Blog

“Rrethimi” i tretë i Shkodrës - Nga Ilir Gjini

Shkodra, kryeqendra e Veriut të Shqipërisë, ishte kështjella e fundit që i rezistoi pushtimit osman edhe 10 vite pas vdekjes së Skënderbeut. Kaq e fortë qe rezistenca, sa edhe kur osmanët mundën të çanin me forcën e topave e gjyleve të hekurta njërën nga portat e kalasë, mbrojtësit ndërtuan pengesa e ledhe dhe mundën t’i prapsin sulmuesit.

Çuditërisht edhe sot pas 500 e ca vitesh, Shkodra është “kalaja” e vetme që po i reziston “ofensivës” ramiste për ta futur gjithë vendin nën pushtetin e një partie, apo realisht nën pushtetin e një njeriu të vetëm. Taboret e sulltanit të sotëm janë rreshtuar para portave të qytetit.

Kajmekamët e sulltanatit “Ram-hman i Tretë” po “kërcënojnë” mbrojtësit me topat (topet) e tyre të hekurta. Nga forca e topave e boleve të tyre të çelnikta po jep shënja dorëzimi edhe kalaja e FSHF-së, megjithëse specialiteti i saj është përdorimi mjeshtëror i topit model 56 - “futboll”!

Kaq të forta janë topat (topet) e tyre, sa edhe vetë ambasadorët e Fuqive të Mëdha, i kanë këshilluar mbrojtësit e Lulzim Hamza Opozitës ta dorëzojnë qytetin, se para topeve të tyre kaq të hekurta edhe vetë Fuqitë e Mëdha do dorëzoheshin pa kushte. Me dekret ambasadorial të Republikës së Venedikut (US-aid) edhe gjenerali më i suksesshëm i mbrojtësve të qytetit Sali Pashë Berishë Vrana Konti i Tretë, u shpall “haram”!

Aferim i qoftë Fuqive të Mëdha. Pa ndihmën e tyre nuk do bënim dot reformën e “shkëlqyer” në drejtësi. Sofrën madhështore të pajtimit pozitë-opozitë të 5 Qershorit. Epo nuk qe faji i tyre që pas kësaj marrëveshje “hyjnore”, sulltanati dërgoi “qorrfermanin” e egzekutimit. Në vend të boleve të hekurta, kësaj radhe u përdor një taktikë e re luftimi:  karremi i pushtetit. Është një karrem që peshku i pafajshëm Gjuzi (gjuca) e gëlltit si ushqim, pa e “ditur” që do përfundojë si konserv te Luca që shtron drekat e pushtetit.

Po le të kthehemi te Shkodra, që siç u shpreh edhe vetë kajmekami më i rëndësishëm i sulltanatit Veli Pashë Erion - Bolehekuri, është ishulli i vetëm i papushtuar. Titullin e lartë Pasha - Bolehekuri, Veliu e fitoi me trimëri të pashoqe në pushtimin e kryeqendrës së vendit Krujës. Në mungesë të municionit luftarak, Veliu përdori bolet e tij të hekurta dhe çau portat mbrojtëse. Me strategjinë luftarake të boleve e topave të hekurt, sipas Veli Pashës edhe qyteti i Shkodrës do dorëzohet. Po çfarë mendojnë mbrojtësit?

Deri tani kemi dy formacione të tyre: Bardh Spahinë si përfaqësues i Sali Pashës që është shpallur “haram” nga Venediku, (por që për demokratët do jetë gjithmonë “hallall”) dhe Xhemal Bushatin, përfaqësuesin e Lulzim Hamza Pashës, që ka zgjedhur Xhemalin duke qenë edhe edhe vetë “kunati i shokut Xhemal”.

Kjo betejë mes pushtetit dhe opozitës, veç të tjerash do na tregojë se kush është opozita reale e shqiptarëve. Shkodra do na tregojë se kush do jetë forca e vërtetë opozitare përballë regjimit.

Dikur, babai i Bardh Spahisë, doktor Ali Spahia, shpëtoi në Dukagjin një pacient që i kishte plasur apandesiti, pa sallë operacioni. Pacienti rrezikonte të vdiste, por doktor Ali Spahia e operoi të sëmurin me “biçak” në vend të bisturisë dhe e shpëtoi nga kthetrat e vdekjes. Ish i dënuar politik i burgosur në burgjet e diktarurës Ali Spahia, realizoi në një qender të humbur shëndetësore, operacionin më të çuditshëm kirurgjikal, duke dalë me sukses.

A do të mundet sot i biri i Ali Spahisë (që sërish ështe mjek), të shpëtojë të vetmin oaz të papushtuar demokracie në vend?

©Ilir Gjini