirator që të mund të marrin frymë, e ata që nuk do të zgjohen kurrë më.

Por mes nesh, është edhe një armatë e vogël, gjithnjë në rritje, njerëzish që e kanë kaluar sëmundjen e kanë mbijetuar. Disa duke vuajtur rëndë, disa jo edhe aq shumë, e disa pa e ditur fare që e kanë pasur në trup virusin.

Ata që e dinë që kanë qenë sëmurë dhe që kanë provë me testim se nuk e kanë më virusin, jo vetëm që kanë mbijetuar e janë përsëri të shëndetshëm, por në një kohë kur të gjithë po jetojmë sikur jemi bërë papritmas pjesë e një filmi të frikshëm, kanë fituar një liri shumë të vyer. Kjo është liria më e ëmbël në botë. Liria për të bërë të gjitha gjërat që gjithë jetën i kemi marrë të mirëqëna e nuk i kemi vlerësuar kurrë. Liria për të dalë nga shtëpia, për të ecur në rrugë mes njerëzve, pa llogaritur me mend largësinë prej tyre, lirinë për të takuar miq e shokë, e për të shkuar e për t’u ulur në lokalet që nuk janë më hapur, për të bërë pazarin mes njerëzve pa pasur frikë se fryma e kujt po mbërrin në hundën tënde, pa u druajtur se po të kruhet hunda, vetulla, syri, e çdo gjë tjetër që na kruhet në këtë periudhë si nuk na janë kruar gjithë jetën. Që nga momenti kur na thanë të mos prekim fytyrën, po na preket e po na ha sikur të na ishin rebeluar organet e trupit prej mendjes. Këta njerëz nuk i kanë këto. Ata edhe mund të bëjnë atë gjënë e pamendueshme t’i japin dorën njëri-tjetrit.

Kjo sëmundje që ka sjellë kaq kaos në shoqërinë tonë, kaq frikë, e kaq shumë të vdekur, kjo sjell për ironi edhe lirinë e jashtëzakonshme nëse dhe kur i mbijeton.

Unë nuk njoh asnjë që e ka pasur dhe është shëruar. Dikë që të paktën të jetë i ndërgjegjshëm dhe të jetë testuar me rezultate pozitive e pastaj negative pas shërimit, por gazeta e njohur “The New York Times” ka gjurmuar disa që janë shëruar dhe kanë rifilluar jetën dhe ashtu si ne që jemi ende të ngujuar e të çakërdisur edhe ata jetojnë në një botë krejt tjetër.

Në qendër të vëmendjes janë sidomos mjekët dhe infermierët që sapo janë shëruar. Ata janë zemra e kolegëve. Një mjeke e re në New York City tregonte se po zëvendëson kolegët kudo. Edhe në operacionet e zemrës, për të cilat nuk është e kualifikuar që të jetë e pranishme, kaq e dëshpëruar është nevoja për të pasur mjekë e infermierë që nuk rrezikojnë pacientët. Për shembull, nëse pëson një goditje në zemër dhe duhet të operohesh urgjent, ideale është që të mos marrësh ndërkohë koronavirusin gjatë operacionit. Po kirurgu dhe stafi mund të jenë të infektuar e të mos e dinë. Po kështu kush e di se sa e sa operacione e procedura të tjera mjekësore. Se njerëzit harrojnë që pavarësisht nga COVID-19, sëmundjet e tjera nuk kanë pushuar së ekzistuari. Njerëzit vazhdojnë vuajnë nga veshkat, nga stomaku, nga sa e sa sëmundje të rënda vdekjeprurëse ose shpartalluese e paralizuese. Lexova diku një spital në Roosevelt Island është i vetmi sot në New York City që nuk pranon të sëmurë me COVID-19.

Këta punonjës shëndetësie që i kanë mbijetuar sëmundjes zëvendësojnë kolegët e tyre në turne të ndryshme, në të gjitha rrethanat e mundshme.

