Shëndet

COVID-19 dhe mësimet e dobishme nga përvoja suedeze - Nga Erion Dasho

Ka një lloj gëzimi deri në ligësi nga mënyra sesi media, një pjesë e komunitetit shkencor dhe, madje, edhe individë kanë reaguar ndaj faktit se Dr. Anders Tegnell pranoi që Suedia pati shumë vdekje nga COVID dhe përgjigjja sudeze ndaj COVID pati gabime.

Së pari, këtë nuk ka nevojë ta pranojë Tegnell për të qënë e vërtetë. Të dhënat rreth COVID janë aq transparente, sa kushdo mund të bëjë llogaritë dhe të arrijë në përfundimin se Suedia pati dhe ka një vdekshmëri të lartë nga COVID. Sidomos krahasuar me fqinjët.

Së dyti, pranimi publik i një gabimi, sidomos në kushtet kur epidemia vazhdon, tregon integritet moral dhe profesional. Tipike për vendet ku politikanët, profesionistët dhe individët nuk fshihen pas justifikimeve, manipulimeve apo akrobacive për t'a bërë të zezën të bardhë.

Megjithë këtë situatë, unë sërish mendoj se modeli suedez ka shumë elementë pozitivë që nuk duhen anashkaluar dhe mësimet që vijnë prej tij janë shumë të dobishme. Për të përmendur disa prej tyre:

1)Theksi që modeli suedez vendosi tek përgjegjësia personale e ndërgjegjësimi dhe jo tek ndëshkimi e frika, është një nga mesazhet më të forta që erdhën nga ai vend.

2)Shoqëria suedeze nuk ra pre e histerisë mediatike që preku pjesën tjetër të botës. Në një botë në kaos, ata sollën shpresë me përafrimin e tyre origjinal.

3)Shkencëtarët suedezë qenë një zë autoritar për të orientuar mendimin shkencor botëror jo vetëm drejt masave izoluese ekstreme, por edhe drejt trajtimit të epidemisë me normalitet.

4)Suedia do të preket shumë më pak nga efektet shëndetësore dhe sociale të izolimit, krahasuar me pjesën tjetër të Europës. Shkencëtarët në Britaninë e Madhe llogaritin se, si pasojë e lockdown, në UK do të ketë rreth 20.000 vdekje më tepër nga kanceri. E llogaritur sipas popullsisë, duke mos aplikuar lockdown, Suedia mund të ketë shmangur 3 deri 4 mijë vdekje nga kanceri, pra aq sa vdiqën "ekstra" nga COVID. Natyrisht, kjo është një llogari e trashë, por nuk mund të injorohet.

Anders Tegnell

A bëri Suedia gabime në raport me mënyrën se si kontrolloi epideminë?

E cili vend nuk bëri? Fakti që Suedia nuk mbrojti dot personat e moshuar, sidomos ata në shtëpi kujdesi, ishte gabim katastrofal sepse rreth 60% e vdekjeve, apo rreth 2.500 deri 3.000 jetë të humbura, ndodhën pikërisht në këto mjedise.

Mbrojtja e kësaj pjese të popullatës do të kishte qënë shumë më e lehtë, por ajo u injorua në mënyrë të pafalshme. Por përsëri, kjo duhet të shërbejë si një mësim i madh për vetë Suedinë si dhe për pjesën tjetër të botës:

ASNJËHERË NUK DUHEN HARRUAR ATA QË JANË MË VULNERABËL NDAJ NJË SËMUNDJE!

Këtë parim e kemi mësuar kur përballohemi me shumë sëmundje, si p.sh. kur vaksinojmë fëmijët nga fruthi e rubeola, mjekët nga hepatiti, apo të moshuarit nga gripi. Kur mbrojmë nga HIV/AIDS personat që përdorin drogë apo punonjëset e seksit. Apo, jashtë sferës së sëmundjeve infektive, kur mbrojmë personat mbi peshë nga diabeti, apo sëmundjet e zemrës, gratë me moshë mbi 50 vjeç nga kanceri i gjirit, etj.

Përvoja suedeze i rikujtoi botës se, në se ndodh një valë e dytë e COVID apo në se shfaqet një patogjen i ri, është shumë më inteligjente të fokusohemi tek personat e riskuar, se sa tek gjithë popullata. "Hollimi" i intensitetit të masave duke i zbatuar ato njëtrajtësisht është një përafrim dritëshkurtër që në fund krijon pabarazi në adresimin e nevojave shëndetësore të popullatës.

Dhe e fundit, por më rëndësishmja. Deri tani, në Suedi kanë vdekur nga COVID rreth 4.500 persona. Kjo ndodh në një vend ku vdesin reth 100.000 njerëz çdo vit. Kur të bëhen statistikat vjetore të vdekjeve në prill 2021, me siguri do të rezultojnë pak ose aspak ndryshime në vdekshmëri në raport me vitet e mëparshme. Aq cinike sa duket, por strategjia suedeze thjesht mund të ketë "shkaktuar" humbjen e jetës së disa mijëra personave vetëm disa javë apo muaj më parë se ajo të ndodhte pashmangërisht. Në se kjo provohet në prill 2021, Dr. Tegnell nuk ka pse kërkon më falje...

©Erion Dasho