Gjermani i fundit dhe dashnorja e fundit - Nga Ilir Levonja
Sherrin më të madh ne shqiptarët e kemi me gjermanin e fundit. Kur iku? Kur e kapërceu gardhin aty në fushën e Shtojit. Një soj argumenti që mund të bëjë qesharake çdo kastë akademikësh. Sidomos kur nxjerrin ca korrespodenca me letra nga fretërit katolikë. Atyre që ua lëruam nënën me daulle, kur thotë populli. Nga arshivat e asaj farishteje të një kulture që sot mund të ishte një universitet teologjik. I cili me siguri do kishte shmangur edhe huazimet e misionarëve fetarë nga bota. Dhe që pa diskutim, shqiptarët do të dinin më fund të faleshin shqip. Të besonin si shqiptarë... por ne jemi sa vëllezër të entuzazmit aq edhe të piromanisë. Dogjëm plot ekstazë vetveten. Dhe vazhdojmë. Aq sa sot shikon akoma që, plot syresh nga ne, që edhe pse i jemi strukur me ketë pushtimin modern Gjermanisë, i valvisim flamurin e kuq mu aty, flasim plot krenari dhjerani për gjermanin e fundit. Armikun e madh. Ai që po na ushqen. Këtej themi iku? Këtej flasim për fitore. Pa vënë re se shprehja na e vë në dyshim triumfin. Atë që aq me bujë ia dedikojmë vetes. Dhe plot hori lëvdojmë horroret e një perversi si Enver Hoxha.
Në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët u gjënden gafil. Edhe pse kishin një shtet të tyre. Megjithatë dolën disa oficerë që duam apo nuk duam ne, i zbrazën armët. Edhe pse mbi koka kishin zhurma të hekurta të një superfuqie që i ishte drejtuar Jugut të Mesdheut. Dhe mire bënë. Në fund të fundit, vendi ka zot. Por ironia është se të gjithë dolën tradhtarë. Dhe ne njohëm deri vonë vetëm një mitralier. Dhe atë, sa për t’u mburrur, për të mbuluar krimet dhe të tjera mizori në emrin e luftës së klasave. Një e tillë sëmundje që akoma nuk po e kuptojmë se sa e thellë është urrejta karshi njëri-tjetrit. Aq sa e vërteta është një mjet që veç tek ne nuk hyn në punë. Pasi ne vuajmë nga mendësia ndërto për inat të tjetrit. Krijo e shtrembëro po për inat të tjetrit, vëlllait me vellain, shqiptarit me shqiptarin. Kësaj rruge përfunduan edhe ushtarakët a djemtë e kohës që pritën armatën e Benito Musolinit më 1939. Njëri hero e të tjerët armiq.
Tani vonë kanë ndryshuanr raportet kurse ne vazhdojmë të jemi gazi i botës.
Ato dështime, apo kapitullime aleatësh, sidomos në Abisini dhe Greqi, të fashistit Duçe, i mori përsipër sivëllau nazist. Siberia e madhe iu kthye një varr. Aq sa urrejtja mes popujve kaloi në një kafshëri njerëzore. Në drejtim të krimeve dhe shfarosjes. Ku nuk munguan edhe eksperimentet me qëniet e gjalla. Dhe ku padyshim edhe ne kishim riskun tonë në këtë kohë lufte. Edhe ne krijuam frontet. Që më pluset apo minuset, u përfshinë në ato grindje tekash prej bejlerësh dhe pashallarësh. Tipare që i shohim edhe sot. Njëra palë mendonte ashtu. Tjetra kështu. Në fund të gjithë flisnin për vendin e çliruar, për luftë pushtuesit etj. Në fund, gjysma dolën armiq, gjysma u harruan. Gjysma u skllavëruan. Gjysma e gjysmës u dënua me gjyqe publike. Madje po publikisht u demaskuan në sheshe kryesore. Ca si tradhtarë, ca si kuislingë, ca si bashkëpunëtorë të italianëve, gjermanëve, inglizit, Asfalisë, UDB, SIM-it, Inteligjent Servisit etj. Do përfundonte ndonjëri prej tyre deri në Veriun e Amerikës, në një qytet të vogël buzë Niagarës, në kufi me Kanadanë. Ndonjë tjetër edhe pse bir i rilindasve, dhënë gjithçka për kombin, prapë tradhëtar, kuisling a ku dreqin se çfarë. Ndjeshmëria kombëtare u bë aq elektrike sa pretenca armik i popullit mund të priste koka me bollëk dhe bindje kristiane. Dhe të gjithë ne shumica e bënim me mburrje. Tradhtia kombëtare u bë modë e ditës.
