Blog

E rrëzuam dhe Kadarenë - Nga Faruk Myrtaj

Aq sa zgjaste edhe rrëzimi i emrave, shkrimtarëve, ministrave, në atë kohën tjetër, për dy muaj rresht u morëm me Ismail Kadarenë. Jo me shkrimtarin Ismail Kadare, se atë vetë e kemi pohuar. Ngritëm një tymnajë të hatashme dhe brenda saj kërkuam të bëhej ajo që mund të realizohet diku në një vend ku njerëzit sapo nisën të flasin, sapo nisin të shkruajnë dhe të lexojnë.

Për dy muaj rresht bëmë sikur u morëm me "pashallarët...", por në të vërtetë kemi dashur të ngadhënjejmë mbi autorin e tyre. Jo me autorin e "mesditës së Byrosë Politike", por me shkrimtarin që e ka bërë të njohur letërsinë e shkruar në këtë gjuhë, që ne e quajmë ende gjuhë shqipe.

"Naivi" Kadare, as kaq nuk paskej mësuar se burokracia jonë hata, jo më krijimet e tij të pabotuara, do t'i ruante me fanatizëm, por edhe psherëtimat apo thirrmat më të brishta të shpirtit, i ka regjistruar dhe i ka ruajtur. Ne ruajtëm tapitë e pronarëve, që i përmbysëm, jo pse shkuam ndërmend t'ua kthenim një ditë, por le të ishin aty: gjithçka përdoret një ditë! Kundër të zotëve! Ne kemi ngrënë njeri-tjetrin, jo më të kursejmë kënd ndryshe!

Edhe pse arrite të vizatoje e ta ktheje në simbol atë kohë, figurat, heronjtë dhe varrëmihësit e saj, shkrimtar i gjorë, mbete naiv, me dëshirën tënde për ta harruar estetikisht atë që ka ndodhur.

Ngaqë kurrë s'more vesh se jo gjithkush di të harrojë!

Aq më shumë kur nuk është i vogël numri i atyre që dashje pa dashje u ke bërë hije. Si të mos bësh hije kur merr përsipër të bësh art e letërsi të madhe, kur atë fare mirë do ta bënim ne?! Si të mos bësh hije kur kalëron marrëzinë dhe kapërcen edhe kufijtë e populluar nga njerëzit që lexojnë e flasin në gjuhën tënde? Vërtetë harrove ç'u kishte bërë vaki sivëllezërve të tu? Harrove që ne mezipritëm të njoftonim vdekjen fizike edhe të Lasgushit që pranoi të endej urtë buzë liqerit?!

Jo gjithkush është gati të harrojë!

Sidomos kur pranon marrëzinë që të madhështohesh si për inatin tonë të vogël! Edhe dje kështu të kemi parë, por atëherë shpresonim që ose do të ngjiteshim edhe ne atje ku ishe ngjitur ti, ose do të tërhiqnim një ditë atje ku ishim ne. Tërë kohën kemi qenë të turbulluar për shkakun se bëheshe i madh, në mënyrën tënde, për shkakun se politika rrekej pas teje, teksa ne rrekeshim ndaj politikës dhe, prapë, nuk u ngjitëm dot! Madje pikërisht prej kësaj politike e kemi pësuar.

Hera-herës ne kishim edhe mbiemra të njohur, herë-pas-here shpresonim që diku të rrokulliseshe, në ndonjë rast tu gjendëm të gatshëm për të ndihmuar në theqafjen tënde, le të ishte ajo edhe madhështore, por nuk mundëm.

Në librat e tu shkruheshin e shpërfaqeshin tërë ato që ne pëshpërisnim me njeri-tjetrin, deri edhe kurthet tona përshkruheshin atje, deri edhe tek mërzia jonë që të ra në fat një Jusuf Vrion, dhe hija tu zgjat deri në Paris, por tashmë nuk të bënim dot gjë. As ata që të veçuan prej nesh, nuk të bënin dot gjë më.

Ne të gjithë ngjireshim për heroin pozitiv, ti tek negativët mbete, dhe si çuditërisht, kurrkush nuk kujtohej për këtë! Ke pasur rastin t'i ktheje në "pozitivë" edhe "pashallarët e kuq", por si përherë i shkujdesur: s'ta paskan mbushur mendjen si të tillë! Nxitoje të mbylleshe dhe të merreshe me kokën e mbyllur në kamaren e turpit në Stamboll...

