Blog

Paternalizëm apo demokraci e rrejshme? - Nga Xhevdet Nasufi

Nëse paternalizmi ka dëmtuar më shumë një popull dhe komb në Europë, shqiptarët janë të parët. Nëse këtë e promovoi Enveri padrejtësisht dhe tmerrësisht, të themi në një gjeostrategji të ndërlikuar rajonale dhe ndërkombëtare, në kohë të rindërtimit të një rendi të ri botëror, është e pakuptimtë pse kjo vazhdoi edhe pas Enverit. Bile sot marëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë në nivelin më të ulët dhe në një shkallë konfliktualiteti të pakuptimtë çka realisht dhe seriozisht dëmton fuqinë e unitetit të kombit, aq të domosdoshëm para përballjes përfundimtare me Serbinë.

Po në këtë rrafsh nuk do të egzagjerojmë një paradoks që flitet e përflitet ndër ne: Pse në Kosovë pa kundërshtim konsiderohet tradhëti kombëtare, nëse nëpërkëmben politikat dhe politikanët në Shqipëri, kurse nëse nëpërkëmben politika dhe politikanët e Kosovës në Shqipëri, përjetimet janë nga më të ndryshmet, prej kundërshtimeve gjer në miratim e që në fakt ushqehen fuqishëm nga vetë politika?!

Si po manifestohet ky paternalizëm sot?

Referuar plotësimit të elementeve që determinojnë shpalljen e një shteti të mëvetësishëm (territorin e vet, popullsinë e përhershme, pushtetin që ushtrohet realisht, aftësinë e krijimit të marëdhënieve me shtetet të tjera) edhe Kosova shpalli shtetin e pavarur që u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe pastaj pasuan njohjet relevante ndërkombëtare. Përtej kësaj, Vuçiçi ushtron pushtetin real në Veriun e Mitrovicës me tendencën e fortë për krijimin e hapësirave ekstraterritoriale brenda shtetit të Kosovës dhe ndërtimin e mini-shtetit sërb në të.

Edhe pas pretendimeve të këtilla serbe, politikanët shqiptarë kanë përkrahur idenë e kahmotshme të serbomëdhenjëve, “Unionin Ballkanik”, tani i emërtuar “Mini-Shengeni Ballkanik”, por që faktikisht trashëgoi idenë edhe më shkatërruese, ate të shkëmbimit të territorëve. Në sensin më logjik këto përçartje politike janë në kundërshtim me aktin e pavarësisë dhe të njohjeve ndërkombëtare. Kjo, jo për arsye getoizimi dhe antiglobalizmi, por për shkak të momentit dhe nivelit të marëdhënieve Kosovë-Sërbi, pse jo edhe shqiptaro-serbe.

Së pari, referuar zhvillimeve politike serbe në vitet e fundit, ato i karakterizon niveli arkaik i hegjemonizmit serb i bazuar në pronësi të mitizuar mbi Kosovën. Për këtë kujtoni vetëm amanetin e patriarkut Irinej me rastin e ndërrimit të jetës, por edhe kushtetuten aktuale serbe. Siç edhe dihet në këtë filozofi mbështetet e tërë politika sërbe që aspak nuk dallon në përmbajtje dhe strukturë prej kohës së Milosheviçit e këndej.

Së dyti, e tërë politika shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë edhe ate në Maqedonin e Veriut (edhe “vëllai” i vogël mund të pasurojë buxhetin politik të familjes), për dallim nga koha e luftës u “habit” pas abuzimeve, komoditetit të paqes që dëmtuan mirëzhvillimin e institucioneve si instrumente tejet të rëndësishme për t’u avancuar pozita social-ekonomike e kombit dhe pozita ndërkombëtare e tij. Kjo, në veçanti po reflektohet në marëdhëniet me Sërbinë sipas parimit të mirënjohur, se çdo problem që nuk mirëzgjidhet në kohën dhe mënyren e duhur, realisht ndikohet nga ndryshime që edhe anakronizohen karshi të kaluarës dhe ndryshohen karshi gjeostrategjisë.

Ky reflektim kohor më se miri karakterizon Ballkanin, historikisht të ngërthyer në konflikte për shkak të nacional-shovinizmit ekstrem që është dhe dominohet nga sërbët. Mungesa e sensit kombëtar nacionalist te politikbërja shqiptare, në veçanti te ajo në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, po i vështirëson marëdhëniet edhe me Sërbinë, ashtu sikurse edhe në Maqedoninë e Veriut, por nuk e ndihmon as Kosovën sot.

Kozmopolitizmi i Edi Ramës, nëpërmjet ideve, siç është edhe “Mini-Shengeni Ballkanik”, apo sofra e miqësisë me Vuçiçin, sa është veprim i nxituar, aq është edhe pamundësi reale për të mbyllur konfliktin dhe urrejtjen shekullore të serbëve ndaj shqiptarëve. Mjerisht raportet e Ramës me politikën serbe nuk e kanë ate origjinalitetin sikurse e kanë shqiptarët që kanë vuajtur nga sllavët. Andaj, “Mini-Shengeni” për Kosovën dhe Shqipërinë është i nxituar. Kjo sepse paraprakisht duhen zgjidhur çështjet e hapura Kosovë-Serbi. Nxitimi i Shqipërisë në këtë kahje, duam apo nuk duam, e vështirëson pozitën negociuese të Kosovës, kurse e shpejton proçesin e Sërbisë drejt BE.

Rama nuk duhet në asnjë moment të aludojë, apo edhe të lakmojë raportin Vuçiç- Srpska Republika. Gjersa Srpska Republika është krijesë serbe e padrejtë mbi shtetin dhe teritorin e Bosnjes, Kosova është entitet shtetëror i pranuar ndërkombëtarisht dhe i ngritur në teritorin e vet të njohur dhe marketuar edhe nga ish-ngrehina e quajtur Jugosllavia Federative, pjesë e të cilës ishte edhe Kosova.

©Xhevdet Nasufi