Megjithatë si me pushtuesin e parë, si me të dytin, shqiptarëve iu dha rasti të ndiheshin komb. Por jo: Një Shqipëri që sot tërbon me plot fashistë moderne. Po ashtu dhe nazistët me kostume pushtetarësh pluralistë. Gjitçka sundon, vetëm logjika e ftohtë jo. Gjithçka bërtet me mikrofon, një dukje e hapur e paaftësisë aq sa edhe një analfabet kulture bërtet në ekranet më potenciale duke thënë me krenari idoti se sot në Vlore, festojnë kosovarët dhe shqiptarët bashkë. Po jemi të gjithë shqiptarë more të mjerë. Nominimet kosovarë, lebër, myzeqarë, malsorë a fusharakë, a anë e malit... janë indekse krahinore, jo kombëtare. Sepse sot po dukemi sikur po festojmë federatizmin e krahinave të arnautëve, jo të shqiptarisë së gjorë.
Po këta jemi ne, perversë të inatit karshi njëri-tjetrit. Brohoritës të dështimit.
Në fillimet e qeverisjes, fitimtarët u thanë njerëzve që, me që Skëndërbeu ngriti flamurin më 28 nëntor, po kështu edhe Ismail Bej Vlora, edhe ne po i bëjmë dy gëzime në një ditë. Flamur e çlirim. Pastaj në një entuziazem pijesh dhe internocialistësh, miqësish me Beogradin, për nder të datëlindjes së Jugosllavisë, 29 nëntor 1943, e bënë dhe shqiptarët si aleatët. Megjithëse praktika e shteteve në vende të rajonit argumentohet ndryshe. Deri me datën e çlirimit të kryeqytetit. Por jo me togfjalëshin gjermani i fundit. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Nuk i hyn në punë pionerëve ndërtojmë e luftojmë për inat të njëri-tjetrit.
Rasti jonë është unik. Vetëm ne dimë ta bëjmë mizën buall. Për dyzet vjet nuk e diskutuam. Vendosëm dhe pikë. Në demokraci na u shpik kjo sëmundje. Gjermani i fundit. Dhe me që e kemi me gjermanin, këto data, 28 e 29 Nëntor sidomos tani që me këtë demokracinë “turkmene” po kërkojmë të futemi në Europë, janë një ironi e fatit tonë. Brenda dy tre ditëvë shqyhemi duke sharë një gjerman. Kemi mbushur rrjetet. Madje edhe nga Gjermania, nga birraritë a nga apartamentet a shtëpitë që na ka dhënë ai vend. U shqyem duke mallkuar Gjermaninë pushtuese. Dhe bash kësaj Gjermanie po i lutemi. Madje kësaj here një femre me emrin Angela Kasner Merkel. Një bashkëkombase me atë gjermanin e fundit në fushën e Shtojit.
Sapo erdhi nga lëpirjet e shtetarit radhor shqiptar, kryeminstri më i paftë i Ballkanit Perëndimor. Një pinjoll i atyre që pretendojnë se i panë shpinën gjermanit të fundit. U dha një darkë me shishe plastike. Nga ato të shumicës. Me Fanta, Cola e Sprite. Një grupi gjysmë gjumë dekoratash kallpe. Atyre që pak vite më parë i konsideronte si shkaktarë të një lufte vëllavrasëse. Duke kërcyer bythësh, i mburrej se si ia mori premtimet sundimtares së re. Atë që e kërkonin ''tradhtarët'' e kombit vite më parë. U dha darkë e i ngopi me demagogji gjysmagjumët. Të cilët në vend që t'ia derdhnin shishet e shumicës në kokë, dëndën veten me premtimet perverse të shtetarit të radhës. Ndofta mbase dhe u pëlqen të kështu. Të ndarë në një vend të ndarë. Në një vend plot heronj sa për aspirina e fenaskonë. Dhe plot me tradhtarë. Megjithëse nga ana e saj, Gjermania i njohu mëkatet, ia pagoi njerëzimit, ne asnjëherë nuk i njohëm e nuk i pranuam tonat. Edhe pse ndonjëri prej nesh ka vrarë me mendje të qetë deri në 60 vetë, shqiptarë, brenda një ore…
Kur ia thanë Angela Kasnerit, apo Angela Merkelit historinë e sherrit të shqiptarëve me gjermanin e fundit ajo qeshi dhe tha: Shqiptarët vdesin për gjënë e fundit. Më qëlloi të shihja edhe një lokal me emër të tillë, Restoranti “Dashnorja e fundit”.
©Ilir Levonja



















