Blog

Gërmo Tare, gërmo! - Nga Agron Tufa

1.

Dosjen e plotë të Martin Camajt, të cilën Autoriteti i Dosjeve ia dorëzoi Auron Tares, dihej që ai do ta shfrytëzonte selektivisht. Ai që ia ka përgatitur e dorëzuar, e di këtë dhe bën mirë të flasë. Megjithatë dosja nuk gjendet vetëm në AIDSSH dhe është lehtë të demonstrohet shfrytëzimi i saj selektiv. Do ta ketë pasur sekëlldi të madhe Tare kur esencën e kësaj dosje e publikoi Kastriot Dervishi gjate këtij dimri, me disa vijime, ku dëshmohet se si u tall Camaj me Sigurimin dhe se si Sigurimi për 40 vjet u përpoq ta "diskreditonte" atë me çdo mënyrë.

Camaj i tregoi rregullisht Sigurimit të komunist Gishtin e Mesit.

Edhe kuazidedektivin e Tares, që ndokush e merr për studim, me koleksionimin e zellshëm e heroik të dokumentave kudo ku përmendet Camaj, mandej të endur në tekstin e tij sipas parimit të "gërshërës dhe mastiçit, - edhe për Taren pra, njëlloj si për Sigurimin, Camaj ka veç një përgjigje: Gishtin e Mesit!

2.

Labirinti kontekstual dhe akontekstual i dokumentave mbi një antikomunist si Camaj, i shtrënguar të ndjekë rrugën e mbijetesës, pa i mbetur vetja peng, nuk të çon aspak në klishenë derdimene "tradheti ndaj atdheut", siç sugjerohet nga montazhi dedektiv i Tares. Unë besoj këtë tjetrën, që Camaj, e shumta, mund të ketë krijuar alibi fiktive, kinse pranoi "Ura bashkëpunimi" sa ishte në Jugosllavi, pastaj këto "Ura" fiktive i hodhi në erë, bashkë me gruan e tij serbe. Por nuk mendoj se ka qenë e nevojshme as kjo. Sepse dedektivi i Tares nuk thotë asgjë, nuk jep asnjë fakt, asnjë shkresë, përpos ca hamendësimeve e supozimeve. Deri tani nuk kemi ndonjë rast flagrant të ndonje vepre konkrete me pasoja negative të Camajt. Pra, asgjë. Këtë asgjë, Tare e interpreton nga informacione të Sigurimit, të CIA-s në internet, krejt sipas qejfit dhe oreksit, duke na sugjeruar se aty pra, duhet të fshihet "bashkëpunimi me UDB". Po ku pra, ku? Ke dokument o qirje studiues? Jo!?

Epo atëherë gërmo Tare, gërmo!

Dhe mos kërko të të xamë besë veresije.

E gjithë perpjekja sistematike e Tares në këto dokumenta rreth implikimit të Camajt, del jashtezakonisht intencionale, sikur ka inat të vjetër e të personalizuar me të, sikur mban inat që Camaj iu shpëtoi burgjeve dhe kampeve të internimit nën drejtimin, asokohe, të Myftar Tares. Gjithë koleksioni i mbledhur me dokumenta ku përmendet emri i Camajt nuk të thotë asgjë, e tekefundit, mund të përmblidhet në një idiomë: "Gola në përfytyrim!". Po kujt i duhen "golat e përfytyruar" të Tares?

3.

Interesante është, se kjo kategori studiuesish si Tare, kurrë, po kurrë ama, nuk u morën njëherë me demontimin e miteve të rreme për personalitete ende të gjalla të kulturës e politikës në dy epokat: komuniste e postkomuniste, të cilat i kanë sjellë dëme e krime të përbindshme, të hapura dhe ende të fshehta shoqërisë dhe atdheut. Tares nuk i duken të rëndësishme dokumentat mbi "Cingaren" dhe dëmin e pandreqshëm të demokracisë së shndërruar në një stan qensh. Apo nuk duhen prekur "tanët"?

Duket se këta studiues e kanë të pilotuar agjendën për një kategori antikomunistësh, por kurrësesi jo për ata, me të cilët konsultohen e pinë kafe. Do të kishte qenë i vyer tehu i këtij zelli studimor, fjalavjen, për veprimtarinë e ethshme brenda e jashtë Shqipërie (diasporë) të ndonjë tipi si"Dragoi", por sakën se...

Po e dimë: kjo nuk hyn në agjendat e pilotuara të Tares me shokë. Pse? Se ata gërmojnë në një tjetër drejtim...

