Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 9-Punimi i shkronjës Ç

Përgatiti: Danjela Lumani

Të dielën e dytë të çdo maji është festa kombëtare e nënës. Pra nesër ju festoni në familjet tuaja festën e nënës e cila ndryshe nga vitet e tjera do festohet në mënyrë më intime, familjare e të ngrohtë. Ju baballarët e dashur, përgatisni një skenar ku personazhi kryesor është fëmija juaj. Pse jo edhe ora e mësimit të gjuhës shqipe të ketë këtë temë. Si ta kënaqim mamin? Si t’i tregojmë mamit se sa shumë e duam dhe e vlerësojmë punën e saj të palodhshme? Po sikur në mëngjes të ngriheni ju së bashku me fëmijët më shpejt dhe në sfond të vendosni këngën e të mrekullueshmes Anita Take “Kënga e nënës”. Nëse e keni mësuar tekstin dhe keni ndërmend t’ia këndoni bashkë, edhe më emocionues ky mëngjes. Emocionet e dashuria përcillen më bukur kur vijnë me fjalë zemre nga gjuha e nënës. Bëjeni fillimin e ditës së dielë të paharueshme nënës së fëmijëve tuaj. Dhe mës pas përgatitini bashkë mëngjesin e saj të preferuar dhe çojani në krevat. Le të jetë ky mëngjes çlodhës dhe surprizë e bukur për të. E meriton pafundësisht apo jo? Mëngjeset e nënave zakonisht janë të vrullshme dhe të planifikuara që t’i mbarojnë të gjitha punët e shtëpisë në mënyrë që e hëna t’i gjejë gati për të shkuar në punë. Dhe pas këtij mëngjesi të ëmbël, a jemi gati të vazhdojmë me mësimin e ditës? 

Ora e dytë e shkronjës Ç

Tema mësimore: Punimi i shkronjës Ç, ç

Situata e të nxënit: Çerdhja

Rezultatet e të nxënit të kompetencave sipas temës mësimore:

  • Nxënësi kupton tekstin që dëgjon në video.
  • Nxënësi lexon tekstin e tregimit qartë dhe pa gabime. 
  • Përshkruan figurën që është te video.
  • U përgjigjet pyetjeve në lidhje me përrallën. 
  • Pyet për t’u sqaruar rreth përmbajtjes së  tekstit ose rreth fjalëve të panjohura për të. 

Fjalët kyçe: çerdhja, çeli, zogu, veza

Teknika dhe strategji: 

  • Parashikim i ngjarjes
  • Lexim me ndalesa
  • Punë individuale. 

Burime informacioni dhe mjete: youtube, laptop/PC, fletore me vija të ngushta, lapsa me ngjyra, stilolaps

Lidhje me fusha të tjera: Arte

Përshkrim kontekstual i situatës

Veprime paraprake 7 minuta

I tregojmë fëmijës fotografinë: (fotografia bashkangjitur e zogut në çerdhe dhe vezët) 

1.Ku ndodhen vezët? 

2.Të kujt janë vezët?

3.Po çerdhja e zogjve ku ndodhet?

4.Zogu ku po qëndron?

5.Si mendon pse po i ruan zogu vezët? Kush është ajo?

6.Çfarë kuptove ti nga kjo figurë?

Dhe me këtë hyrje përforcojmë bashkë me fëmijën se sa e rëndësishme është figura e nënës, se sa shumë kujdeset ajo për fëmijët e saj deri sa rriten e bëhen të zotët e vetes. Ashtu si zogu me zoçkat e veta deri sa ata fluturojnë vetë e krijojnë familjet e tyre.

Veprimet në situatë 

Hapi i parë: Parashikim i ngjarjes 5 minuta

Shkruani titullin në tabelën e bardhë: Përrallëzat e shkronjave: Shkronja Ç si dhe i tregojmë figurën nga videoja. Përforcojmë terminologjinë e përdorur gjatë hapave të mëparshëm duke e pyetur fëmijën se çfarë mendon, për çfarë flet kjo përrallë. Përgjigjet i shkruajmë në tabelë.

Hapi i dytë Leximi me ndalesa 15 minuta

Para se ta dëgjojë përrallën nga videoja. Vazhdojmë me leximin me ndalesa.

Harabeli e kishte çerdhen te një blir i lashtë. Në pranverë shumë zogj shtegtarë i thurrën çerdhet aty. Bliri nga gëzimi çeli edhe më shumë lule plot aromë. Banorët e rinj jetonin në paqe. Edhe harabeli ishte i lumtur. Iku vera erdhi vjeshta, zogjtë shtegtarë nisën të largoheshin për te vendet e nxehta. Një mëngjes u bë gati për udhë tufa e fundit e zogjve që kishin mbetur.

Si mendon, çfarë do ndodhë me harabelin? Do niset edhe ai?

Harabel, -i tha një zog,- përgatitu shpejt. Sot do të shtegtojmë të gjithë.

Iu qoftë udha e mbarë ore mik,-ia ktheu harabeli…-unë nuk shtegtoj.

Ç’thua?!-u tmerrua ai. 

Po afron dimri, ne zogjtë nga të ftohtit…

Por harabeli nuk e la të mbaronte fjalën. Edhe sikur të vdes, dua të vdes në çerdhen time. -i tha ai. I përshëndeti miqtë e tij shtegtarë me këngën më të bukur që dinte. 

Pse nuk donte largohej harabeli? A mendon që harabelët i rezistojnë dimrit? A këndojnë vërtet bukur harabelët? Ja t’i dëgjojmë (kliko këtu) 

Më pas mund të dëgjoni përrallëzën bashkë. (kliko këtu)

Hapi i tretë: Punë individuale 15 minuta

Erdhi momenti që fëmija ta lexojë vetë tekstin në heshtje dhe më pas të bëjë pyetje nëse ka ndonjë paqartësi. 

Dhe më pas po me punë individuale fëmija plotëson fjalitë e marra nga teskti i përrallës.

  1. Harabeli e kishte te një blir i lashtë. 
  2. Bliri nga gëzimi çeli edhe më shumë plot aromë.
  3. Iku vera erdhi vjeshta zogjtë shtegtarë u nisën për në vendet e nxehta.
  4. I përshëndeti miqtë e tij shtegtarë me më të bukur që dinte. 

Demonstrim i rezultateve të arritura

  • Fëmija lexon tekstin me intonacion
  • Nxjerr mesazhin e tekstit

Vlerësim i situatës

Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:

  • Lexon tekstin qartë dhe saktë.
  • Përshkruan figurën që ilustron tekstin.
  • U përgjigjet pyetjeve që lidhen me përmbajtjen. 
  • Pyet për t’u sqaruar rreth përmbajtjes së tesktit ose rreth fjalëve të panjohura për të.

Detyra shtëpie

Vizato blirin me çerdhet e zogjve. 

 

Burimi i informacionit: Libër për Mësuesin “Abetare e përbashkët, Shqipëri-Kosovë” 

Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 16 Maj për të vijuar me mësimin 10. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

9 Maj 2020, ©FlasShqip.ca