Mbi Konservatorizmin - Nga Ervina Toptani
Parehatia ime e të qenit ndryshe në mendim prej atyre që më rrethonin e dëshira për të kuptuar ku përkisja realisht, është produkti i njeriut që jam sot… e sot jam në paqe me të tjerët dhe botën. Unë e di ku përkas dhe përse.
Konservatorizmi është çka nënkupton vetë emri i tij. Dëshira për të ruajtur ato që kanë vlerë, zakonisht ato që janë më të thjeshtat për t’u shkatërruar e shumë të vështira për t’u rindërtuar që në rradhë të parë kanë lidhje direkte me moralin e njeriut dhe bashkë me të, të gjithë shoqërisë. Burke thotë: që gjërat me vlerë në kohë, për t’i rezistuar asaj, duhen përshtatur që të mbijetojnë, e bashkë me to shoqëria shkon përpara duke pasur progres e jo regres. (Kur shoqëria e kupton çfarë është realisht me vlerë sigurisht.)
Çfarë i ndodh një shoqërie që e ka humbur sensin e vlerës për çka realisht ka vlerë? Kur harta emotive nuk është edukuar tek individi që prej lindjes së tij, çfarë ndodh kur ky individ sheh dhjetra të tjerë që vuajnë e nuk i bën përshtypje, kur ky individ përdoret për të bërë keq e për të qenë njëri ndër ata që sjellin vuajtje në këmbim të përfitimit direkt të vlerës së vetme që ai njeh, parasë? Çfarë ndodh kur promovohet më shumë ky lloj individi e pikërisht ky quhet i suksesshëm?
Duke u bazuar tek mendimi i ca njerëzve shumë të dashur në jetën time prej vitesh tashmë, si Burke, Hobbs, Kant, Hegel, Heidegger, Hume, Weil, Scruton, e pak të tjerë si këta që më kanë ndihmuar të kuptoj, të formoj e të ndërtoj mendimin analitik e politik sikurse dhe të arsyetoj mbi çfarë bindjesh kam si individ, përse i kam ato dhe përse nuk mund të jem ndryshe, ekziston një themel i parë, baza mbështetëse epistemike e njeriut që jam sot, dashuria për jetën dhe si pasojë dashuria për Konservatorizmin. Vlerat i kam kuptuar dhe absorbuar në shpirt e në mendje si baza jetike prej të cilave jeta merr kuptim dhe të cilat duhet të mbrohen me patjetër sa kohë janë tepër të thjeshta për t`u shkatërruar e shumë të vështira për t’u ndërtuar.
Institucionet më të rëndësishme mbi të cilat ndërtohet jeta, marrëdhënia e bukur ndërmjet njerëzve, ndërmjet shoqërive të ndryshme e nivele të ndryshme brenda të njëjtit komunitet janë vlerat dhe morali, siç është po kaq i rëndësishëm trualli emotiv i individit në shpirtin e tij për të qenë në gjendje të jetë individ që mendon e ndjen si njeri, pro jetës e njeriut.
Është shumë e thjeshtë për të kuptuar: nëse e do diçka atëherë dëshiron që ta ruash atë e përderisa jeta është ngushtësisht e lidhur me ato çka njeriu i ka për zemër atëherë dëshiron t`i ruajë ato. Kjo fjali e shprehur kështu prej meje në ditarin tim, dy dekada e ca më parë më bëri të dëshiroj të kuptoj çfarë bindjeje ka një njeri që mendon kështu, cilës filozofi mendimi i përket dhe përse. Atëherë nisi puna më e bukur që më ka mbajtur mbërthyer më shumë se 20 vjet, përcaktimi historik, filozofik, politik, analitik, arsyetues dhe në fund ndjeshmërisht i absorbuar e tashmë dhe i fosilizuar i të qenit konservatore. Mendoj se Konservatorizmi është filozofia politike më racionale ndërmjet të gjitha të tjerave, pikërisht se themeli i tij është dashuria për jetën dhe vlerat që janë bashkëudhëtare të saj.
Pse mendoj që Konservatorizmi është superior ndër të gjitha kategoritë e tjera politike? Thjesht dhe vetëm sepse dashuria është superiore ndaj urrejtjes dhe ajo çka kam lexuar e studiuar prej vitesh, diskutuar me profesorë të fushës, jetuar vetë përgjatë jetës time, për filozofinë politike majtiste që prej lindjes së saj e sidomos prej përdorimit të doktrinës së saj sipas interesave politike deri në shkatërrimin e bërthamës fillestare të saj, është se ajo ka qëndrime dhe qasje të cilat bazohen, në mos direkt tek urrejta, të paktën tek shkatërrimi i vlerave tradicionale dhe bashke me to edhe të elitave tradicionale të mendimit ndryshe.
