Stil & Jetë

Përsiatje rreth një "shoqërie globale": Nomadë apo sedentarë? - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Mijëra vjet më parë, në fillesat e shoqërisë njerëzore, kur aktiviteti jetësor i fisit apo tribusë ishte gjuetia, njerëzit lëviznin nga një vendbanim në tjetrin, në funksion të kërkimit të gjahut. Ata bënin një jetë nomade, të lëvizshme. Kur u kalua nga gjuetia në blegtori, me zbutjen e kafshëve të egra, përsëri vazhdoi jeta nomade e fisit, por kësaj here në kërkim të kullotave më të bollshme.

Por çfarë efektesh kishte kjo mënyrë jetese e lëvizshme? Çfarë psikologjie individuale dhe kolektive krijonte ajo?

Pa dyshim, tek njeriu që ndryshon vazhdimisht vendbanimin, nuk kultivohet ndjenja e dashurisë dhe e përkushtimit për vendin, nuk krijohet nostalgjia dhe adhurimi për vendlindjen, nuk kultivohet kulti i të parëve, nuk ekzistojnë varreza të përhershme dhe nuk praktikohen ritualet periodike për të vdekurit. Mungon koncepti i “investimit” afatgjatë, sepse individi sot është këtu dhe nesër aty. Nuk mund të flitet për atdheun, tokën mëmë. Edhe Zotat janë të lidhura me ngjarje e rrethana heroike, të lëvizshme. Në mungesë të një territori të përhershëm mungojnë kufitarët dhe për rrjedhojë konfliktet permanente. Armiku është i ndryshëm në vende dhe kohë të ndryshme.

Me kalimin e shoqërisë nga blegtoria në bujqësi, lindën për herë të parë vendbanimet e qendrueshme, sedentare. Toka dhe punimi i saj u bënë burimi i vetëm jetësor i fisit. Jo se nuk ka pasur migrime, për shkak të pamjaftueshmërisë të tokës apo lufrave shpërngulëse, por e përgjithshmja qe krijimi i qyteteve dhe fshatrave të përhershme, sedentare.

Lindën fillimisht qytet-shtetet dhe mandej edhe njësi politike më të gjera, perandoritë, me kufij të përcaktuar, që duheshin mbrojtur dhe mundësisht zgjeruar. Njeriu sedentar, i lidhur pazgjidhshmërisht me tokën që kultivon, pa dyshim është një individ që e do truallin e vet, formon konceptin e vendlindjes dhe atdheut, kultivon kultin e të parëve të tij, mendon dhe investon edhe për brezat që do të vijnë. Krijon besime dhe rituale fetare të qëndrueshëm.

Kjo mënyrë jetese vazhdoi disa mijëra vjet, për aq kohë sa toka qe burimi kryesor i egzistencës së grupit dhe bujqësia aktiviteti parësor i saj.

E çara e parë në këtë sistem mijëvjeçar u krijua kur filloi Revolucioni Industrial, kur lindi fabrika. Mijëra njerëz nga fshati u turrën në qytet. Fabrika nuk ish e tyrja, prodhimi nuk bëhej për ta dhe në funksion të tyre. Individët që punonin në të nuk kishin asnjë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Familjen e dikurshme patriarkale, të formësuar nga lidhjet e gjakut, e zëvendësoi sindikata apo partia politike, që mori përsipër të mbrojë punën nga kapitali.

Me Revolucionin Francez individi fitoi lirinë e plotë të lëvizjes brenda vendit, në funksion të gjetjes së mundësive të reja për një jetë më të mirë. Veçanërisht, vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, janë vitet e epokës së globalizmit. Mjetet e komunikimit, si anija apo avioni, i bënë distancat, që dikur ishin me muaj, të reduktohen në disa orë. Telefoni, faksi, interneti, bënë të mundur që të lidhen, brenda sekondash, dy pika të globit, mijëra kilometra larg njëra-tjetrës.

Burimi i sotëm jetësor u bë "vendi i punës" ku individi siguron maksimumin e të ardhurave, apo zhvillon më mirë prirjet e veta. Ç'rëndësi ka se ku është ky vend, ç'rëndësi ka që bashkëpunëtoret e tij janë të një ngjyre, kulture apo besimi tjetër? Ai ndihet kudo si në atdheun e vet, është shndërruar në "qytetar i Botës".

Lidhjet e tij janë lidhje të çastit, ato ekzistojnë për aq kohë sa egziston interesi i momentit. Prindërit dhe fëmijët, burri dhe gruaja, shkëputen nga njëri-tjetri. Familja klasike, e bazuar në lidhjet e gjakut, vjen e shkërmoqet.

Ç'farë na rezervon e ardhmja? Nuk mund të parashikohet me saktësi. Por trendi shihet qartë: Një individ për të cilin lidhjet e gjakut (familja), lidhjet botkuptimore (mentaliteti), apo lidhjet me vendlindjen (atdheu), do të jenë një rudiment i një të shkuare të largët.

Zeusi i kësaj epoke të re do të jetë paraja dhe Olimpi Wall Street-i. Mbase po kthehemi në periudhën e parë, ku paraja po zëvendëson gjahun, dhe kozmopoliti, njeriun e dikurshëm primitiv.

©Klodi Stralla