Blog

Pranë një monumenti të rrezikuar - Nga Sami Milloshi

Ky monument që shihni lart në fotografi quhet "Emancipation Memorial" dhe ndodhet ne Boston, Massachusetts. Eshtë kopje e atij që ndodhet ne Washington DC i ngritur ne vitin 1876. Ky i Bostonit është ngritur tre vjet më vonë, pra ne vitin 1879.

Vepra është e skulptorit te famshëm Thomas Ball që ishte bir i shtetit Massachusetts. Ai e dizajnoi skulpturën e tij të memorializonte çlirimin e skllevërve pas Luftës Civile në Amerikë.

Vepra, siç shihet, paraqet Presidentin Abraham Lincoln me Proklamatën e Emancipimit në njerën dorë dhe dorën tjetër mbi kokën e nje Afrikano-Amerikani, tashmë njeri i lirë me pranga të thyera, i gjunjëzuar para presidentit.

Është më se i njohur fakti që monumenti ne Washington DC, u financua nga vetë skllevërit e çliruar prej aktit historik të presidentit Lincoln.

Këtë të Bostonit, që duket pas meje, e financoi një politikan i bardhë, Moses Kimball.

Protestat e zhvilluara kohët e fundit u bënë shkak që për këtë Monument në Boston, Komisioni Artistik i Bashkisë të vendosë që monumenti të hiqet dhe të ruhet në muze.

Këtë vendim e ka përkrahur edhe kryetari i Bashkisë së Bostonit, demokrati Martin Walsh.

Tjetër fat do të kishte patur Monumenti origjinal në Washington DC, të cilin protestuesit kanë tentuar ta shembin, po të mos ishte ruajtur nga forcat e Gardës Kombëtare. Dhe po të mos i kishin dalë në mbrojtje një numër jo i vogël zezakësh që u kanë thënë protestuesve "Ne kemi paguar për këtë monument, prandaj e mbrojmë".

Unë që jam sensibël ndaj veprave të artit, erdha ta filmoj monumentin në Boston dhe ta kem një kujtim. Sepse me thënë te drejtën, nuk më pëlqen ky ngut dhe kjo marrëzi që ka kapur disa mendje të nxehta në Amerikë, jo vetëm për ta revizionuar historinë, por edhe për t'i fshirë disa fakte thelbësore të saj. Jo për gjë, por kjo stuhi masakrash, më kujton fëmijninë time në Shqiperi, ne fund te viteve 60- të shekullit të kaluar, kur iu vu dinamiti kishave mijëvjeçare si ajo e Vaut te Dejës nga diktatura komuniste.

Po çfarë fytyre mund të ketë kjo stuhi kulturore shkatërrimi në Amerikë? Çfarë "diktature" mund të jetë? Ndoshta nje Diktaturë Globale... Ah, termat, termat...

Por, le t'i lë hë për hë filozofimet.

Halli im ishte të bëj një fotografi tek monumenti dhe të kthehem në shtëpi, në paqe me vehten duke belbëzuar "unë e bëra detyrën time". Kaq, asgjë më shumë...

Si i bëra ca foto monumentit, po prisja dikë që kur të kalonte aty pari, t'i lutesha të më bënte një fotografi. Mund ta kisha bërë edhe selfie, por unë e kam shumë bezdi selfien sepse me duket diçka si sëmundje e egos.

Kur ja, ia behu një vajzë e re me maskë.

Ajo i bëri disa foto monumentit dhe po priste dikë. Mendova se edhe ajo, njësoj si unë, donte ta fiksonte në foto monumentin. Më ne fund iu luta.

- A mund të më bësh një foto, të lutem? - e pyeta.

- Me gjithe dëshirë - tha - por nuk dua ta prek celularin tënd.

- Ok - i thashë - e kuptueshme, çka ishte një masë e mirë që ajo po merrte të mbronte veten në këtë kohë virusesh.

U pa puna thashë me vehte, do pres për dikë tjetër. Kur nuk kaloi as një minutë u shfaq një grua e imët, edhe ajo me maskë. Dukej si mesogrua sepse kishin filluar t'i fishkeshin llërët dhe aty këtu i dukeshin edhe ca thinja të bardha.

Nuk ia shihja buzët e as ajo m'i shihte të mijat për shkak të maskave, por m'u duk se vuri buzën në gaz kur më pyeti befas:

- Çfarë mendimi ke ti për statujën?

- Është perfekte - i thashë, i bindur se në përgjigjen time ishin blatuar respekti im i jashtëzakonshëm për Presidentin Lincoln, por edhe stima ime dhe shijet e mija estetike.

Sapo dëgjoi përgjigjen time, duket zonja u skandalizua dhe ma hodhi si tullë kokës pergjigjen e saj.

- Atëhere unë nuk ta bëj foton - tha ajo...

-Të lutem - insistova une...

Me sa duket insistimi im e zbuti disi dhe më pyeti:

- Do ti të dish se çfarë mendoj unë për këtë monument?

- Patjetër - iu gjegja vrikthi.

Pastaj zonja, si të thuash, më mbajti një fjalim historik, ku më shpjegoi se statuja, gjithsesi ishte fyese, sepse ish-skllavi ishte i gjunjëzuar ..., etj., etj., fraza liberale që kuptohej fare qartë ishin krejt te freskëta, sikur të dilnin nga ekrani i CNN.

Shkurt, zonja tha se do të ishte dashur, që Afrikano-Amerikani të ishte skulpturuar në këmbë dhe jo i gjunjëzuar...

- Por skulptura - ka 140 vjet që është bërë - i them - nuk është e njejta gjë nëse do të bëhej sot. Nëse dikush do ta bënte sot, ndoshta ata do të paraqiteshin duke kërcyer rock and roll...

Zonjës i plasi nje gulsh të qeshure, por nuk ia shihja dot...

- Por edhe atëhere, ka pasur vërejtje për skulptorin - ndërhyu vajza.

Si i thashë se nga e kam origjinën, si u thashë se dy femijët kanë mbaruar universitetet dhe punojnë në universitete, zonja megjithatë, ma hodhi edhe një tullë të dytë:

-Po, por po të kishe pasur ngjyrë tjetër lëkure, nuk do t'i kishe arritur këto që po thua...

E pashë që ishte e kotë ta zgjasja më tej debatin. Veç i thashë se në këto 20 vjet në Amerikë unë pashë se si u zgjodh për dy mandate rrjesht President i Amerikës një Afrikano-Amerikan, zoti Obama... Dhe nuk e zgjata më tej. As ajo nuk e zgjati.

Zonja nxorri celularin e saj, më bëri fotografinë. Ma dërgoi në celularin tim dhe kaq. E falenderova me gjithë politesën e mundshme. Dhe bëra të kthehem në shtëpi...

Pastaj i pashë ato dy gra që ikën në rrugën Charleston dhe i përshëndeta edhe një herë me dorë...

Ato ikën pa e fotografuar veten e tyre tek Monumenti i Lincolnit. Sepse ato e duan atë monument në muze....

Ndërsa unë e fotografova veten pranë tij, sepse e dua dhe e kam në zemër Lincolnin. Dhe ndoshta, për të njejtën arsye, shumë të tjerë e ruajnë në zemër si unë.

Me shpresë se pas 140 vjetëve jetë në atë shesh, gjithsesi do të mbijetojë edhe 140 vjet të tjera. Dhe gjer atëherë do të jenë ftohur gjakrat dhe do të ketë triumfuar arsyeja!

©Sami Milloshi