Blog

Lasgushi dhe mospërputhje të emisionit “Për’puthen” - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

E pabesueshme, ekzaltohej dje gazetarja, është mesditë, kulmi i vapës dhe kaq shumë kanë dalë t’i presin. Ata që priteshin si ujët e ftohët në vapë ishin konkurentët e emisionit “Për’puthen’. Ata që i prisnin, të zhuritur nga kurioziteti dhe admirimi, ishin dhjetra të rinj pogradecarë.

E pabesueshme, mendova dhe unë, natyrisht pa ekzaltim dhe me një farë ironie. Të bëhesh i famshëm dhe i adhuruar nga turma vetëm se ke dalë në tv, s’ka logjikë që e shpjegon. Gjithsesi s’është ndonjë çudi, shtova, ndërsa po sillja në mend personazhin grotesk të Roberto Benigni-t tek filmi “Romës, me dashuri”.

Mbase jam me të vjetrën, por vetë emisioni “Për’puthen” më ngjan pesë me hiç. Ca të rinj që kërkojnë të dashurin/të dashurën para kamerave e faqe miletit. Në të gjitha kohët dashuria ka qenë, e mbase mbetet edhe tani, një ndjenjë delikate, që kërkon intimitet e privaci, madje edhe një lloj fshehtësie.

“Një dashuri plot fshehtësi/M’e fshehur sesa fshehtësija” këndonte Lasgushi, stërgjyshi i këtyre pogradecarëve që kanë dalë e presin idhujt e tyre në pisk të vapës.

Shijet e Lasgushit për dashurinë dhe të bukurën mbase sot kanë dalë mode. Qofsha i gabuar, por më ngjan se ka dalë mode prej kohësh sidomos qasja e tij: punoi ngultas e në heshtje dhe na la një grusht perlash për dje, sot e mot.

©Çapajev Gjokutaj