Blog

Minishengeni ballkanik, tradhëti ndaj shqiptarisë - Nga Prend Tanushi

Ne si popull më duket se kemi kujtesë të shkurtër dhe i harrojmë shpesh vuajtjet që na kanë sjellë pushtuesit, tradhëtarët, persekutorët e diktatorët në të shkuarën apo politikanët e papërgjegjshëm e të korruptuar të këtyre viteve.  

Po flitet shumë kohët e fundit për Minishengenin ballkanik apo Open Balkan, lëvizje e nxitur nga Shoqeria e hapur sorosiane. Në fakt, serbët të paktën në këto 100 vitet e fundit kanë tentuar të përdorin të njëjtën formulë kundër racës sone, për të na asimiluar e për të na çkombëtarizuar. Ata kanë po të njëjtin projekt të cilin e nxjerrin mbi tavolinë sa herë iu jepet mundësia për ta zbatuar dhe duke e përshtatur me situatën e rastit.

Kujtoj që në vitin 1946 u bë një marrëveshje e dokumentuar mes dy qeverive komuniste, asaj shqiptare dhe jugosllave, në lidhje me bashkimin ekonomik, bashkimin doganor, heqjen e tarifave doganore për produktet që do qarkullonin mes dy vendeve, barazimin e monedhës dhe krijimin e shoqërive të përbashkëta për shfytëzimin e minierave, naftës, hekurudhave dhe bregdetit shqiptar. Kjo marrëveshje zgjati vetëm 2 vjet, deri në 1948 dhe po mos të prishej Bashkimi Sovjetik me Jugosllavinë e atëhershme, ne do të përfundonim në një republikë të shtatë jugosllave.

Po cila ishte eksperienca e zbatimin dy vjeçar të kësaj marëveshje famëkeqe komuniste?

Monedha jonë u çvleftësua 12 herë dhe inflacioni u rrit në mënyre të paparë ndonjëherë. Për rrjedhojë të gjitha produktet shqiptare të tregut dhe shërbimet, u blenë menjëherë nga shoqëritë jugosllave që përfituan nga dobësimi i Lekut. Pra u boshatis tregu me gjithçka.

Në marrëveshje përcaktohej gjithashtu që të gjitha komisionet e përbashkëta të krijuara në Shqipëri të kishin një përfaqësues jugosllav, pra jugosllavët do të kishin kontrollin e plotë mbi ne.

Kësisoj, në rrafshin politik u vu në rrezik sovraniteti i vendit ose më mirë të themi thuajse humbi fare pavarësia gjatë dy viteve. Asnjë nga zyrtarët komunistë të atëhershëm nuk guxonte ta përmendte Kosovën, ndërsa vetë Enver Hoxha, në një fjalim të Dhjetorit 1946 do shprehej «ne kosovarët i kemi miq shumë të mirë, por ata duhet të vëllazërohen me jugosllavët». Pra sipas tij, kosovarët i kishim miq dhe jo vëllezër të një gjaku.

Ky fakt i dokumentuar që na ka ndodhur më parë dhe që ndoshta e kishim harruar për shkak të kujtesës sonë të shkurtër, nxit analizën e ngjarjeve politike rajonale të viteve të fundit, duke filluar nga Konferenca e Nishit në 2016 e deri te ajo e ditëve të fundit në Ohër dhe që ka gjasa të pasohet me atë të Durrësit.

Ja cilat janë pikat kryesore të Marrëveshjes së Minishengenit ose shoqerisë së hapur ballkanike : lëvizja e lirë e njerëzve, e kapitaleve, e sherbimeve, dhe e mallrave

Pasojat në rrafshin ekonomik do të jenë katastrofike, sepse lëvizja e lirë e mallrave dhe kapitaleve do të bëjë që ekonomia jonë me 15.28 bilion USD prodhim të brendshëm bruto në vit (2019) do gëlltitet plotësisht   nga ekonomia e fuqishme serbe që e ka prodhimin e brendshëm bruto 51.48 bilion USD në vit (2019). Pra në këtë kontekst ne do të jemi inferiorë ekonomikisht, meqë nuk prodhojmë pothuajse asgjë dhe mund të kemi pasoja të ngjashme me ato të marrëveshjes së vitit 1946, kur për dy vite shqiptarët u përballuan deri edhe me zinë e urisë.

Në rrafshin politik rrezikojmë sërish pavarësinë politike dhe identitetin tonë kombëtar, sepse sipas logjikës së kësaj marrëveshje ne jemi në kufi me Serbine dhe jo me Kosovën, e i bie që Kosova të konsiderohet sërish provincë serbe.

A nuk është kjo tradhëtia më e madhe që i bëhet shqiptarisë?

Në kontekstin e kësaj që po ndodh, në kushtet e një shoqërie si e jona me demokraci jofunksionale, është emergjent ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe nxitja e një proteste masive popullore nën drejtimin e intelektualëve të pavarur dhe asaj pjese të shoqërise civile që nuk kontrollohet nga politika e korruptuar e «Rilindjes» që mbështet krijimin e Jugosllavisë së re me në krye brate Aleksandër Vuçiçin.

Është më se e qartë që politikanët e korruptuar të demokracive të brishta dhe jofunksionale nuk dëgjojnë me veshë, por me sy. Pra nëse nuk protestojmë fuqimisht, fjalët dhe analizat depresive apo shprehja e zemërimit dhe pakënaqësisë vetëm në rrjetet sociale nuk i rrëzon ata nga froni.

©Prend Tanushi

Montréal, 2 Gusht 2021