Blog

Mos pështyni mbi shpirtin solidar të diasporës - Nga Enver Robelli

Nga: Enver Robelli

A ka bërë mirë apo keq qeveria në detyrë që ka kërkuar nga diaspora të përkrahë Kosovën në ballafaqim me koronavirusin? Mendimet mund të jenë të ndara dhe shumë mirë që ka mendime të ndryshme për këtë. Edhe në kohë pandemie vlen liria e mendimit. Por, përkundër zërave kundërshtues opozitarë dhe zhurmës në media sociale, në këtë situatë të jashtëzakonshme është më se normale që qeveria të kërkojë mobilizim për solidaritet nacional dhe t’u drejtohet qytetarëve me apele për ndihmë. E bëjnë këtë edhe shtete të tjera, madje vende të pasura si Zvicra.

Më 23 mars shoqata humanitare “Glückskette” (Zinxhiri i lumturisë) ka filluar një aksion 25 ditor për të mbledhur para për përballimin e pasojave të koronës në Zvicër. Këtë aksion e mbështet edhe Enti Federal i Shëndetësisë i Zvicrës (BAG), pra një institucion qeveritar. Janë mbledhur deri më tash mbi 16 milionë franga – dhe e enjtja e ardhshme është shpallur ditë nacionale e solidaritetit në Zvicër. Këtë aksion e mbështesin mediat publike dhe private të Zvicrës. Pritet që të enjten të mblidhen edhe disa milionë franga. (Diçka nga historia: në prill të vitit 1999 “Glückskette” pati mbledhur para për refugjatët e Kosovës – me atë rast zviceranët dhuruan 49,9 milionë franga).

Në javët në vijim ka gjasa që mijëra njerëz nga diaspora shqiptare të hapin kuletat për të ndihmuar Kosovën për t’u përballur me sëmundjen vdekjeprurëse të koronavirusit. Fillimi i valës së solidaritetit është premtues. Kush pështyë mbi këtë solidaritet, tregon vetëm etje për të shkaktuar polarizim e urrejtje në shoqëri. Kujt i duhet kjo? Një parti e krahut të luftës sot e quajti nismën e qeverisë për të ndihmuar Kosovën si të “pavend, të pakohë dhe të rrezikshme”. Se çfarë ka këtu të pavend, të pakohë dhe të rrezikshme, nuk është e qartë, por kështu flasin partitë që ende nuk kanë arritur të sqarojnë bindshëm opinionin se si i kanë menaxhuar fondet e luftës, të cilat i ka mbushur, në pjesën më të madhe, diaspora - me marka, franga e dollarë. Nëse partitë politike opozitare në Kosovë nuk mund të bëjnë më shumë për solidaritet nacional, së paku mos të ofendojnë njerëzit vullnetmirë të mërgatës që duan të ndihmojnë. Sepse mërgata nuk i ka borxh askujt, aq më pak një kaste politike që e ka plaçkitur Kosovën qe 20 vjet.

Mllefi opozitar më shumë se me apelin qeveritar ka të bëjë me popullaritetin e kryeministrit (në detyrë), Albin Kurti, i cili, për dallim nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj e të tjerë, gëzon përkrahje të madhe edhe në diasporë. Për këtë mund të fajësohet “diaspora primitive dhe analfabete”, siç bëjnë përkrahësit e partive të krahut të luftës - ose mund të provohet një gjurmim më serioz i së vërtetës. Një shpjegim se përse Kurti gëzon këtë mbështetje, ka të bëjë me trashëgiminë politike të partive si PDK, AAK apo Nisma. Ajo trashëgimi është: një Kosovë e grabitur. Shpjegimi tjetër është se shumica e mërgimtarëve janë të pashantazhueshëm kur marrin vendim për të përkrahur këtë apo atë parti në Kosovë.

Nuk është fshehtësi se jo vetëm në Kosovë partitë, gjatë qëndrimit në pushtet, krijojnë rrjete klienteliste dhe nepotiste. Ky sistem patronazhi është vështirë të hiqet nga pushteti (shih shembullin e Maqedonisë së Veriut nën sundimin e Nikolla Gruevskit). Duke qenë në pjesën më të madhe e pavarur nga sistemi i patronazhit, mërgata është më e lirë në shprehjen e vullnetit politik. Trendet kanë treguar se më shumë mbështetje në mërgatë gëzon VV, por kjo mund të ndryshojë nëse VV shndërrohet në parti të korruptuar. Dhe për këtë mund të flitet pasi VV të ketë pasur pushtetin më shumë se 50 ditë. Këtu VV nuk duhet të mitizohet. Të gjitha partitë, jo vetëm në Ballkan, para se të vijnë në pushtet, thonë se do ta luftojnë korrupsionin.

