Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 7- Punimi i Shkronjës C

Përgatiti: Danjela Lumani

Uroj që java juaj të ketë qenë të paktën brenda pritshmërive tuaj në çdo aspekt. Në këtë periudhë karantinimi ajo ç‘ka duam më së shumti është harmoni dhe mirëqënie shpirtërore. Është e vështirë diçka e tillë sidomos kur je prind, sepse duhet të gjejmë një ekuilibër mes kohës për shkollën online, kohës për argëtim, për projekte jashtëshkollore, aktivitete fizike si dhe kohën për argëtim përmes teknologjisë, por edhe pak kohë për vete, për të arritur ato pak qëllime që mund t’i kemi venë vetes. Meqë java është e zënë duke gjetur hapësirat e duhura për secilën nga aktivitetet e mësipërme, dita e shtunë, pas një mëngjesi të shtruar mund të jetë një fillim i mbarë, kombinim i të gjitha aktiviteteve të mësipërme por të udhëzuara në gjuhën shqip. Dhe patjetër kjo e shtunë do jetë e përqëndruar te shkronja C, te ushtrimet e shkronjës C. Hë, kush më thotë edhe dy fjalë të tjera që nisin me shkronjën C?  “C” si cjapi, “C” e madhe e shtypit”, “c” e vogël e shtypit-Cicërima, cironka…

Tema mësimore: Punimi i Shkronjës C.

Situata e të nxënit:  Përrallëzat e shkronjave-Shkronja C (kliko)

Kompetencat e fushës sipas temës mësimore:

  • Parashikon rreth përmbajtjes së tekstit duke u mbështetur te titulli dhe te pjesa hyrëse e videos
  • Pyet për t’u sqaruar rreth përmbajtjes së tekstit ose rreth fjalëve të panjohura për të.
  • Lexon tekstin qartë dhe saktë
  • U përgjigjet pyetjeve që lidhen me përmbajtjen.

Fjalët kyçe: shkronja C, cironka,krapi,  përralleza, 

Teknika dhe strategji: Punë në grup, parashikimi i ngjarjes, leximi i ndalesa, punë individuale

Burimet e informacionit dhe mjete: laptop, fletore me vija të ngushta, materiale vizatimi, etiketa me shkronjën C, dërrasë e bardhë shkrimi

Lidhja me fushat e tjera: Arte

Përshkrimi i situatës

Veprimet paraprake: Kërkojini fëmijës që të gjejë objekte të rrumbullakta nëpër shtëpi dhe të sjellë ato që mundet. Pastaj duke patur parasysh formën e këtyre objekteve, vizatojmë rrethin në dërrasë. Pastaj fshijme gjysmën e saj… Cila shkronjë doli? 

Veprimet në situatë:

Hapi i parë: Parashikimi i ngjarjes 

Prindi shkruan në dërrasën e bardhë titullin e historisë: Përrallëzat e shkronjave-Shkronja C dhe tregon pjesën hyrëse te videoja e përrallëzes. 

Hapi i dytë: Leximi me ndalesa

Ndahet teksti në dy pjesë. Pjesa e parë nga fillimi deri te …e pa se ndodhej në gojën e një krapi.

Pasi lexoni pjesën e parë, i drejtojmë fëmijës pyetjet:

  • Kush jetonte në një liqen të madh?
  • Sa e vogël ishte ajo?
  • A ishte ajo e mençur dhe e shkathët? Ku ishte ajo kur u zgjua?
  • Si mendon çfarë do të ndodhë më pas?
  • A do e hajë krapi, cironkën?

Hapi i tretë Punë individuale

Fëmija e lexon vetë tekstin dhe nënvizon fjalët që nuk i ka kuptuar. Shpjegohen fjalët që mund t’i ketë të paqarta. 

Shikoni bashkë videon e përrallës. Fëmija e ka para tekstin dhe e ndjek ndërkohë që e dëgjon. Më pas lexon vetë fëmija. 

Vizatoni bashkë një peshk të vogël, cironkë. Ngjyroseni atë. 

Përrallëza- C-Cironka

Në një liqen të madh jetonte një cironkë e vogël, sa gishti. Por kjo cironka ishte shumë e mençur dhe e shkathët. Një herë, ndonëse peshqit flenë me syhapur, atë e kishte zënë një gjumë i thellë. Befas ndjeu zhurmë. U zgjua dhe e tmerruar pa se ndodhej në gojën e një krapi.

O krap, o krap-mezi belbëzoi cironka që po i zihej fryma. “Të lutem prit të të them një fjalë. e kam për të mirën tënde. 

“Pa ta dëgjojmë”-foli ai-“dhe hapi gojën”

Kaq deshi cironka u hodh plop në ujë dhe i tha: “Ti je kaq i madh dhe unë jam kaq e vogël. Nuk jam as sa një kafshatë për ty. Prit të rritem të bëhem e madhe, pastaj vi e të futem vetë në gojë.”

“Mirë e ke”-ia ktheu krapi me kënaqësi. “Rritu sa më shpejt.”

“Patjetër”-i ktheu cironka, që e dinte që nuk do të rritej kurrë dhe e lumtur u ngjit mes valëve të kaltra 

Vlerësimi i situatës:

Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija arrin të parashikojë duke u mbështetur te ilustrimi dhe titulli. 

  1. Pyet për t’u sqaruar rreth përmbajtjes së tekstit ose rreth fjalëve  të panjohura për të. 
  2. Lexon tekstin qartë. 
  3. U përgjigjet pyetjeve që lidhen me përmbajtjen e përrallëzës. 

Detyrë shtëpie: Fëmijët vizatojnë duke patur parasysh emërtimet e mëposhtme të cilat kanë shkronjën “C” kecat, cepi, pinca, pica, speci. 

Burimi i informacionit: Libër për Mësuesin “Abetare e përbashkët, Shqipëri-Kosovë”

 

Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 2 Maj për të vijuar me mësimin e tetë. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

25 Prill 2020, ©FlasShqip.ca