Blog

Dashuri - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Gëzuar Ditën e Nënës!

Ti ke lindur prej një nëne, por ti nuk e di ç’do të thotë të jesh nënë derisa bëhesh e tillë. Ti lind bashkë me fëmijën sa herë sjell në dritë jetën e re. Ti mendoje se e kishe patur nënën brenda vetes, instinktin e bla bla bla, qëkur luaje me kukulla e ushqeje ato, apo kur kujdeseshe për vëllain e vogël. Por asgjë nga këto nuk i afrohet ndjesisë që përjetove ditën kur dëgjove rrahjet e zemrës së vogël, ose kur vure dorën në barkun ende të patransformuar. E më pas kur dëgjove të qarën e parë dhe nuhate atë aromën pafundësisht të ëmbël e të papërsëritshme që vetëm një foshnjë e mbart. Atëherë kur derdhe për herë të parë lot lumturie. E mban mend?

Kuptove se qënia jote tashmë nuk është një, por dy, tre, katër. Aq herë ajo shumëfishohet sa herë sjell një jetë të re. Ka njerëz që e trajtojnë si proces normal shtatëzaninë, pa njohur as rreziqet e as transformimin, ka të tjerë që i quajnë sakrificë 9 muajt e krijimit, por ti i quan bekim, mrekulli dhe përmbushje. Ti do të ndryshosh përgjatë viteve, do njohësh veten në shumë dimensione, do ngjitësh nivele vetëdijeje që të tjerë do duhet të ngrenë kokën t’i shohin.

Ti je e papërgatitur në këtë udhëtim me të papritura. Asnjë libër i botuar përgjatë kohëve nuk është shterues dhe asnjë dije e përhapur ndër njerëz nuk të mjafton për të të bërë nënë, asnjë këshillë eksperti e asnjë përvojë gjysheje nuk të pajis me mjete magjike mëmësie.

Ti bëhesh nënë duke u rritur bashkë me fëmijën tënd, duke mësuar si ta ushqesh me gji, pas qindra episodeve gjakosjeje të thithkave të vogla. Duke u trembur pas të vjellës së parë, të qarës së natës. Duke e përkundur në krahë për ta vënë në gjumë dhe duke e mbajtur mbi trup pa marrë frymë që të mos e zgjosh të voglin tënd.  Ti do të krijosh këngë pa ditur asnjë notë muzikore, do të luash futboll pa ditur asnjë rregull, do të ngjisësh qindra shkallë pallati koridoresh të errët me karrocën mbështetur në ije e nuk do ndjesh lodhje. Ndonjëherë do shash nëpër dhëmbë atë tipin që ka prishur ashensorin. Do të bërtasësh dhe do të bëhesh pishman menjëherë dhe mërinë do ta braktisësh përgjithnjë. Do provosh teknika të ndryshme disiplinimi sepse ti kërkon më të mirën. Ti do qash pas dështimesh e dyshimesh. Do fshehësh lotët me mjeshtëri e do ngrihesh sërish të jesh ajo, supermami që është e aftë të bëj gjithçka për bijtë e saj.

Po, të jesh nënë është një udhëtim në vende të paeksploruara dhe ti nuk ke asnjë hartë të saktë. Ti lë intuitën të të udhëheqë, gabon, provon, riprovon, dhe nuk lodhesh. Ti kërkon të gjesh çelsin e prindërimit të mirë, por ai si një thesar i humbur të tërheq të gërmosh toka të pashkelura.

Ti rrëzohesh, përhumbesh tuneleve të padijes, por asgjë nuk të mposht t’ia dalësh. Sepse ti je ajo, NËNA që një ditë një qënie e vogël e pafajshme t’u drejtua me fjalën Mami dhe zemra të gufoi nga dashuria. Ti o Nënë ose Mami, ke misionin e madh të ruash, mirëmbash e ta rrisësh këtë ndjenjë të pastër, t’ia përcjellësh po aq pastër e pa cen birit tënd.

Do kesh momente në jetë kur do dyshosh mbi dashurinë. Do thuash me vete a ka vlerë ajo që mbaj në zemër? A duhet ta tregoj çfarë ndjej? A duhet të bëj atë që më kërkon çdo ditë me zë të ulët e që më çan kraharorin kur nuk e dëgjoj?  

Përgjigjen ti e di, e ke ditur gjithmonë. Dashuria është fillimi dhe vazhdimi, ajo kurrë nuk duhet të jetë fundi.

10.05.2020