Shëndet

Do e ndryshojë COVID-19 të ardhmen? - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Bota ecën shpejt, më shpejt viruset! Mendonim se kishim kontroll të plotë mbi natyrën, por jemi po aq të prekshëm nga viruset, sa paraardhësit shekuj më parë. Një mikrob i padukshëm sfidoi shkencën e madhe, dhe super teknologjinë…

Pakujtesa...

Ekspertët prej vitesh kanë parashikuar një pandemi, që për nga shpejtësia e përhapjes dhe ashpërsia, do rivalizonte epideminë e gripit të vitit 1918. Madje Banka Botërore kishte vlerësuar dhe koston e mosveprimit: zvogëlimin e pasurisë globale me rreth tre trilionë dollarë...

Është e provuar tashmë që njerëzit janë të gatshëm të sigurojnë resurse për të lehtësuar pasojat e katastrofave pasi ato ndodhin, por janë më pak të gatshëm ta bëjnë këtë për t'i parandaluar ato.

Pas çdo katastrofe pason pakujtesa. Duket është njerëzore. E krijuar nga natyra, që njerëzit të jetojë të tashmen pa ankthin e të ardhmes…

Nga ana tjetër qenia njerëzore është e prirur t'i largojë nga vemendja katastrofat, t'i konsiderojë si një horizont që veç largohet kur ato janë fare pranë. Dhe vetëm kur i kërcënohet egzistenca të veprojë...

Kështu dhe në rastin e pandemisë që jetojmë. Vdekjet masive në vendet më të zhvilluara, kolapsi i sistemeve shëndetësore, krijuan emocione të forta. Bota ndali, njerëzimi u ngujua, triliona dollarë u hodhën, tabutë ekonomike u shpërfillën... Ndonëse faturat mbeten për tu paguar dhe rrezikojmë të shkojmë nga shiu në breshër!

Në pritje të imunitetit…

Një shekull më parë asnjë kurim s’njihej për Gripin spanjoll. Viruset nuk ishin zbuluar. Trajtimi: thjesht me mjete empirike, dhe karantinë, maska... Vetë organizmi luftonte sëmundjen nëpërmjet imunitetit që hap pas hapi krijohej. Sigurisht me humbje të mëdha njerëzore, por në fund sëmundja u vetshërua.

Një shekull më pas: “Bota po lufton pandeminë e shekullit të 21-të me armë të shekullit 20” thotë profesori i epidemiologjisë dhe mjekësisë në Universitetin e Oksfordit, David J. Hunter. Me gjithë përparimet në kujdesin mjekësor për gjendjet kritike, shërbimet urgjente… kujdesi mjekësor modern pak ofron. Vetëm trajtim mbështetës, dhe shëndeti publik: karantinë, izolim, maska... larje të duarve... Ndërkohë vetshërimi është duke ndodhur, në pritje të krijimit të imunitetit natyror, që do t'i japë fund epidemisë.

"Krijimi i imunitetit natyror është mënyra si kontrollohen pandemitë. Kjo s'do të thotë që të gjithë të preken nga virusi. Mjaftojnë aq raste të reja sa të ndalet zgjatja e zinxhirit të transmetimit..." thotë profesori i epidemiologjisë, drejtor i Qendrës së Harvardit për Dinamikën e Sëmundjeve të Transmetueshme, Marc Lipsitch. Pra duhet të presim të krijohet imuniteti i një "tufe", që mendohet 60% e popullsisë.

Po vaksina? Në një konkurencë dramatike është mobilizuar shkenca për krijimin e një vaksine që do t'i jepte fund epidemisë në pak kohë. Por kjo "pak kohë" është të paktën një vit ose më shumë kohë. Zgjidhje mund të jetë edhe krijimi i një "peniciline për viruset", një antiviral i ri… Pra na duhet të presim dhe shpresojmë.

Në fund të fundit virozat hynë në grupin e sëmundjeve të vetshërueshme. Dhe Covid-19 është një virozë, ndonesë ka veçori të përhapet shumë dhe shumë shpejt, dhe të shkaktojë shumë vdekje tek moshat e thyera...

Vetëm larja e duarve s’mjafton...

Vërtetë larja e duarve ka ndikuar në mos-përhapjen e sëmundjeve infektive, por epidemitë infektive në botën e zhvilluar nuk u eleminuan vetëm duke inkurajuar çdo njeri të lajë duart, por nëpërmjet politikave të ndërtimit të kanalizimeve, furnizimit me ujë të pastër të gjithë popullsisë, si dhe masave të tjera të shëndetit publik.

Është koha të ndryshojmë prioritetet. Të rivlerësojmë vlerat e Shëndetit Publik. Është e papranueshme që Shëndeti Publik të vazhdojë të konsiderohet "kushëriri i varfër" i Kujdesit Mjekësor. Edhe në vendet më të zhvilluara, si SHBA, rreth 95% e gjithë shpenzimeve për shëndetin alokohen për Kujdesin Mjekësor, dhe vetëm 5% për Shëndetin Publik !

Në mënyrë paradoksale, Kujdesi Mjeksor dhe Shëndeti Publik vazhdojnë të ecin në rrugë të ndara....

Kohë për reflektim...

