Blog

Muri i Berlinit dhe pak histori - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja

Kjo është java e Murit të Berlinit. Kilometrat e pllakave të betonit, duke i privuar qytetarëve të Gjermanisë një ndarje absurde prej gati 28 vitesh. Një mur që erdhi si pasojë e Luftës së Dytë Botërore dhe e blloqeve të Lindjes. Janë kaq shumë histori arratisjesh, bajonetash, uniformash, flamujsh deri tek varret masive, sa nuk është e vështirë të kuptosh vlerat e lirisë a komunikimit normal dhe firot e kohës së bjerrur kot. Kohës së djegur njerëzore, aq sa një kronist amerikan i atyre ditëve, e krahasoi vërshimin e turmës me atë të llavës vullkanike. Dhe liria ishte vërtetë e bukur.

Ata që kanë memorie me siguri ndihen krenarë. Ata që e jetuan, akoma më shumë. Mjafton të kujtosh se si qytetarët që kishin shitoret në afërsi të murit, u ofronin të ardhurve birra pa para. Ofronin ushqime e të tjera sende të domosdoshme duke taposur kasat. E gjitha ishte një ekstazë njerëzore, merri ato që të duhen. Ushtari dhe qytetari në vend të kokave të njëri-tjetrit, thyenin shishet e birrave. Ishin njëzetë e tetë vite ndarje, nga lufta, ideologjitë, diktatura e proletariatit nën moton e fituesve të Luftës së Dytë Botërore.

Një emocion që e ofroi Gjermania, vendi më i urryer për shkak të pushtimeve, shkatërrimit, kampeve të përqendrimit nga aktiviteti shfarosës i asaj pjese çiban-e e shoqërisë me në krye Adolf Hitlerin. Menjëherë pas rënies së murit të Berlinit, zuri fill lëvizja e minatorëve të Karpateve në Rumani. Ose e ashtuquajtura pranvera e rajonit të Gadishullit Ballkanik. Një pranverë kaq e hidhur sa ekzekutimet publike në Bukuresht, a Srebrenica e Bosnjës deri tek eksodi i shqiptarëve nga Kosova, janë si ajo fytyrë plot vraga e shpresëhumbur e një qenie njerëzore me ose pa pension, të pamjaftueshëm ose do bëjmë si të na e ketë shkruar Zoti. Qytetarë të mundur nga koha e tyre.

Nga atëherë, nga koha e barrierave të rrëzuara, gëlojnë dy versione që e kërcënojnë komunikimin dhe demokracinë. Versioni i nacionalizmave dhe versioni i politikave të ashpra. Dhe ajo çfarë është më e trishtueshme është pushteti absolut që marrin këto dy kategori sociale, duke na privuar nga atmosfera e ditëve të Murit të Berlinit. Megjithëse ata janë fare pak, prapë dominojnë. Dhe masat (shoqeria) zgjohen një herë në gjysëm shekulli ashtu si llavat vullkanike.

Eshtë java e Murit të Berlinit, java ku duhet të promovohet liria dhe komunikimi. Aq më tepër për ne shqiptarët por dhe rajonin. Sidomos ne që të ftohtin e bajonetave, thumbat e telave apo eksodet i kemi akoma të freskët. Të ftohtin e galerive të luftës së klasave, të mendimit ndryshe etj. Madje promotorëve dhe bijve u kemi lënë çelësat e vendit. Dhe me krenari po ndërtojmë një rend demokratik komunist. Me mllef, me urrejtje, me nacionalizëm.

Edhe pse me shumicë i falim Gjermanisë studentë, Italisë artistë e Greqisë shërbyes, këto dy kategori sociale, pra nacionalizmi dhe politika e ashpër sot janë dominante. Ndaj shumë probleme, përshembull të drejtat e njeriut, ato që ne akoma i quajmë turqisht halle, hallet tona, hallet e njëri-tjetrit, janë zeruar për shkak se na ka mundur totalisht gjaku benzinë nacionalist a patriot dhe politika e sekretarëve të komiteteve dhe bijve të diktaturës. 

Njezëtekatërorëshi ynë është i pushtuar, nga një dekret presidencial a një varrim se sa nga faktet të tilla si, sa është numri i atyre që ikin? Si janë sportelet e Rinasit, Durrësit Vlorës, Kakavijes, Muriqanit etj? Çfarë volumi ka masa e atyre që ikin andej, jetojnë andej, punojnë andej, dashurojnë? Sjellin, japin, marrin etj? Çfarë numri ka çibanizmi që na mbyt, që na ka pushtuar etj? Dhe pse na i ka vjedhur kohën tonë.?! Dhe kjo është e shpjegueshme ..., sikur kohës sonë t'i kushtonin më shumë minuta me pamjet e përvjetorit të Murit të Berlinit, me siguri do na hollohej benzina në gjak, do jetonim frutet e pranverës. Por nuk e bëjmë. Sepse na ka mbytur versioni bajat i patriotëve, i perandorive të vjetra, i kufijve. Dhe versioni i çibanëve të diktaturës së proletariatit.

Para disa viteve pata fatin të ndodhesha në një kabinë, të një anije të madhe. Po lundronim në detin e Karaibeve. Zotëria më tregoi instrumentin e drejtimit... kureshtja ime…  i ngjante një sfere, sa një grusht. Kapiteni e përkëdheli me mollëzat e gishtave. Pak, fare pak, veç kur gjithë ajo kaba zuri të anohej duke ndërruar drejtim. Me siguri që kështu duhet të ndodhi edhe me ne. Na shpien ku na duan dhe jo aty ku duam.

©Ilir Levonja