Sa për Camajn, jashtë yllit të tij letrar e gjuhësor, mbetet triumfi i inteligjencës së tij, që i tregoi Gishtin e Mesit Sigurimit të Shtetit. Ai natyrisht ishte kundër pushtetit satanik të Enver Hoxhës dhe rrëzimi i tij, ka qenë gjëja më e mirë, më e domosdoshme, që fatkeqësisht nuk ndodhi, sepse kishte njerëz të zellshëm që e mbronin diktaturën atëherë dhe që kanë nostalgji e përpiqen ta ringjallin sot.

Për mua Camaj mbetet poeti brilant, i pangjashëm me kënd tjetër në peizazhin e lirikës panshqiptare, prozatori novelist e romancier, absolutisht më i thellë, më multisemantik, origjinal e risues, me gjuhë, stil, ide e ndjeshmëri artistike të pashoqe në letrat menjimend moderne shqipe, sikundërse gjuhëtar atipik që hapi rrugë të pashkelura në studimet tona (Il mesale di Gjon Buzuku).

Pjesa private, sido që të shkojë puna, na çon, e shumta, te paradigma e njohur në letërsinë botërore të shkrimtarëve që punonin në shërbime inteligjente si Çesterton, Graham Grim, etj., padyshim në interes të atdheut, sikundër dhe Ernest Koliqi. Vetëm me një sqarim të vogël: atdheu mbrohet e duhet/dashurohet edhe duke e çliruar atë nga zombifikimi komunist i diktaturës, e jo siç e marrin jangllësh derdimenët, që sulmin ndaj pushtetit satanik të Enver Hoxhës, e konsiderojnë "tradhëti ndaj atdheut". Pra në këtë pikë ne kemi pikëpamje krejt të ndryshme mbi domethënien e atdheut: atdheu im, nuk është diktatura!

4.

Sulmi i maskuar si studim, i mballosur me teknikën e "gërshërës dhe mastiçit" eshte një goditje e mirëmenduar dhe e përgatitur gjatë ndaj figurave të pastra antikomuniste si Camaj, Pipa, Koliqi etj, te cilët ia bënë dambllanë Sigurimit dhe komunizmit te Enver Hoxhës. Dhe me sa duket, është një inat që s'del kollaj ndër breza. Tani eshte radha e trashëgimtareve të tyre të kamufluar keq të provojne shansin me këto përmendje kolazhesh, duke e lypur emrin (e Camajt, Koliqit, Pipës) nëpër burokracitë e tejsurvejimit të personaliteteve, si qeni në zabel. Një gjë e rëndomtë kjo, kur kemi parasysh se jemi në pikun e "Luftës së Ftohtë", në botën e ndarë me perde të hekurt.

Nga ana tjetër çdokush që ka qenë dikushi gjatë diktaturës, po ta shohë sot dosjen e vet, do të gjejë qindra gjurmë në ish Sigurim (kallzime, raporte, vërejtje, udhëzime, vijë sjelljeje, etj,etj), po kjo nuk do te thote aspak, se meqë survejoheshe ke qenë në shërbim të Sigurimit, UDB, CIA etj!

Pra me Camajn, me survejimin e tij nga Sigurimi shqiptar dhe UDB në Shqipëri dhe Jugosllavi, dhe më vonë në Romë e Mynih, nuk do të thotë asesi se ai u "rekrutua" prej tyre, që "shërbeu", ashtu siç na e sugjeron përvëlimthi e me rixha Auroni. Në këtë drejtim ai ende nuk na ka thënë asnjë gjëzë, prandaj them, se në këtë drejtim, Tarja duhet të vazhdojë të gërmojë... Përndryshe logjika e tij është e shpartalluar pa filluar minimumi i arsyetimit të shëndetshëm, e jo dëshira për të imagjinuar "gola në përfytyrim".

Dhe së fundmi, për ata që trashen e mëdyshen si deshë me qershi në dyer të reja nga albumi dedektiv i Tares, bëjmë këtë pyetje retorike:

A ka qenë Bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit Martin Camaj?

Sqarimi më i thjeshtë është ky:

Kategoria e “bashkëpunëtorëve me material shtrëngues” të quajtur “bashkëpunëtorë tradhtarë”, me zero raporte, NUK janë e nuk quhen bashkëpunëtorë!

Po shqiptarët gënjehen kollaj për punë agjenturash, sepse asnjëherē nuk shohin se çfarë “spiunoi” Martini. P.sh: pse e quante “tradhëtar” Sigurimi, kur Camaj i paska “shërbyer”!?

Pse pra? Për t'iu përgjigjur, Tares do t'i duhet të gërmojë edhe në arkivat e Beogradit. Dhe ne i urojmë zell të mbarë në lartësinë e agjendave të porositura: gërmo, Tare, gërmo...

©Agron Tufa