Blog

Ku je ti tmerr i mbretërive, o këngëtare e lirisë! - Nga Ilir Gjini

Nga kujtimet e paharuara të atyre ditë-netëve të Dhjetorit 90-të, kur regjimi i fundit komunist i Europës përpëlitej në agoninë e tollonave, më kanë mbetur të pashlyera në memorie dy detaje. Në mbrëmjen e 6 Dhjetorit kur një turmë e madhe studentësh konviktorë po vërshonte nga dy rrugicat e ngushta të Qytetit Studenti për të dalë te Rruga e Elbasanit dhe parrullave “duam drita”, “duam kushte” po iu bashkangjiteshin edhe disa të tjera të “rrezikshme”, ndërkohë sampistët që kishin tejmbushur kamionët IFA, u lëshuan me egërsi mbi studentët.

Turma u ça dhe shumë studentë u rrëzuan përtokë. Nga egërsia e shqelmave dhe e shkopinjve të sampistëve, gjithsekush përpiqej të shpëtonte duke lënë në rrugë e trotuaret e ngushta, kush një këpucë e kush dy.

Një familje tiranase e katit të parë të një pallati, na bujti për t’u shpëtuar shkopinjve të sampistëve. Bashkë me mua në familjen tiranase u strehua edhe një studente e “filoqylit” (kështu i quanim atëherë studentët e Fakultetit Filologjik), që studionte për anglisht. Vajza kur u përmënd disi pas kafes që na serviri i zoti i shtëpisë, vërejti se ishte vetëm me një këpucë. Tjetra i kish mbetur në rrugë.

Një palë këpucë në atë kohë kushtonin rreth 2000 lekë, që ishte gjysma e pagës mujore. I zoti i shtëpisë, pasi në rrugicat përreth ra qetësia, doli të kërkonte këpucën. Jo një, po plot një thes me këpucë të mbledhura solli. Por asnjëra nuk ishte e vajzës, megjithëse ngjyra dhe modeli përafronin me origjinalin.

Nuk ke ç’bën - i thashë. Tani do të duhet të lidhësh pak këmbën, që të shkosh në fakultet me një këpucë dhe me një shapkë për këmbën e “dhëmbur”. Zor se gjeje ne atë kohë një student që kishte dy palë këpucë.

Detaji i dytë ishte pak ditë më vonë. Ishim të mbledhur jashtë mencës 9 të Qytetit Studenti. Mësimin e kishim braktisur dhe po prisnim reagimin e Ramiz Alisë pas peticionit që i kishim nisur për dhunën policore.

Në shkallët e jashtme të mencës që shërbenin si podium për këdo që merrte fjalën, u ngjit një student i Arteve. Në vend të fjalimit ai recitoi disa vargje të Pushkinit:

Ti hiqmu për një çast prej syve

O muz e zbehtë e dashurisë,

Ku je ti tmerr i mbretërive

O këngëtare e lirisë!

Turma e priti me shumë ovacione. Sot, 31 vite pas shëmbjes së komunizmit me keqardhje vërej se vërtet komunizmi vdiq, por kufoma e tij po kalbëzohet mes nesh duke na kontaminuar si një virus Covidi.

Vazhdon lufta e klasave por me një formë tjetër, më “fine”. Nuk të internojnë për pikpamje politike, po të heqin nga puna. Pra të heqin kafshatën e gojës. Pa tesër partie nuk punësohesh dot në shtet. Dikur kishim fuksat e Sigurimit dhe AGBV-të që kontrollonin mendimet tona. Sot kemi patronazhistët që na “orientojnë” votën.

Dikur udhëheqësi ynë i “lavdishëm” mashtronte opinionin publik duke propaganduar ndihmat e solidaritetit që vinin nga Jugosllavia, BS e më vonë Kina. Ndërsa për ndihmën mjaft të konsiderueshme në armatim, veshmbathje e pare që aleatët anglo-amerikanë na dhanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Enveri thoshte se na hidhnin dy këpucë të djathta që këmbën e majtë ta kishim të zbathur?! “Na hidhnin automatik sharëz po jo fishekë”?! Në fakt Enveri nga koka në këmbë ishte i mbathur nga ndihmat e aleatëve.

Po sot, a po na hedhin aleatët amerikanë vetëm këpucë të majta? Këpucë që i bëjnë për mrekulli të Majtës në pushtet, ndërsa të Djathës as që i hyjnë fare në këmbë! Reforma në Drejtësi, zgjedhjet e 25 Prillit të njohura me urgjencë dhe buzëqeshjet e ambasadores së kudondodhur edhe kur prishet Teatri, a janë “ndihma në këpucë vetëm të majta”?

©Ilir Gjini