Blog

Braktisja dhe shkatërrimi si forma disidence - Nga Artan Fuga

Ka shumë që injorojnë dhe nënvleftësojnë shqiptarin si të pazotin të veprojë në histori. Nuk e njohin historinë. Nuk e dinë as filozofinë e historisë. Fatkeqësisht! Janë viktima të sloganit se populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, madje edhe këtë e kanë kuptuar keq. Kujtojnë se populli është një organizatë revolucionare klandestine nga ato që ndërtoi Lenini në fillimin e shekullit të kaluar dhe përbëhet nga anëtarë që janë përbetuar dhe përgjigjen në çdo çast.

Shprehej bukur një shkrimtar e dramaturg francez i shekullit të 19-të. Disa gënjehen nga librat e historisë, më shumë rrena me bisht, ku flitet për popullin si mësues i madh, i pagabueshëm, që ndërton historinë, prandaj zhgënjehen kur shohin se populli i tyre nuk vepron as si filozof dhe as në mënyrë të arsyeshme. Shajnë popullin e tyre sepse janë gënjyer nga librat e historisë për bëmat e popullit në të kaluarën.

Populli është pak si klienti, pak si lexuesi. Po e zhgënjeve klientin një herë a dy, ai nuk të afrohet më. Po e zhgënjeve një herë lexuesin, mos prit të të lexojë më.

Populli e bën historinë sipas mënyrës së vet. Shqiptarët të paktën në këto dekadat e fundit e kanë bërë historinë më tepër me anë të braktisjes.

Pra, vërtet kolektivisht masat popullore nuk ndërtojnë dot aq lehtë, sepse ndërtojnë elitat, por ama për të hapur rrugën duke braktisur a zhbërë të vjetrën, këtë e kanë bërë për bukuri.

Disidenca kolektive e popullit sipas meje është shprehur si braktisje e së vjetrës, si zhbërje, si ikje, si abandonim.

Pa dyshim që regjimi i Ahmet Zogut nuk i tërhiqte masat popullore të kohës, saqë kur sulmoi Italia në 1939, me përjashtim të disa lëvizjeve shumë sporadike dhe të ndonjë akti të veçuar, populli nuk e mbrojti monarkinë. Fatkeqësisht as atdheun.

Popullsia braktisi edhe bejlerët, agallarët e fshatrave, tregtarët, etj. në vitet 40-45 dhe u hodh në krah të bolshevizmës, jo për faj të vet. Nuk mund t’i kërkohej popullit të pajtohej me një shoqëri të perënduar pavarësisht se kush përfitoi prej andej pastaj.

Më kujtohet se në vitet 70-të nisi një fushatë e madhe kundër shfaqjeve të huaja nga ana e propagandës së asaj kohe. Çfarë ishin këto “shfaqje të huaja”? Në fakt përpjekje popullore për t’i ikur normave të moralit komunist, për të ndjekur rrugën e lirisë në veshje, shije, modë, kuptim jetese, etj. Këto “shfaqje të huaja” ishin disidenca e popullit.

Në kooperativa në vitet 80-të në ara punonin thuajse vetëm gratë. Çfarë bënin burrat? Quaji sa të duash dembelë, por në fakt ata e kishin braktisur kooperativën bujqësore. Më mirë shisnin vezë në qytet fshehurazi sesa të vadisnin grurin që nuk ishte i tyre.

Çfarë bënë njerëzit e fshatit kur u bë tufëzimi? Therën të gjitha kafshët. Çfarë disidence e madhërishme! Më mirë i therim se i japim. Sigurisht një dëm i madh. Por, ja ashtu refuzon dhe bën disidencë populli, duke shkatërruar, nëse nuk të do. Ia kishte sjellë në majë të hundës regjimi diktatorial.

Mos prit që populli të ndërtojë demokraci, kjo është punë elitash, populli fshin sheshin dhe e bën gati. Nëse elita nuk ndërton është faji i saj. Populli mori përpara çfarë gjeti nga regjimi i kaluar, me buste, monumente, kooperativa, gabimisht edhe fabrika. Sepse kur inatoset merr përpara çfarë gjen.

Si ikën me qindra mijëra në vitin 91 dhe 92? Kap vaporë, hip, ik. A thua se e dinin që slogani “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte kot. Dhe guxuan t’i quajnë jashtëqitje të kombit… Ku e kuptuan ata? Ata dolën shumë parashikues!

Populli shkatërrimin dhe dhunën e bën shumë mire. Grusht. A nuk e bëri këtë në 1997 kur i vodhën lekët në ato piramidat?

Disa kujtojnë se populli bën edhe artin. Kujtojnë se festivalet e Gjirokastrës i bënte populli. 

Të braktis populli kur sheh se nuk e gjen veten te një politikë. Ikin shqiptarët sot nga atdheu si dikur fshatarët nga puna në kooperativë. Sigurisht. Dëmi i madh. Po pse ikin? Sepse braktisin politika që nuk i honepsin.

Shihni! Të rinjtë braktisin votimet. Nuk i duan sepse mendojnë se nuk vjen asgjë prej andej. Braktisin mediat tradicionale dhe enden në rrjetet sociale. Të braktisin.  Braktisin librin dhe leximin. Po me të drejtë se thonë: Ku janë autorët shqiptarë? Pse këto librat e përkthyera me google translator do të lexojmë ne? Braktisin mastera, universitete.

Braktis populli, braktis. Ja kështu është. Mirë a keq, ne shqiptarët nuk zemë vendin tonë në histori për të bërë atë që duam, por, ama atë që nuk e duam e braktisim.

Keq? E po ky është fakti. Disidenca popullore shprehet fuqishëm nëpërmjet braktisjes.

© Artan Fuga