Mbi të gjitha janë pjesa më aktive e të mbijetuarve që po ofrohen për të dhënë gjak, që anti-trupat që ka prodhuar sistemi i tyre të ndihmojnë të sëmurët e tjerë. Çdo i mbijetuar që kualifikohet pas analizave përkatëse të gjakut mund të japë mjaftueshëm plazmë nga gjaku i tij për të shpëtuar tre të tjerë.

Të shëruarit në përgjithësi kontaktohen nga spitali që është kujdesur për ta, por edhe nga kompani bioteknike për të dhuruar gjak (në mos për ta shitur, kush e di), kurse mjekët dhe infermierët që kanë mbijetuar e shohin si për detyrë që të ofrohen vetë pa ua kërkuar njeri që gjaku i tyre të analizohet e nëse munden të dhurojnë për të ndihmuar të tjerët. Këta njerëz vërtet që po derdhin gjakun për të na shpëtuar të gjithëve. (M’u kujtua kjo shprehje se e përdornin për dëshmorët. “Derdhi gjak për Shqipërinë”.)

Kur lexon për këta njerëz është vështirë që të mos fillosh të ëndërrosh se çfarë mund të bëje nëse papritmas e gjeje veten një njeri i lirë. Një “I Shëruar”.

Shumë prej atyre me të cilët bisedoi “The New York Times” duket se janë bërë përgjegjës për bërjen e pazarit të të gjithë atyre që njohin. Disa kanë ndjenja faji që u shëruan ndërsa miq të tyre kanë vdekur. Disa nuk e dinë a duhet ta tregojnë se kanë qenë të infektuar.

Nga ana tjetër, për shumëkënd, statusi i ri prodhon një entuziazëm të natyrshëm. Njëri ishte aq i gëzuar për shokun që ishte shëruar dhe lirinë që kishte ardhur me shërimin, sa i thoshte se tani mund të lëpinte edhe stolat dhe nuk do ta gjente më gjë. “The New York Times” e kishte zgjedhur këtë për ta vënë si titull. Jo keq.

E gjitha kjo nuk vjen pa pyetje dhe dyshime gjithësesi. Sëmundja është shfaqur në dhjetor në Kinë. Edhe të shëruarit më të hershëm mezi i kanë tre muaj si të tillë. Nuk dihet vërtet se deri në çfarë pike kanë imunitet. Për sa kohë do t’u zgjasë. Kur fillon ky imuniteti. Disa thonë një javë pas shfaqjes së simptomave nuk je më ngjitës, disa thonë se duhen tre ditë që prej ikjes së simptomave. Disa për siguri këshillojnë një javë. Për disa traumatizimi nga frika e sëmundjes nuk do t’i lërë ta gëzojnë lirinë e fituar. Disa janë shëruar dhe ende kanë frikë të dalin.

Thuhet se gati gjysma e të infektuarve nuk e dinë që e kanë virusin se nuk kanë asnjë simptomë. Këta mendohet se e kanë përhapur virusin më shumë se të tjerët se kanë dalë vërdallë përpara shpalljes së masave izoluese dhe ua kanë ngjitur të tjerëve. Ironia është se po këta tani rrinë në shtëpi e dridhen nga frika se kujtojnë se ende nuk e kanë marrë virusin, në vend që të dalin e të lëshohen përsëri rrugëve si njerëz të bekuar e të lirë.

Për këtë është e domosdoshme që të bëhet gati për përdorim me miliona kopje testi i anti-trupave. Që të çlirojmë nga rrethimi mijërat që e kanë kaluar. Jeta do të rifillojë diku.

Sot, në ditën e Pashkës, kur shumë të krishterë në botë, përfshi edhe katolikët shqiptarë festojnë Ringjalljen, e gjithë shoqëria ëndërron të ngrihet me hov e të zgjohet nga kjo ëndërr e keqe.

Burimi: illyriapress.com