Blog

Problemi i vërtetë i PD - Nga Dashnor Kokonozi

Shpresoj se nuk jam i vetmi që vëren se brenda PD-së nuk po identifikohet problemi i saj i vërtetë. Gjithçka vërteton dyshimet se ajo asnjëherë nuk ka pasur vullnetin e duhur për një gjë të tillë, se asaj i është besuar më shumë se sa i mbanin shpatullat. Figurativisht ajo gjithnjë më është dukur me atë ketrin që aty mbi trenin ku ka rënë, krenohet se është ai që e bën urën të dridhet.

Ky tren është masa e madhe e njerëzve që donin të linin pas trashëgiminë komuniste.

Por edhe pse PD-ja lindi për të rrezuar komunizmin, ajo nuk e rrëzoi dot. Shqiptarêt mbeten gjithnjë mosbesues ndaj saj. Qeverinë e fundit komuniste e rrëzoi Greva e përgjithshme e Majit e Sindikatës së Pavarur. Më tej me qeveri stabiliteti a teknike, ishte më e thjeshtë.

Edhe pse ajo mbetet një investim i madh kombëtar, edhe pse i ishin larguar ca figura qe i nxinin reputacionin (që ende i rrinë përqark si hiena), problematika u vështirësua me shpalljen “non grata” të z. Sali Berisha.

Po a është Berisha i korruptuar? Këtë vetëm ai e di. Por edhe ndonjë gazetë që ka qenë shumë afër tij. Kam parasysh se z. Mero Baze shkruante se megjithëse “Tema” ishte gazeta e vetmja që e përkrahu në ditët e tij më të zeza, Berisha kur u kthye në pushtet kurrë nuk i krijoi mundësinë të merrte ndonjë fond që të fuqizonte sadopak gazetën që ishte në pikë të hallit. Po më parë?

Di që një herë, në fillim të viteve ’90, tek kthehesha nga Amerika, rasti e solli të isha ulur pranë z. Ekrem Bardha, i cili më tregoi se i entuziazmuar që me lindjen e PD-së i qe berë e mundur ardhja në atdhe, kishte shkuar në zyrën e Berishës dhe i kishte lënë në tavolinë një çantë me kartëmonedha. Berisha e kishte falënderuar dhe i kishte thënë se vërtet PD-ja kishte nevojë për fonde. Janë për ty, i kishte thënë z. Bardha dhe jo për PD-në. Po qenë për mua, i ishte përgjigjur Berisha, merre këtë çantë me vete. Di që z. Bardha gëzon shëndet të plotë dhe unë kam nderin të jem mik i tiji në Facebook.

Megjithtë Amerika e di se çbën! Do të qe gabim i madh të humbej kohë me një diskutim të tillë.

Është rasti të thuhet, se nën ndikimin e fuqishëm të një lloj koncepsioni tribal, ne kemi për tendencë të bëjmë të njëjtën gjë që bënin edhe paraardhësit tanë që sapo kishin zbritur nga pemët: ti trajtojmë si totem ata që kemi në krye e të përpunojmë “doktrina” morale vetëvrasëse që e lidhin jetën e klanit me ekzistencën e totemit.

Problemi është se kemi gabuar fushën. Jemi në politikë dhe politika nuk është punë “bese” shqiptari (nëse ka ekzistuar ndonjëherë).

Në politike e vetmja pikë orientuese, është interesi i vendit.  Në këtë kuptim, çdo individ është i “tradhëtueshëm” kur veprimtaria e tij nuk përputhet me synimin e caktuar.

Ardhja e Berishës në krye të partisë nuk zgjidh asnjë problem të vendit, as të atij vetë.  Berisha mund të ndihmohet vetëm nëse vjen PD-ja në pushtet pa të, si një parti, që është cilësuar si partnere e besueshme e Amerikës. Në një kohë të caktuar eventualisht, ajo mund të ngrejë problemin e tij. 

Berisha, në të gjitha format e ekzistencës së tij, nuk ka asnje komunikim me Amerikën, pa harruar, se metoda e ardhjes në pushtet duke prekur instinktet dhe jo arsyen nuk funksionon sot.

Është e qartë se me z. Lulzim Basha PD-ja kurrë nuk do të marrë pushtetin. Por duke qëndruar brenda linjave të legalitetit, është më fort i mundshëm një rimobilizim e një zgjedhje e vullneteve më të mira të atij vendi, për të mos e lënë PD-në të shkojë në morg. 

Se duhet thënë qartë: sot problemi i vërtetë i PD-së nuk është ardhja apo jo në pushtet, por ekzistenca ose mos ekzistenca e saj!

Vendi ka nevojë për opozitë!

©Dashnor Kokonozi