Kjo pandemi nxorri në pah dobësitë e politikave shëndetsore globale. Po paguhet çmimi i sistemeve të dobëta shëndetësore, parimeve të dobëta ideologjike, ekonomike dhe sociale mbi të cilat ato janë ngritur… "Buxheti i shëndetit do të rritet”, "buxheti i shëndetit do të jetë i paprekshëm," "shërbimet shëndetësore mund të jenë të mira edhe me një kosto më të ulët", "menaxhim efikas"...

Të gjitha përkthehen: nëninvestim, demoralizim i punonjësve shëndetsorë, ulje e produktivitetit. Është koha t'i jepet fund retorikës boshe! Të gjitha sistemet shëndetsore vuajnë nga mungesa e financimit të mjaftueshëm. Duhen më shumë para, që do të thotë taksa më të larta. Por prioritet të prioriteteve, politika ka pushtetin. Për këtë duhen vota. Prandaj politika s'është e gatshme t’i rrisë taksat aq lart sa duhet për një sistem shëndetësor më të mirë. Prandaj dhe premtimet mbeten premtime.

E mira e pandemisë...

Një vit më parë në librin e fundit (Shkurt 2019) me një titull intrigues: “Mund të shërohet mjekësia”? profesori britanik Seamus O'Mahony është shumë kritik me sistemin mjekësor të cilin e konsideron si një të sëmurë... që vetë mjekësia s'mund ta kurojë. "Shumë njerëz kanë interes për një mjekësi të pareformuar”. E vetmja mundësi sipas tij “do të ishte një krizë që do t'i nxiste reformat. Një kolaps ekonomik, një pandemi globale nga një infeksion i pakontrollueshëm, një katastrofë klimatike, që do ta detyrojë përsëri mjekësinë të marrë masa themelore si dikur me imunizimin, kujdesin traumatik, kujdesin obstetrik".

Utopi e konsiderova një vit më parë këtë parashikim, kur pandemia nuk mendohej kaq pranë. Profetik e konsideroj sot, një vit më pas…

Një analogji...

Ndryshimet kaq të mëdha të këtyre ditëve, kaq të shpejta, dhe në kaq pak kohë, tregojnë sa të mundëshme janë reformat.

Disa vite më parë (2012) në një shkrim të revistës më prestigjoze mjekësore, “New England Journal of Medicine”, bëhej një analogji interesante, në fakt një imagjinatë në dukje e tepruar... Por sot, ajo çfarë dje mendohej e pamundur, mendohet e mundshme, më së paku e diskutueshme...

Le të vazhdojmë me analogjinë...

Në 19 Janar 2012 kompania fotografike me famë botërore, Kodak, pas 131 vite suksesi falimentoi. Të gjithë mbetën të habitur. Si kishte mundësi?

Kujtimet e fiksuara në celuloid nëpërmjet Kodak-ut ishin bërë pjesë jetës...

Cili ishte shkaku? Kodak kishte ndërtuar një biznes të suksesshëm për prodhimin e aparateve fotografikë, filmave, letrës fotografike dhe kimikateve, por kishte nënvlerësuar faktin se biznesi i vërtetë i tij ishte sigurimi i imazhit. Dhe sapo një tjetër mënyrë më e shpejtë, më e mirë, dhe më e lirë, fotografia digjitale u gjet, menjëherë u përqafua nga të gjithë. Kodaku i famshëm, papritur kish dalë jashtë loje.

Një analogji mes Kodakut dhe kujdesit mjekësor bëhej në shkrim: ndërsa mjekët dhe spitalet përqëndrohen në prodhimin e kujdesit mjekësor, ajo për të cilët njerëzit në të vërtetë kanë nevojë është shëndeti. Kujdesi mjekësor është vetëm një mjet për të arritur këtë qëllim. Nëse njerëzit do të mund të merrnin shëndet më të mirë, më të shpejtë dhe më të lirë, me një tjetër mënyrë, si sot marrin imazhin digjital, pa nevojë për filma dhe solucioneve, ndoshta nuk do t’i duhej të mbështeteshin kaq shumë në kujdesin mjekësor.

Kjo sot duket e çuditshme. Por kështu mund t'i jetë dukur dikur edhe drejtuesve të Kodakut para falimentit, duke mos i kapur sinjalet e nevojës për ndryshim. Është fakt se shumë nga praktikat mjekësore edhe më të fundit, vazhdojnë ta konsiderojnë shëndetin dhe sëmundjen si tërësisht biologjike, duke mos i konsideruar përcaktuesit socialë të shëndetit. Diferencat në shëndet përcaktohen po aq nga rrethanat sociale që i theksojnë, sa dhe nga proceset biologjike që i ndërmjetësojnë ato.

Duke e mbyllur…

Bill Gates parashikon: Koronavirusi do të përshpejtojë tre përparime të mëdha mjekësore : "Kur historianët të shkruajnë librin e pandemisë Covid-19, ajo çfarë kemi jetuar deri tani do të jetë vetëm një e treta e parë e librit. Pjesa më të madhe do të jetë ajo që çfarë do ndodhë më pas..." Dhe koha ka treguar se ai është një parashikues i saktë.

Historia e pandemive tregon se ato janë pasuar nga ndryshime epokale... Për mirë. Por dhe për keq. Le të shpresojmë më të mirën.

Shansi s'duhet humbur!