Antiamerikanizmi kanadez dhe proamerikanizmi shqiptar - Nga Rob Kore
Kanadaja dhe SHBA janë ndoshta dy nga vendet më të ngjashëm në botë. Banorët e të dy vendeve flasin të njëjtën gjuhë, hanë të njëjtët ushqime, kanë të njëjtën shije në argëtim, punojnë në të njëjtat kompani, festojnë shumicën e të njëjtave festa dhe kane të njëjtët zakone të jetës së përditshme.
Po të hedhesh me parashute dike nga Europa, një herë në Amerikë dhe pastaj në Kanada, ai nuk do ta ndjejë ndryshimin (përjashto ndofta provincën frankofone, Québec). Do thotë jam në të njëjtin vend.
Por është gjithashtu e vërtetë, se për Kanadane Amerika është shteti kryesor në marrëdhëniet politike, ekonomike, shoqërore, shkencore, kulturore e artistike. Për mendimin tim, Kanadaja nuk do ishte kjo që është, pra një vend i G7, nëse nuk do ishte Amerika fqinji ynë. Pra është fat që e kemi elefantin afër.
Kanadaja është shteti që aplikon i pari, të gjitha të rejat e shkencës dhe teknologjisë që dalin nga Amerika. Në të gjithë sektorët e ekonomisë kanadeze, me të dalë diçka e re në Amerikë, një teknologji e re, apo edhe një software i ri, i cili zbatohet në një industri të caktuar dhe që mund të çojë në një stad me të lartë teknologjinë e asaj industrie, menjëherë kompanitë kanadeze organizojnë webinar-e on-line me specialistët amerikane që njohin softëare-in e ri. Personeli i kompanive kanadeze është i pari që trajnohet, në krahasim me vendet e tjera.
Ka një arsye edhe kjo. Sepse edhe Kanadaja është shumë e rëndësishme për Ameriken, në të gjitha fushat. Në këtë kuptim them se Kanadaja përfiton më shpejt se pjesa tjetër e Perëndimit në teknologji. Sipas statistikave të dhëna në tabelën më poshtë, shkëmbimet tregtare të Kanadase me Amerikën zënë 75% të shkëmbimeve, krahasuar me 5 partnerët e tjerë kryesorë të Kanadasë. Kjo është një shifër tepër e lartë.

Nëqoftëse do ta shohim nga një këndvështrim i caktuar, mund të thuhet se Kanadaja është shumë e varur në çdo aspekt nga Amerika. Për ballkanasit duket sikur, aha, po u mërzit elefanti me ju, do ju shtypë me putra. E megjithatë e dini çfarë ndodh?
Kanadaja është një vend që njihet për antiamerikanizëm. Bile në fushatat elektorale një kandidat për kryeministër mund të akuzohet për proamerikan dhe kjo mund të ndikojë në rezultat.
Stephen Harper, një nga kryeministrat më të sukseshem kanadezë, është akuzuar vazhdimisht si proamerikan. Kjo mund të duket si politike, por antiamerikanizmi ekziston dhe është shumë i ndjeshëm edhe tek kanadezët e thjeshtë. Edhe sondazhet e ndryshme që organizohen, flasin për shume antiamerikanizëm.
Duke lexuar këto rreshta, duket sikur ka një paradoks logjik. Një vend që përfiton kaq shumë nga Amerika, si mund të jetë antiamerikan? Kanadaja duhet të ishte 96% proamerikane. Mirëpo nuk është Kanadaja 96% proamerikane, por është Ballkani, është Shqipëria. Po pse Ballkani dhe Shqipëria kanë kaq shifra të larta dhe jo Kanadaja?
Ka një arsye kryesore. Kanadezët nuk kanë mentalitetin e skllavit, ashtu sikunder Ballkani. Ata janë krenarë për vendin e tyre dhe nuk lejojnë asnjë amerikan, kushdo qoftë ai, t’i nëpërkëmbë. Ambasadorin amerikan as e kanë njohur ndonjëherë dhe as duan ta dinë se kush është. Zero interes për të. Gjithashtu nuk e dinë dhe as duan ta dinë nëse ndonjë politikan i tyre u takua me ambasadorin amerikan. Zero interes gjithashtu për këto takime. Madje siç e thashë më sipër, politikani mund të humbasë pikë nga një takim i tillë.