Dhe nuk gjete dot një çast të deheshe prej arritjeve të tua.

Ne mblidheshim në Lidhje, festonim e deheshim për suksesin e librave të tu, ti shkoje dhe mbylleshe, qërroje sytë për të shkruar libra të tjerë! Ne botonim shënime kritike, bënim studime për librat e tu, mbronim tituj dhe merrnim dekorata për direktivat në fushën e letërsisë, lëvdoheshim për metodën e realizmit socialist këtu e në botë, duke përmendur veprat e tua, dhe ti mbete fodull i përjetshëm! Ne gati i kishim edhe skedat, për librat që do të bënim kundër letërsisë tënde borgjezo-revizioniste, por si për të zezën tonë, nuk i botuam dot kurrë!

E urrenim edhe Dritëroin, që bridhte me makinë, por sidomos ty, që as kryetar i Lidhjes nuk ishe, as antar i K.Q., por nderet të bëheshin më të rënda. Se ne e dinim mirë që të bëheshin prej pahirit. Ca kohë e urryem edhe Dritëroin, kur bëri autokritikën në fillim të viteve '90, por me ty kemi llogari të tjera.

Edhe ne nuk e dimë mirë se ç'po themi: ka bërë mirë shoku Enver, në se të ka ndihmuar, apo ka bërë keq?! Ka bërë mirë që nuk shtoi edhe një emër tjetër në "Listën Velo" të shkrimtarëve të dënuar apo ka bërë keq?!

Ka pasur të drejtë Dritëroi që e ka cilësuar "mbledhjen e mesditës..." armiqësore apo e ka shtyrë politika zyrtare?

E ka pasur me ligësi autori ndaj vetes, që e quajti të tillë në autokritikën e tij, apo këtë e bëri që tu ndihmonte juve në rrëzimin e mezi-pritur?! Apo edhe Dritëroi kërkoi ta bënte disident që në atë kohë, duke e parashikuar se do të vinte një ditë kur Kadare do të theksonte se "Dritëro Agolli ka shtuar disa rubinë në letrat shqipe"?!

Nuk mund të duronim deri në pafund!

Erdhi një ditë që për inat të "pashallarëve të kuq" të gjenim një vjershë përgjysmë të realizmit socialist dhe të thërrisnim: Po tani...o i shkretë!

As që kemi punë me Byronë Politike, ne kemi punë me vjershën për të! Nuk na hyjnë në sy poezitë apo prozat e tjera që ke shkruar, ne kemi "pashallarët"! As që na hyjnë në sy gjaku deri në brrylat, por ne pikërisht këtë gjak s'mund ta harrojmë! Nuk duam as ta lexojmë gjysmën e parë të "mbledhjes në mesditë", na pëlqen pasdita dhe nata e vjershës! As ajo që të mbajnë shkrimtar të madh tjetërkund, për ne je ai që s'të kemi dashur ne. Je njeriu që në kohë diktature je shtirur për të shpëtuar shkrimtarin!

As duam t'ja dimë për artin tënd, madje as e duam më atë që e the shkoqur dy ditë më parë: S'na mjafton të pranosh që s'ke qenë disident!

Duhet të pranosh që nuk i ke shkruar ti ato libra që janë botuar me emrin tënd!

Edhe ti, edhe Agolli, edhe Arapi (në këtë rast na duhet të rikthehemi në identitetin e listës sonë!) duhet të pranoni që keni shkruar vetëm ato gjëra për të cilat ju kemi mburrur po ne. Ne, që nuk ua pranojmë disidencën për "ato të tjerat", për të cilët u kërkuam të bënit autokritikë dhe të mbanit mëri me njeri-tjetrin!

Vetëm atëherë ne do të gëzojmë së gjithash duke thirrur, siç kemi bërë me vlerat e mëdha të këtij vendi, të kësaj kulture, të kësaj gjuhe, që ka marrë vlerë tjetër pikërisht në librat tuaj.

Na e krijo mundësinë për tu gëzuar. Për të ushtuar edhe një herë në trojet shqiptare: Urra! Tri herë urra! E rrëzuam edhe Kadarenë!

As që s'kemi nge t'i përgjigjemi pyetjes: Po çfarë mbetet pastaj?! Çfarë mbetet që të pohojmë?! A ka ndonjë gjë me vlerë në këtë vend?!

(Publikuar për here të pare nga Gazeta "Albania", 2002)