Flet Ajdin Kozmaqi nga Saskatchewan: Të gjithë e mirëpritëm kthimin në normalitet
- Published in Komunitet
Për redaksinë e Flasshqip.ca komunikimi me shoqatat shqiptare kudo në Kanada është një proces i vazhdueshëm dhe burim informacioni me shumë interes. Në vazhdën e zhvillimeve të ditëve të fundit dhe për faktin se provinca e Saskatchewan ishte e para që vendosi heqjen e kufizimeve shëndetësore, komunikuam më njërin nga drejtuesit më të angazhuar të diasporës shqiptaro-kanadeze, z. Ajdin Kozmaqi, kryetar i shoqatës së shqiptarëve që jetojnë në qytetin Regina. Edhe pse në kushte kufizimesh, jeta e komunitetit ka vazhduar të jetë aktive. Ndërsa ndryshimet e fundit dhe rikthimi në gjendjen normale është mirepritur me entuziazëm nga të gjithë bashkëkombasit që jetojnë atje. Më poshtë edhe mesazhi që morëm prej tij:
Së pari, pranoni përgëzimet e sinqerta për punën e palodhshme që jeni duke bërë me portalin Flasshqip.ca.
Sinqerisht, jeni burim i shpejtë dhe shumë real i informacioneve, si i atyre që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda diasporës shqiptare në Kanada, ashtu edhe i informacioneve të zhvillimeve ekonomike, sociale dhe politike brenda shtetit ku jetojmë.
E nderuar redaksi, pas njē gjëndje morbide për afër dy vite, në Saskatchewan po i kthehemi hap pas hapi normalitetit. Qeveria provinciale ka hequr pasaportat e vaksinimit.
Nga data 14 shkurt, të gjithë jemi të barabartë, të vaksinuar apo jo të vaksinuar. Askund në provincë nuk kërkohet më dëshmia e vaksinimit. Personalisht jam i vaksinuar me tre doza të vaksinës anti-Covid. Por, gjithmonë e kam konsideruar si shkelje e të drejtave individuale vaksinimin e detyrueshëm.
Andaj, unë dhe të gjithë bashkëkombasit e kemi mirëpritur këtë vendim. Në veçanti, bashkëkombasit që i “rezistuan” dhe nuk u bënë pjesë e procesit të vaksinimit, ndihen si triumfues të këtij momenti dhe kësaj odiseade.
Këtu jeta po i kthehet normalitetit, posaçërisht pasi që virulenca e virusit ka rënë dukshēm.
Nga 1 Marsi edhe masa e fundit kufizuese do të hiqet. Nga ajo ditë, mbajtja e maskave nuk do të jetë më detyrim.
Si gjithë të tjerët, edhe ne shqiptarët po marrim frymë më lirshëm dhe i kemi mirëpritur vendimet e qeverisë së kryeministrit Scott Moe.
Edhe Shoqata jonë ka vazhduar me aktivitetet e saj edhe gjatë pandemisë. Gjatë verës kemi mbajtur disa tubime komunitare dhe socializuese. Gjatë vjeshtës dhe dimrit, klubi ynë i futbollit “Iliria” me sukses të plotë garoi në ligën e futsallit.
Në një tubim mbresëlënës, kemi ngritur për herë të parë para ndërtesës së Asamblesë Legjislative flamurin tonë të bukur mbarëkombëtar, për nder të 28 Nëntorit.
Të njëjtën gjë e bëmë edhe me ngritjen e flamurit shtetëror të Kosovës, për nder të 17 Shkurtit.
Si shoqatë, kemi mbajtur gjallë edhe shkollën shqipe. I kemi përmbushur të gjitha detyrimet financiare dhe presim rihapjen e shkollës tonë në muajin shtator.
Si komunitet, kemi raporte të shkëlqyera me Konservatorët (Saskatchewan Party). Edhe personalisht mbaj korrespondencë me Premierin e Saskatchewanit, z. Scott Moe.
Ne e mirëpresim vendimin kundërshtues të Qeverisë se Saskatchewan për Ligjin e masave të urgjencës.
Mua personalisht, vetëm emri masë e jashtëzakonshme, ma “vret veshin”, e të mos flasim për pasojat e këtyre masave.
Mendoj se është shumë e paarsyeshme vendosja e këtyre masave si rezultat i disa protestave që unë i quaj legjitime.
Nëse protestuesit pengojnë zhvillimin e jetës normale në Ottawa dhe Windsor, nuk është e nevojshme që mbarë shteti të vihet nën gjëndje emergjence. Ka rrugë dhe mënyra të tjera që të tejkalohen këto situata.
Duke ju uruar punë të mbarë dhe shumë shëndet, ju përshëndes nga Regina me plot dëborë!
Ajdin Kozmaqi, 17 shkurt 2022












