Blog

Më thuaj si u krijove, të të them se si do të sillesh - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Paralelet historike, ndonëse nuk përsëritin në mënyrë identik ngjarje që ndodhin në vende dhe kohë të ndryshme, gjithsesi na ndihmojnë të kuptojmë më thellë rrjedhën e tyre. Janë, si të thuash, ekuivalenti i "matricës" në fenomenet natyrore. Shpesh paralelet mund të "hiqen" edhe në jetet individuale të njerezve. Kujtoni këtu "Jetë paralele" të Plutarkut.

Po të shohim me vemendje mënyrën e krijimit dhe trajektoren e ndjekur më pas të shtetit shqiptar të 1913-ës dhe atë të Kosovës të 1999-ës, përngjasimi është thuajse i plotë:

- Ndonëse shqiptarët e shpallën mëvetësinë e tyre në Vlorë më 28 Nëntor 1912 askush nuk e njohu qeverinë e përkohëshme të Ismail Qemalit. U desh Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 29 Korrik 1913, që u imponoi fqinjëve tanë, fitimtarë të Luftës Ballkanike, ekzistencën e një shteti të ri, me kufij të caktuar prej saj, e cila krijoi KNK (Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit) për të hartuar Kushtetutën e shtetit të ri, formën e qeverimit dhe modalitetet për ta vënë atë në jetë, shoqëruar edhe me një paketë buxhetore financiare.

- Ashtu si Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, edhe Kosova ishte Krahinë autonome e Federatës shumë-etnike Jugosllave. Edhe ajo, në 2 Korrik 1990, në Kaçanik, shpalli mëvetësinë e saj, por askush nuk e njohu atë. Do të duhej të vinte ndërhyrja ushtarake e NATO-s mbi Serbi, në Qershor 1999, që t’i impononte asaj njohjen e OKB-së si administratore e territorit të Kosovës. Mandej u ngarkua UNMIK-u dhe KFOR-i për ta qeverisur krahinën, natyrisht në bashkëpunim me vendasit. Sipas planit Ahtisari, u hartua një Kushtetutë e re sipas të cilës Kosova bëhej shtet i qytetarëve të saj (gjashtë kombësive), me 20 vende të rezervuara për minoritetet në Parlamentin me 120 vende. Kjo ishte ekuivalentia e laicitetit të shtetit shqiptar të 1913-ës, ku të tre komunitet fetare respektonin kushtetutën e vendit dhe nuk përziheshin në politikë (kusht i stabilitetit).

- Shteti shqiptar e fitoi sovranitetin e tij të plotë (de jure) vetëm në Janar 1920, me Kongresin e Lushnjës, i cili hartoi Kushtetutën e re, përcaktoi formën e regjimit dhe mënyrën e funksionimit të tij. Këtë shtet sovran e njohën, njëri pas tjetrit, shtetet fqinjë dhe Fuqitë e Mëdha të kohës, si dhe e pranuan në Lidhjen e Kombeve (1921) si shtet i pavarur me të drejta të plota.

- Kosova ende nuk e ka bërë “Kongresin e saj të Lushnjës”. Do të jetë shtet më vete? (deri tani keshtu duket por zor se mund të pranohen 2 shtete shqiptare në Ballkan, edhe prej fqinjëve të saj). Do të ndahet midis shqiptarëve e serbëve dhe pjesët respektive do t’i bashkohen Shqipërisë dhe Serbisë? (nje projekt i tille u ideua por u frenua). Apo statukuo-ja do të vazhdojë gjatë dhe shqiptarët, e këtej e andej kufirit, do të përpëliten midis anarkisë, kriminalitetit dhe korrupsionit qeveritar? - këtë do ta thotë e ardhmja.

Sot realiteti do të ishte tjetër nëse shteti do të krijohej ndryshe…

©Klodi Stralla