Blog

16 vjet nga tragjedia e Gërdecit - Nga Sejdin Cekani

Sejdin Cekani

Sot është ditë përshpirtjeje për 26 viktimat e pafajshme të Gërdecit.

Për vogëlushët që iu shua jeta papritur në oborrin e shtëpive, ndërsa ishin duke bërë detyrat e shkollës, duke luajtur apo duke thurur ëndrra të bukura fëmijërore.

Për gratë dhe burrat që kishin shkuar të siguronin bukën e familjeve në skamje, por u shkrumbuan nga flakët e barutit dhe u copëtuan nga shpërthimi i predhave.

Për gjithë të tjerët që u vranë pabesisht e barbarisht apo mbetën të plagosur nga bosët e korrupsionit, nga pushtetarët e panginjur, nga labërqarët dhe “derrat e kënaqun”.

Ndërkaq, drejtësia e shfytyruar dhe e korruptuar, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ende nuk e ka thënë fjalën përfundimtare edhe pas 16 vjetësh.

Gazetat dhe televizionet, për çudi, duket se edhe në këtë ditë të trishtë, sikur e kanë “harruar” këtë tragjedi dhe nuk shfaqin ndonjë lloj interesi të njëmendtë.

Thuajse heshtin.

Kanë harruar dhimbjen dhe pasojat traumatizuese që kanë lënë nëpër familje viktimat e Gërdecit, po ndërkaq nuk lënë hollësi pa përshkruar për kuturisjet dhe kotësinë e disa personazheve të Big Brother-it. Madje duke ua bërë të ditur shqiptarëve deri dhe se sa herë kanë shkuar ata në tualet gjatë ditës.

Pronarëve të mediave dhe një pjese jo të vogël të gazetarëve iu është ndryshkur kujtesa profesionale, përderisa nuk këmbëngulin të sjellin fakte të reja për Gërdecin - njollën e zezë që rëndon në vetëdijen e të gjithëve.

Po shoqëria civile, a ka zë? Apo ajo bën sikur flet vetëm kur zhvat fonde të majme?

Një heshtje fyese, heshtje që vret...

Falë Gjykatës së Strasburgut, që e klasifikon tragjedinë e Gërdecit si një krim të rëndë, ndoshta edhe drejtësia jonë, qoftë dhe “simbolikisht”, më në fund do t’i ndëshkojë të panginjurit me para e me pushtet, për të qetësuar sadopak shpirtrat e viktimave të pafajshme.

Të gjithë mbetemi me shpresë që, të paktën, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, asnjëherë TË MOS HARROJNË!

© Sejdin Cekani