Blog

Frika e opozitës shqiptare nga diplomacia e havjarit - Ilir Babaramo

Në korrikun e vitit 2013 fituesi i zgjedhjeve organizoi një pritje në hotel Sheraton. U dyndën aty të gjithë ata që e mbajnë veten si pjesë e elitës së Tiranës. Kishte aty evazorë, denonciatorë me dhe dhe pa pagesë të ambasadave, oligarkë. Nuk mungonte asnjë nga frymët e vdekura të qytetit. Të gjithë në rresht për të shitur sërish shpirtin tek Çiçikovi i rradhës.

Ra gjithashtu në sy servilizmi i atyre ambasadorëve që përpiqeshin të rregullonin marrëdhëniet me shefin e ri të gubernës. Ishte aty ambasadori që deri pak javë më parë kishte nisur drejt Brukselit raportet më perfide. Ishte aty ambasadori tjetër, ai që e kishte cilësuar burrë shteti shefin e mëparshëm të gubernës, pak orë pasi ishin vrarë katër protestues me duar në xhepa. Madje si për ti mbyllur çdo derë shprese opozitës edhe delfinin e tij e kishte cilësuar yll në ngjitje.

Kështu ka ndodhur gjithnjë, kështu po ndodh dhe kështu do jetë gjithmonë. Kemi qenë gjithë kohën naivë se zgjedhjet në vendet e mëdha mund të ndikojnë tek fitorja e njërës palë në Shqipëri. Një eksperimet i refleksit të pakushtëzuar që ka shkaktuar zhgënjime në të dyja krahët, si kur ka fituar Bush ashtu dhe kur ka fituar Obama. Shtetet e Bashkuara vetëm në një rast mund të implikohen drejtëpërdrejt, madje dhe vrazhdë në zgjedhjet e një vendi. Vetëm kur preken interesat strategjike të botës së lirisë. Dhe në rastin e Shqipërisë vetëm kur në bazën e Pasha Limanit të shfaqet sërish gjenerali Zheleznov. Nuk ka kancelari në botë që nuk e di se asnjë krah i politikës shqiptare nuk mund të bjerë nën influencën e Kremlinit. Kahja atlantiste e Shqipërisë nuk mund të ndryshojë dhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nga varri. Sepse shqiptarët janë kombi më atlantist në botë. Askush nuk mund ti hynte një aventure të tillë.

Atëherë si shpegohet që diplomatët që ndjekin dosjen e Shqipërisë në kancelaritë e mëdha mbajnë përgjithësisht anën e qeverisë në konfliktin politik permanent shqiptar? Ka dy shpegime: ose ideje fikse e ruajtes së stabilitetit ose ajo që njihet në komunitetin e tyre si diplomacia e havjarit.

Termi diplomacia e havjarit lindi pak vite më parë për shkak të Azerbajxhanit. Disa zgjedhje rresht, vëzhguesit ndërkombëtarë u përfshinë në një skenë enorme korrupsioni. Eurodeputetë, ambasadorë, vëzhgues që ndiqnin dosjen e këtij vendi merrnin sistematikisht zarfe të majme dhe si gjest të bujarisë tipike orientale sasi të mëdha havjari. Kjo skemë korruptive u cmontua nga ambasadorja Glover, një emër shumë i njohur dhe në Shqipëri, që ka denocuar të gjitha vjedhjet elektorale tek ne, duke filluar nga ato të 26 majit të famshëm 1996. Shumë nga pasionantët e havjarit azer tashmë jo vetëm kanë humbur postet por disa prej tyre janë ende në pranga.

A e refuzojnë “havjarin” gjithë diplomatët që mbulojnë Shqipërinë? Dhe më naivi në botë nuk do vinte dorën në zjarr. Gjatë viteve të fundit ka shumë shembuj që ngrenë dyshime të besueshme. Me shumë të drejtë opozita aktuale mund të ndjehet e frustuar ashtu siç ndjehej opozita e një dekade më parë. Por le të flasim për sikletin e opozitës aktuale. Në momente kyçe janë ndjerë të izoluar ndërkombëtarisht. Shkak mund të jenë të dyja opsionet, stabilokracia ose havjari.

Opozita duhet heqë dorë nga ky kompleks, të çlirohet nga ky frustim. Nuk duhet të intimidohet nga telefonatat që mund t’i bëhen si në emër të stabilokracisë, si për shkak të havjarit. Vetëm nëse nuk janë të shantazhueshëm, këtë mund ta bëjnë njerëz të lirë. Këtë mund ta realizojnë sokratët e vuajtur.

Njerëzit e lirë nuk kanë frikë nga Amerika. Shtetet e Bashkuara respektojnë njerëzit e lirë. Kanë vetëm një rrugë për të shpëtuar vendin nga vjedhja e mundshme e zgjedhjeve: të ngrenë dallgën e zemërimit popullor. Të mos frenojnë më turmën të pushtojë Bastijën. Berisha është nga njohësit më të mirë të Hygoit. Duhet ta dijë thënien e tij: As gjithë ushtritë e botës nuk mund të mbysin një ide të cilës i ka ardhur koha. Le t’ia japë si këshillë Bashës dhe Kryemadhit!

©Ilir Babaramo