Blog

Ja përse sot do të doja të isha refugjat afgan - Nga Dr. Ilir Allkja

Kur dëgjova kryetarin e Bashkisë së Tiranës për benefitet që do t'iu ofroheshin refugjatëve afganë u ndjeva fatkeq, pasi jam një mjek shqiptar i hedhur në rrugë nga qeveria jo për arsye që lidhen me profesionin apo punën, por vetëm sepse pas orarit zyrtar të punës shkoja të protestoja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar nga talebanët e Tiranës.

Kur dëgjova nga kryeminstri i vendit se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, (por jo e vetë shqiptarit), dhe të lartësonte në kupë të qiellit "zemërgjërësinë" e qeverisë së Shqipërisë ndaj refugjatëve afganë, (të cilët vërtetë janë në nevojë), të fliste për mundësitë që do t'iu jepeshin intelektualëve afganë, për t’u integruar në jetën social-ekonomike, nuk mund të mos ndjehesha fatkeq që jam shqiptar pa asnjë mbështetje në vendin tim.

Unë u flaka në rrugë me urdhër të kryeminstrit Rama vetëm sepse guxova të kritikoj mangësitë e qeverisë shqiptare në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe sepse kërkova të shpëtoheshin më shumë jetë njerëzore.

Kur më vjen në mendje histeria e vjellë kundër meje që nga kryeminstri i vendit, drejtori i QSUT, drejtori i Urgjencës Kombëtare e deri tek militanti më i fundit i bodrumit mavi, sot do të ndjehesha me fat nëqoftëse do të isha refugjat afgan, në vendin tim.

Fati i më shumë se 600,000 shqiptarëve që ikën nga vendi i tyre prej vitit 2014 e këtej, i atyre shqiptarëve që ikën pasi në gjithë vitet e regjimit të “Rilindjes” u lanë pa punë e pa asnjë mundësi për të jetuar me dinjitet, më bën të mallkoj veten që sot unë nuk jam refugjat afgan, në vendin tim.

Nëqoftëse do të isha refugjat afgan në vendin tim, sot qeveria shqiptare do të më jepte strehë, punë dhe dinjitet, por unë jam një shqiptar i lirë që guxova të flas publikisht për të vërtetat, për pasojë sot jam pa punë, pa mbështetje ndërsa banka mund të më marrë shtëpinë nga dita në ditë.

©Ilir Allkja