Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 8-Shkronja Ç

Përgatiti: Danjela Lumani

Nëse doni që të kuptoni mirë një gjuhë duhet të dini të paktën dy, por imagjinoni nëse i nisni këto me baza të forta të gjuhës amtare, sa bukur mund të shëtisësh nëpër fjalë e kultura të ndryshme e të krijosh një pasuri më vete sepse është e vërtetë që nëse i flasim dikujt në një gjuhë të huaj do e mbajë ndërmend por nëse i flet në gjuhën e tij amtare do i shkojë direkt e në zemër. Ka shumë thënie të cilat të bëjnë të kuptosh se sa e rëndësishme është të nisësh bagazhin e gjuhëve të huaja nga themelet më të forta, ato të gjuhës amtare. Dhe besoj se jemi në kohën e vendin e duhur. Kemi arritur pikërisht te shkronja e katërt e alfabetit tonë prej 36 shkronjash të arta, e dini cila është ajo? Cila ishte shkronja që morëm javën e kaluar? Më gjen dot 4 fjalë që kanë në trupin e tyre shkronjën C? Të lumtë! E hedhim edhe nje guralec te kavanozi. Pa dale ta shohim? Po shoh që edhe pak dhe mund ta bëjmë dëshirën tënde realitet. 

Tema mësimore: Punimi i shkronjës Ç, ç

Situata e të nxënit: Veshjet tona

Rezultatet e të nxënit të kompetencave sipas temës mësimore:

  • Shqipton, shkruan dhe lexon tingullin dhe shkronjën Ç, ç.
  • Qarkon shkronjën Ç, ç të shtypit në pozicione të ndryshme të fjalës.
  • Shkruan dhe lexon fjalë me shkronjën ç dhe shkronjat e mësuara.

Fjalë kyçe: palaço, çizme, çantë, kapuç, çorape

Teknika dhe strategji: Bisedë rreth figurës; Analizë e sintezë; Veprimtari në dyshe

Burimet e informacionit dhe mjete: Shkronja Ç, ç, etiketa fjalësh, foto veshjesh të ndryshme, etiketa me figura, tabela e bardhë

Lidhja me fushat e tjera: Arte

Veprimtari paraprake

Hapi 1. Bisedë rreth figurave (20 minuta)

I jepen te printuara figurat e një çante, çizmeve dhe çantës që të ngjyrosen. Ngjyrosen dhe më pas pyetet fëmija për emërtimet e tyre. 

Çfarë është kjo? Me cilën ngjyrë do e ngjyrosësh? Po ti çfarë ngjyre e ke çantën tënde? Do ma tregosh pak çantën tënde. Pra, kjo është një çantë. E shkruajmë poshtë figurës. Të lumtë. 

Po këto çfarë janë? Çizme? Të lumtë. M’i trego pak çizmet e tua. I ngjyrosim këto çizme njësoj si të tuat? Shumë mirë, tani e shkruajmë fjalën poshtë figurës. Të të ndihmoj unë? Atëhere Ç-I-Z-M-E! Më kënaqe!

 

Pse nuk i ke veshur çorapet? Nuk më kuptove? Ja po ta tregoj, i veshim te këmbët e na mbajnë ngrohtë. Ja këto te figura, këto janë Ç-O-R-A-P-E. Ngjyrosi tani, bukur më pëlqen kombinimi i ngjyrave.

Hapi i dytë: Analizë dhe sintezë (15 minuta)

Shkruani në dërrasa e bardhë fjalinë: Palaçoja bleu çizme të çuditshme. Dhe e lexoni bashkë disa herë derisa t’i japë intonacionin e duhur. Dhe kryejmë bashkë procesin e analizës, duke ndarë fjalinë në fjalë dhe fjalët në rrokje dhe më pas shkëputim tingullin “Ç”. Dhe e shqiptoni bashkë dhe theksoni që ky tingull është një bashkëtingëllore. 

Përpiquni të gjeni bashkë fjalë me shkronjën ç, në fillim, në mes e në fund të fjalës: çekiç, kulaç, saç, kapuç, çelës etj. I shkruani në tabela e bardhë dhe gjeni shkronjën e re “Ç”

Hapi i tretë Prezantimi i shkronjës “Ç” (10 minuta)

Tregoni grafikun e shkronjës së shtypit Ç e madhe e shtypit dhe ç e vogël e shtypit duke e shkruar te tabela. Nxiteni fëmijën ta prsërisë disa herë duke diskutuar për ngjashmëritë dhe ndryshimet me shkronjën C. 

Demonstrim i rezultateve të arritura:

  • Fëmija arrin të bashkojë rrokjet për të formuar fjalë dhe i shkruajnë: çadra, çohem, çelës, çaji, çora, çelësa, çajnik, çorape, çantë.
  • Lexohen fjalët dhe qarkohen rrokjet që përmbajnë shkronjën ç.

Vlerësimi i situatës:

Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:

  • Përshkruan mbi bazën e figurave duke folur rrjedhshëm, qartë dhe me intonacion.
  • Shqipton, shkruan dhe lexon tingullin dhe shkronjën Ç, ç.
  • Qarkon shkronjën Ç, ç të shtypit në pozicione të ndryshme të fjalës.
  • Shkruan dhe lexon fjalë me shkronjën ç dhe shkronjat e mësuara.

Detyrë shtëpie. Plotëso me fjalën që mungon fjalitë. Figurat të ndihmojnë!

Unë e hap derën me (1)

Kur bie shi unë marr me vete (2)

Mami përgatit çajin në (3)

Fëmijët i fusin librat në (4)

 

Burimi i informacionit: Libër për Mësuesin “Abetare e përbashkët, Shqipëri-Kosovë”

 

Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 9 Maj për të vijuar me mësimin 9. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

2 Maj 2020, ©FlasShqip.ca