Blog

Krishtlindje të vjetra, Krishtlindje të reja - Nga Marelba Fushekati

Fjalën Krishtlindje e kam dëgjuar për herë të parë aty nga viti 1989. Në lagjen ku jam lindur dhe rritur, disa rrugica më poshtë jetonte një popullatë vllehe, arumune ose siç elbasanllinjtë i quajnë, "çopenj" duke nënkuptuar shumësin e fjalës çoban, marrë shkas nga blegtoria që ka qenë tregëtia kryesore me të cilën kanë siguruar dikur jetesën.

Në një nga ditët e dhjetorit të atij viti, kur i vinim vërdallë një gjeli apo pule deti që ishte sjellë nga katundet përqark, dhe e gjëmonim nëpër bahçe që ta ushqenim me zor që të majmej deri për Vit të Ri, dëgjoj në një bisedë mes njerëzish familjarë, biseda nga ato me kafe turke e me tym duhani të kaltër, që “filan familje” e kishte therur gjelin e detit sepse sonte ishte ditëlindja e Krishtit dhe se sonte kishin festë. Paskësh qenë data 25 dhjetor, kur vllehët e lagjes tjetër festonin në heshtje lindjen e Krishtit. Ishte pra Krishtlindje. Që për shumë kohë në kokën time ishte e lidhur me një gjel deti që bëhej kurban e kullufitej në 25 dhjetor.

Krishtlindjet që pasuan, ato të rejat që erdhën bashkë me lirinë e besimit, shënuan ngjyra, dhurata, komercializëm, xixa dhe babagjyshër të cilëve tashmë u ndërruam ditëlindjet nga 31 dhjetori në 25 dhjetor. Krishtlindjet e reja perfshinin edhe ndonjë vajtje në kishë, për adet...

Ungjinjtë e Biblës që shënojnë lindjen e Krishtit, Mateu dhe Luka, nuk përmendin asnjëherë 25 dhjetorin si datëlidjen e Jezu Krishtit. Data është vendosur kohë më vonë dhe përplasjet e opininioneve nuk janë dakordësuar e bërë paqe. Përtej rëndësisë së datës dhe stinës, Zoti u dhurua ndër ne dhe - po përdor një fjalë turke gjithë respekt - shyqyr që na u dha!

Sot digjet qiriri i bardhë, ai i Krishtit.

Zoti erdhi. Vjen perherë.

Me besim Krishlindjen!

©Marelba Fushekati