Gjuha shqipe për fëmijë: Mësimi 6 - Shkronja C
Përgatiti: Danjela Lumani
Të dashur prindër dhe fëmijë uroj që të keni kaluar një javë të qetë, të ngrohtë, me aktivitete të cilat ju kanë nxitur imagjinatën dhe dëshirën për të kaluar edhe më shumë kohë së bashku. Javën e kaluar punuam shkronjën B. E mbani mend gjeagjëzën?
“Eshtë e vogël, është insekt, po të mendohesh e gjen lehtë, lule më lule fluturon dhe me nektarin që grumbullon, mjaltin e shijshëm e prodhon, sigurisht me gërmën “B” fillon”.
Dhe pasi shikoni bashkë vizatimin e bletës që fëmija e ka bërë kur ka patur kohë, krijoni një diskutim të shkurtër në lidhje me bletën. Çfarë ngjyre është ajo? Nëse është kafshë, shpend, apo insekt? Çfarë bën bleta? A e pëlqen mjaltin? E kështu me rradhë.
Tema mësimore: Shkronja C
Situata e të nxënit: Zogjtë
Kompetencat sipas temës mësimore:
- Përshkruan në bazë të figurave.
- Shqipton, shkruan dhe lexon tingullin dhe shkronjën C.
- Qarkon shkronjën C, c të shtypit në pozicione të ndryshme të fjalës.
- Shkruan dhe lexon fjalë me shkronjë c dhe shkronjat e tjera të mësuara.
- Shkruan fjalë duke plotësuar rrokjet e dhëna.
Fjalë kyçe: trumcaku, cicërima, cicëron
Teknika dhe strategji:
- Bisedë rreth figurës
- Analizë e sintezë
- Veprimtari në dyshe
Burimet e informacionit dhe mjete: plani mësimor i printuar; shkronja C, c, etiketa fjalësh, foto, laptop, dërrasa e bardhë, plastelinë, spango.
Lidhje me fushat e tjera: Arte
Veprimtari paraprake 5 minuta
Vendosni në youtube video ku dëgjohen cicërima zogjsh dhe pyeteni fëmijën se çfarë po dëgjon.
Po dëgjojmë cicërimat e zogjve. A mund ta imitosh cicërimën e zogut?
Ku mendon se ndodhet zogu? Ku jetojnë zogjtë? Cili është zogu tënd i preferuar? Si cicëron ai?
ZO-GU 1 rrokje
CI-Cë-RON 3 rrokje
TRU-MCA-KU 3 rrokje
Ndarja e fjalës në rrokje, çdo rrokje ka një zanore në fund të saj. Vendosim dorën te mjekra dhe çdo hapje e gojës përfaqëson një rrokje.
Cilat shkronja kemi mësuar ne deri më sot?
Veprimet në situatë 10 minuta
Hapi 1: Bisedë rreth figurës
Çfarë shikon te figura ti xhan?
-Po, vajzën dhe zogun.
Ku janë ata?
-Te dritarja.
Si mendon çfarë stine është?
-Dimër.
Çfarë po bie jashtë?
-Borë.
Ku është zogu?
- Jashtë, në borë.
Po vajza?
- Brenda në shtëpi.
Ku po e shikon ajo zogun e vogël?
Nga dritarja.
Çfarë bën një zog?
Cicëron.
Ky zogu quhet trumcak.
Hapi 2: Analizë dhe sintezë -15 minuta
Shkruajmë në dërrasën tonë të bardhë fjalinë: Trumcaku cicëron i gëzuar.
E lexoni bashkë fjalinë, duke u përqendruar te fjalia në tërësi, e më pas te secila fjalë dhe në fund përqëndrohemi te shkronja e ditës “C”. (ky është procesi i analizës)
Sa fjalë ka fjalia? Sa rrokje ka fjala “trumcaku”? Sa shkronja ka? Cilat janë zanore? Po bashkëtingëllore? Ndalojmë te tingulli C. Gjejmë të tjera fjalë që kanë tingullin C në fjali.
Hapi 3: Prezantimi i shkronjës C - 5 minuta
E shkruajmë te dërrasa e bardhë duke shpjeguar grafikun e shkronjës “C” të madhe të shtypit dhe “c” të vogël të shtypit. Marrim plastelinën dhe i japim formën e shkronjës C, të madhe e të vogël. Pastaj marrim një cope spango e veprojmë njësoj. Më pas shkruajmë te fletorja shkronjën C.
Hapi 4: Shkrimi- 10 minuta
Shkruajmë fjalë që kanë shkronjën C dhe fëmija e vizaton në fletoren e tij.
Speci, pica, karroca, përtaci, kocka. I lexojmë fjalët. E ndihmojmë fëmijën gjatë vizatimit duke diskutuar për to. Me siguri do krijohen situata humori të cilat mundohuni t’i shijoni sa më shumë.
Do kuptoni që e keni realizuar qëllimin e kësaj ore mësimi e argëtimi bashkë nëse fëmijë dallon shkronjën C, e gjen dhe e shqipton siç duhet. Qarkon shkronjëc “C” në pozicione të ndryshme në një fjalë.
Shkruan dhe lexon fjalët që ka mësuar, të cilat përmbajnë shkronjën “C”.
Detyra shtëpie: Shkruan dy rreshta me shkronjën “C”.
Shikoni bashkë filmin vizatimor “Majlinda dhe zogu”
Burimi i informacionit: Libër për Mësuesin “Abetare e përbashkët, Shqipëri-Kosovë”
Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Premte, më datë 24 Prill për të vijuar me mësimin e shtatë. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela.
17 Prill 2020, ©FlasShqip.ca