Arsyeja e dytë, ndoshta më e rëndësishme, është keqkuptimi që krijohet me termin antiamerikan. Kanadezët nuk janë antiamerikanë, pra me fjalë të tjera nuk kanë asnjë problem as me Amerikën as me amerikanët. Kane problem me amerikanizmin, që do të thotë ata kanë problem me politikën amerikane. Antiamerikanizmi kanadez ekziston për shkak të perceptimit se SHBA sillet si polici i botës.
Po në Shqiperi çfare ndodh? Bashistët kanë marrë flamurin e proamerikanizmit dhe nuk të lejojnë të bësh kritikën më të vogel ndaj politikave amerikane. Po përhapin propagandën se do ngelemi pa bukë, sepse do na izolojë Amerika. E bëjnë me kaq zell këtë duke sulmuar gjysmën tjetër të tyren aq harbutërisht, sa që lënë të kuptohet që është krim të kritikosh një politikë të caktuar amerikane, apo të kritikosh një ambasador, apo qoftë edhe një institucion amerikan. Por nga ana tjeter vihet re edhe nje lloj antiamerikanizmi i vertete. Pra nga njëra anë, Bashistët flasin për 100% amerikanizëm absolut, pa asnjë objeksion dhe nga ana tjetër një pjesë tjetër flasin për 100% antiamerikanizëm. Kush ka të drejtë?
Asnjëri krah, as tjetri dhe sidomos nuk duhet përkrahur parimi qesharak të përkrahesh një anë për inat të sime vjehrre. Duhet përkrahur vetëm e vërteta dhe interesat kombëtare. Dhe për ta bërë këtë duhet analizuar rast pas rasti qëndrimi amerikan ndaj të vërtetës dhe ndaj Shqipërisë.
Ja sepse. Amerika është lokomotiva e zhvillimit botëror në të gjithë aspektet, por nuk është perfekte. Ka shumë probleme dhe shpesh herë funksionon me dy standarde.
Historikisht Amerika, ka bëre shumë punë pozitive për botën dhe në rastin që na intereson ne, edhe për Shqipërinë. Mbas Luftës ë Dytë Botërore, planeti kishte vetëm 32 shtete demokratike, të tjerët konsideroheshin diktatorialë dhe gjysëm diktatorialë. Sot ka 108. Kjo në sajë të Amerikës. Por mos harrojmë se Amerika përkrah edhe vende diktatoriale sot në botë, apo ka bërë disa luftra duke vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm, bazuar mbi gënjeshtra të përhapura nga institucionet e saj më të famshëm.
Amerika herë herë sillet si me Izraelin, që e ka ndihmuar vërtetë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht dhe herë herë sillet si me Sadamin, Gaddafin, Papadopulos, ku në fillim i mbeshtet e pastaj i vret ose i burgos; herë herë bën plan Marshall, ku e ngre Europën menjëherë vertikalisht, e here herë ben pranvera arabe, e luftra në Lindjen e Mesme ku janë shkatërruar vende të tera pa asnjë arsye.
Amerika (dhe Anglia) në 1944 na dorëzuan tek Stalini, e pastaj në 1990 desh e çpuam llamarinën e makinës se Xhejms Bejkerit nga të puthurat.
Amerika është shumë e komplikuar. Në Amerikë përplasen shumë interesa e lobime, shpesh herë atje vendosin dollarëtë dhe jo e drejta. Gjithashtu 100% proamerikanët duhet të dine se shpesh herë Uashingtoni gjykon gabim, për shkak të politikave të vjetruara tashmë, si ajo që Amerika pret dollarë me gërshërë nga luftrat, politikë që akoma përkrahet nga shumë politikanë të sotem në Uashington.
Prandaj konkluzioni duhet të jetë boll me gënjeshtra për miqësira 100 vjeçare, për tu ngopur me lugë të zbrazët.
Duhet analizë e veçantë për çdo qëndrim amerikan dhe duhet të mbrojmë interesat tona dhe të Kosovës. Në krahasim me Vitin1990 shqiptarët kanë përparuar shumë në këtë drejtim, por politika vazhdon akoma të luajë me kartën e Amerikës.
©Rob Kore





















