Stil & Jetë

Rasti Kissinger, shtoni jetë në vitet tuaja - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Sa herë flitet në publik për jetëgjatësinë e një personi konkret përmendet me perparësi mënyra e tij e jetesës. Krejt e kuptueshme kjo, dëgjuesi a lexuesi, si gjithë të vdekshmit kanë etje të mësojnë ndonjë sekret që të zgjasin jetën e tyre.

Nuk di të them pse në shumicën e rasteve, tek mënyra e jetesës gjendet ndonjë zakon, huq a ves që vjen në kundërshtim me ato që thonë doktorët për jetgjatësinë.

Kështu ndodhi edhe me Henry Kissinger që, pak ditë më parë, festoi 100 vjetorin e lindjes dhe vazhdon të jetë aktiv. Për të festuar jubileun p.sh. po merr pjesë në aktivitete që po zhvillohen në New York, në Londër dhe më pas edhe në qytetin e lindjes, në Gjermani. Të bësh udhëtime të tilla, duke mbajtur mbi supe peshën e një shekulli të jetuar ditë për ditë, do të thotë të jesh shumë vital.

Por s’ështe vetëm ana fizike, kur vjen puna tek truri, tek veprimtaria intelektuale, Kissinger shfaqet edhe më aktiv. Vetëm tre vjetët e fundit ka botuar dy libra, njeri prej të cilëve për inteligjencën artificiale, temë kjo që hyri në rrethin e interesave të tij intelektuale vetëm vitet e fundit, pasi i kishte mbushur të nëntëdhjetat.

Të qenët aktiv, kurioz dhe plot interesa e misione janë me sa duket kushte që e nxisin trupin dhe trurin të jenë vitalë. Po fjalën e kishim tek përjashtimet. “Jetëgjatësia e babait tim, shkruante këto ditë i biri, ngjan si mrekulli kur kujtojmë regjimin e tij shëndetësor: një dietë e mbushur me salçiçe gjermane si dhe një karrierë plot stres.”

Veç salçiçeve dhe stresit të karierës, njerëz që e kanë njohur shtojnë edhe faktin që vazhdon të punojë me këmbëngulje, me sistem dhe produkt si të ishte në mesmoshë.

Por me sa duket stresi që vjen nga puna e ngulur kompensohet nga kureshtja dhe interesi për gjithçka të rëndësishme që ndodh në botë. Jo vetëm kaq po i ka sahanët pa kapak, siç thotë ajo fjala e vjetër, d.m.th. thotë atë që mendon dhe si e mendon pavarësisht trendit.

Prej kohësh kishte paralajmëruar se duhej bërë kujdes me afrimin e Ukrainës në strukturat euroatlantike dhe me respektimin e zonave të influencës. Si shqiptarë doemos që nuk na vjen mirë kur kujtojmë se gjatë luftës së Kosovës ka qenë kundër bombardimeve të NATO-s, por realiteti i sotëm kosovar vështirë se të lejon të mos vesh re që pati të drejtë kur, qysh më 1999, paralajmëroi krizat dhe vështirësitë që do të ndiqnin shtetin më të ri të Ballkanit.

Ndjesë për parantezën, fjalën e kisha tek jetgjatësia, megjithëse edhe të qënët “tenxhere pa kapak” mund të ndihmojë.

Si të gjitha rastet edhe ky i Kissinger-it ka kundërtheniet e përjashtimet e veta, ashtu siç ka me shumicë edhe nënshtrimin ndaj rregullit e normave. Një nga arsyet pse diplomati i shquar vazhdon të jetë kaq vital është me sa duket edhe geni. S’thonë kot që njeriu e ka të shkruar sesa do jetojë, por mos e kërkoni këtë në librin e të gjithëfuqishmit, kërkojeni dhe do ta gjeni në genet e tij.

Natyrisht që mes faktorëve s’mbetet dorëjashtë edhe fakti që fati e hodhi në SHBA, vend me mjekë të shquar e mjekësi që aplikon të rejat më të fundit, ashtu siç e hodhi edhe midis të shquarve e të kamurve, që me përparësi kanë mundësi t’i gëzojnë këto arritje.

Ngado që ta vërtisësh temën e jetëgjatësisë dhe vitalitetit të Kissinger-it vjen tek dy përfundime të njohura. I pari: njerëzit e mëdhenj nuk bëhen të tillë ngaqë i ndihmon fati, por fati i ndihmon ngaqë janë të mëdhenj. Dhe përfundimi i dytë: në vend që të shtoni vite në jetën tuaj, shtoni jetë në ditët tuaja dhe lereni në dorën e tyre të vendosin nëse do bëhen muaj, vite a dekada.

Edhe një gjë të fundit: se mos filloni të dëndeni me salçiçe!

© Çapajev Gjokutaj