Mllefi i partive të vjetra në Kosovë ndaj diasporës ka të bëjë me preferencat aktuale politike të diasporës. E ka shprehur këtë mllef edhe kryetari i LDK-së, i cili në vitet 90-të ka marrë rrogë nga diaspora dhe ka menaxhuar qindra milionë (“Fondi i Trepërqindëshit”). Ashiqare disa liderëve politikë në Kosovë dhe përkrahësve të verbër të tyre nuk u pëlqen që një pjesë e madhe e diasporës mbështet VV-në. “Ju nuk jetoni këtu, mos u përzini”, kjo është porosia që disa mendjeshkurtër ia japin diasporës, krahas etiketimeve të tjera primitive. Nuk është e ndaluar të diskutohet që shqiptarëve të diasporës t’u merret e drejta e votës në atdhe, por partitë e interesuara për këtë duhet të mbajnë qëndrime përkatëse publike dhe të përfaqësojnë këtë ide edhe në parlament. Nëse ka fuqi politike për të bërë ndryshime të tilla, vendimin duhet ta pranojë edhe diaspora. Por, ofendimet ndaj diasporës sa herë që ajo nuk e ulë kokën sipas interesave të partive të caktuara, janë primitivizëm i skajshëm dhe mentalitet cubnie. Në vitet 90-të dhe në decenien e parë të këtij shekulli në diasporë ka gëzuar përkrahje të madhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Që kjo përkrahje nuk ekziston më, ka të bëjë me arrogancën e kryesisë së LDK-së që ka shfaqur ndaj diasporës dhe sidomos ndaj aktivistëve të saj në Perëndim. A do të kishte kaq shumë aversion ndaj diasporës në disa media në Prishtinë po të votonte diaspora për PDK-në apo AAK-në? Me siguri jo.

Qindra-mijëra njerëz nga mërgata në 20 vitet e fundit sa herë kanë ardhur me veturë në Kosovë, në kufi i kanë paguar një haraç zyrtar dy familjeve (para)politike, të cilat e kanë menaxhuar Byronë Kosovare të Sigurimeve. Zëra minorë të partive opozitare thanë sot se kjo qeveri e paskësh injoruar diasporën, sepse e paskësh hequr këtë ministri. Së pari: nuk është hequr ministria e Diasporës, por i është bashkuar ministrisë së Jashtme (në Kroaci, për shembull, ekziston ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane, pra nuk është kurrfarë krimi që një ministri të mbikëqyrë e menaxhojë dy sektorë). Fundja, çfarë ka bërë ministria e Diasporës kur ka qenë e kontrolluar nga qeveritë e mëparshme? Ka prodhuar lajme kur një zyrtar e ka rrahur tjetrin dhe kur shefat e ministrive kanë zhvilluar vizita të kushtueshme dhe jo aq dobiprurëse në pothuaj të gjitha kontinentet ku ka diasporë shqiptare.

Shpirti solidar është thellë i ngulitur në vetëdijen kombëtare të diasporës dhe kjo është rezultat i historisë së dhimbshme të Kosovës. Askush pas vitit 1945 nuk ka mërguar nga qejfi. Për të mos filluar më herët: solidariteti i diasporës është parë në vitet 80-të me demonstrata kudo në Perëndim për të denoncuar terrorin serb, në vitet 90-të me demonstrata, me ndihma financiare dhe në fund edhe me angazhim të mijëra njerëzve direkt apo indirekt në luftë. Në periudhën e pasluftës Kosova është rindërtuar më shpejt se çdo vend në rajon i prekur nga konfliktet e viteve 90-të – dhe kjo ka ndodhur për shkak të dërgesave financiare (remitancave) nga diaspora në Kosovë. Kjo shumë prej vitesh sillet rreth një miliardë euro. Pra, është sa gjysma e buxhetit të Kosovës. Shpirti i pamposhtur dhe solidar i mërgatës meriton së paku një falënderim të sinqertë jo vetëm nga klasa politike në Kosovë, por edhe nga çdo qytetar.

Solidaritet është treguar në diasporë dhe në Kosovë edhe kur Shqipëria u godit nga tërmeti në nëntor. Solidariteti i diasporës po shihet prej vitesh edhe me përkrahjen financiare për shoqatën e Halil Kastratit. Që njerëzit më shumë po i besojnë një teologu se politikanëve të zgjedhur, kjo flet shumë për bilancin e qeverisjes së deritanishme të këtyre politikanëve.

Tani ka një nismë nga qeveria për të ndihmuar Kosovën përballë gjendjes së vështirë të shkaktuar nga pandemia e Koronavirusit. Nëse veprimi i qeverisë është i paligjshëm, partitë opozitare le të ndërmarrin hapat e duhur juridikë. Ose këto parti që po kanë problem me kredibilitet mund të provojnë të kërkojnë para nga diaspora kur të vijnë në pushtet. Do të shihet sa centë do t’i marrin. Ndërkohë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të garantojë menaxhim transparent të parave të diasporës dhe llogaridhënie për çdo cent të harxhuar. Duket se në diasporë ka mjaft njerëz që besojnë në integritetin personal të Kurtit. Por kjo nuk mjafton. Si kryeministër ai duhet të kujdeset që ekipi që ka qasje në arkën që do ta mbushë diaspora në javët në vijim, të jetë ekip i përbërë nga njerëz me duar të pastra.

Burimi: koha.net