Në sferën politike, Konservatorizmi ka lindur në shekullin e 18 si një kualifikim disiplinor i Liberalizmit politik dhe falë Locke, Montesquieu, Hobbs dhe pak njerëzve të tjerë si ata, Liberalizmi u bë vlerë e “serisë” së re politike e cila ishte e mundur që të ruhej dhe të mbahej por kjo gjë shihej si kërcënim për vazhdimësinë sociale të Liberalizmit fillestar politik. Nëse i çliron njerëzit plotësisht prej kufizimeve sociale me të cilat ata janë mësuar atëherë vjen rreziku që shfaqen forcat anarkike të cilat i lënë popujt të ç’orientuar dhe të paaftë për të marrë vendime të duhura politike shoqërore. Pikërisht për këtë arsye Konservatorizmi ishte i nevojshëm që të lindte si një disiplinë politike me njerëzit si Burke, Hume etj. si kualifikim i përcaktuar qartë në vetvete, prej Liberalizmit.
Citohet prej tyre se Liberalizmi ka kuptim vetëm atëherë kur njerëzit janë mjaftueshëm të edukuar me lirinë, vlerat e moralin e shoqërisë që duhet ruajtur e kështu dinë ta përdorin lirinë për të çuar përpara ato që vërtet kanë vlerë në shoqërinë njerëzore. Njerëzit e përgjegjshëm vijnë në shoqëri për shkak të kontekstit njerëzor në të cilin jetojnë dhe ky kontekst është ai që përfshin institucionet, traditat, vlerat, moralin, ligjet e një shoqërie prej së cilës është ngritur dhe legjitimuar një komb. E të mos harrojmë asnjëherë se një individ, sikurse dhe një shoqëri e tërë është reflektimi i historisë nëpër të cilën ka jetuar. Ne të gjithë jemi të ndikuar nga historia jonë, si ajo individuale edhe ajo e përbashkët kombëtare, e duhet një vullnet i fortë, përgatitje intelektuale e madhe për të ndryshuar kursin politik të një shoqërie nëse më parë ajo nuk shkëputet nga mentaliteti i njëjtë e i pandryshuar ku historia e jetuar e ka mbajtur mbërthyer.
Konservatorizmi tek unë fillimisht lindi më shumë si instinkt sesa si ide, sepse dikur nuk kisha përgatitjen e duhur për të kuptuar cila ishte filozofia e tij. Konservatorizmi është dëshira për të qenë i lumtur bashkë me të tjerët dhe të kuptosh drejt cilat janë ato gjëra që e mundësojnë një lumturi dhe një harmoni të tillë në shoqëri. Dëshira instiktive për t’u kapur pas atyre që duam, për t’u larguar prej degradimit dhe dhunës, e për të ndërtuar jetën tonë në një ambient të shëndetshëm e pozitiv, janë themeli parësor.
Kjo gjë është e vështirë për t’u arritur sepse bazohet tek trashëgimia politike ligjore dhe respektimit të të drejtave e lirive të qytetarëve në një shtet, duke qenë më e rëndësishmja kjo në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, sepse dhe Politika vetë është disiplinë e shkencave humane që rregullon këto marrëdhënie dhe i përcakton ato dhe me ligj. Instinktet janë të vështira për t’u diskutuar dhe akoma më të vështira për t’u mbrojtur.
Ekziston një teori kohezioni pas të qenit konservator e cila është e aplikueshme vetëm në ato vende që kanë trashëguar traditën progresive të mendimit politik dhe që ka evoluar ndër kohëra prej ndryshimeve sociale. Tek ne fatkeqësisht nuk ekziston, por do të ishte bukur nëse nje grupim i caktuar intelektualësh e marrin përsipër ta fillojnë ndërtimin e një filozofie të tillë politike.
E kam vuajtur shumë të menduarin ndryshe, jo vetëm sepse jam luftuar jo pak nga “të djathtët majtistë” që tek ne i gjen duke filluar që tek kafeneja poshtë pallatit e deri në kolltukët drejtues të çdo fushe e institucioni (zakonisht nuk kanë asnjë ide e aq me pak të dinë të arsyetojnë çfarë është në thelb E Majta dhe çfarë E Djathta apo ndryshimin ndërmjet tyre). Por unë jam e lumtur edhe me vuajtjen time, sepse unë e di çfarë jam dhe ku përkas. Më është dashur më shumë se 20 vite studim i vazhdueshëm i cili kushton mjaft në të gjitha aspektet, por unë di të arsyetoj dhe të argumentoj “pse-në” dhe të kem epistemi të plotë të njeriut që jam sot.
©Ervina Toptani





















