Blog

Duhet të gjejmë kurën që shëron sëmundjet e shoqërisë shqiptare - Nga Ndue Ukaj

Bota e përparuar demokratike, beson te maksima sokratiane se fillimi i mençurisë qëndron te njohja e injorancës dhe kjo ka rëndësi të thellë për të kuptuarit tonë ndaj shoqërisë - shkruan nobelisti F. H. Hayek te libri monumental “Kushtetuta e lirisë”.

Kjo maksimë e moçme, mbi të cilën është ndërtuar qytetërimi perëndimor, për ne s’vlen pesë pare, sepse në ambientin tonë, të gjithë “dinë” të flasin për politikë, të gjykojnë politikisht dhe të japin vlerësime nga më të çuditshme politike. Po, vërtet, ne kukurisim dhe bëjmë llafologji pafund.

Po ta shohësh botën e vogël shqiptare si flet dhe shkruan për politikë, ta merr mendja se këtu përcaktohen fatet e botës dhe kahet e zhvillimeve globale.

Është vështirë të gjesh ndër shqiptarë njerëz që thonë: nuk di ose nuk kam çka të them. Të gjithë “dinë” të bëjnë analiza dhe të tregojnë rrëfime politike, e në këtë drejtim, po ashtu, të gjithë dinë t’i drejtojnë gishtat qortues e shigjetat e helmatisura kundër të tjerëve.

Kjo është logjikë e shkretë dhe mjerane, që është duke na vështirësuar rrugën e përtëritjes dhe të këndelljes.

Ne jemi një vend që vuan pasojat e trashëgimeve të këqija politike, të shkollimit jocilësor, të ideve jocilësore, të cilat pak kush provon t’i shërojë.

Ne jetojmë në një mjedisi moral dhe etik tejet të egër, të cilin, në vend se ta zbusim, ta kthjellim e pastrojmë, e ndotim përditë e më shumë, me intriga dhe thashetheme politike neveritëse.

Në këtë ndotje, kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë faktorë tallava të shoqërisë sonë, media pa etike e shpeshherë me agjenda, që u kanë dhënë krahë budallenjve, egërsia e folësve politike, politikanë të papërgjegjshëm e megalomanë, që kanë ndërsyer tufat e egra të militantëve me gulçe, sharje e turfullime kundër të gjithë të tjerëve që u kanë dalë në rrugë...

Fatkeqësisht, ne nuk kemi trashëguar ndonjë shkollë politike që ka dhënë rezultate kombëtare, përveç shkollës politike që ka ndjekur Ibrahim Rugova. Ajo ishte shkollë e përkorë, autentike, e njeriut të Kosovës dhe që e donte atë, që s’yshtej pas temave globale. Një shkollë që ishte e vetëdijshme për peshën e vogël dhe krejt të papërfillshme në rajon, kontinent dhe botë, ndaj kërkonte aleanca, miq, dashamirë, për të sendërtuar një aspiratë. Dhe, siç tregon historia e vonshme, ajo shkollë u bë udhërrëfyese dhe një lloj tempulli besimi, ku u përkulën të gjithë ata që na ndihmuan të sendërtonim aspiratat tona për liri, pavarësi dhe demokraci.

...

Përsa kohë intrigat i quajmë mendime, thashethemet i bëjmë lajme, u duartrokasim atyre që pas shpine i shajmë - e vistra e shembujve të tillë është e gjatë – s’kemi pse presim ndryshime cilësore kombëtare dhe s’do të fitojmë as respekt e as vlerësim ndërkombëtar.

Pra, për shpjegime irracionale politike dhe të egra, nuk na shkon kush, ashtu siç nuk na shkon kush për spektakle politike dhe politikë të defilimeve nëpër rrjete sociale.

Ndaj, sapo të dalim prej karantinës dhe të nxehemi në rrezet e diellit, është e udhës ta gjejmë kurën për t’u shëruar nga sëmundjet që rëndojnë shoqërinë tonë, sidomos ato që lidhen me kthetrat e egra të karantinës së gjatë të injorancës, intrigave dhe të thashethemeve që na kanë mbërthyer keq.