Blog

Mbi mitin e 28.000 dëshmorëve - Nga Gëzim Zilja

Kulti i individit ose mitizimi i ngjarjeve lind kur regjimi i një vendi ose jo rrallë dhe një individ, vë në shërbim dhe përdor të gjitha mjetet i informimit dhe të propagandës në favor të tij. Individi përdor gazetat, revistat, televizionet, spektaklet, artistët, sportistët, patriotizmin, mitingjet dhe tubimet, lidhje të veçanta me shtete e njerëz të fuqishëm, shpesh duke i korruptuar ata, madje edhe fenë kur është e mundur për të krijuar një imazh të idealizuar, të një njeriu të mençur, trim, atdhetar, të adhuruar nga njerëzit e vendit të tij, ku lajkat servilizmat, lavdërimet janë marramendëse. Gjithë kjo propagandë e gënjeshtërt, shurdhuese, shoqërohet me forcimin e shtetit policor dhe policisë së fshehtë, duke eliminuar kundërshtarët politikë si tradhëtarë e njerëz të korruptuar, me akuza të rreme. Ai nuk ngopet së nënshtruari kundërshtarët pa dallim të pasur e të varfër, nuk ndalet as duke e krahasuar veten me heronjtë kombëtarë, madje duke e vënë edhe mbi Zotin. Nëse ia arrin të krijojë imazhin e një njeriu jo të zakonshëm, ky individ fillon të manipulojë gjithë popullin, duke ndryshuar ligjet e kushtetutën në shërbim të pushtetit dhe njerëzve që e rrethojnë. Duke kapur të gjitha pushtetet e idealizuar figurën e vet ai e çon popullin drejt luftrave e revolucioneve, drejt kaosit, varfërisë, pasigurisë e mjerimit.

Enver Hoxha që sundoi me dorë të hekurt Shqipërinë sa ishte gjallë, duke shtypur çdo liri e të drejtë të shqiptarëve, ia doli të kthehej për një pjesë të madhe të tyre në një idhull, gati në një mit.  Ai krijoi mitin e partisë dhe njeriut të pagabueshëm, madje të pavdekshëm dhe për dyzet vjet ia doli të helmonte popullin shqiptar me ideologjinë e nënshtrimit, skllavit dhe besimit absolut te partia dhe udhëheqësi i saj. Këngë të tilla si Dy luanë ka sot bota/Një Azia një Europa/Mao Ce Duni në Kinë/Në Tiranë Enveri inë, këndoheshin nga golikët e parot, në kongrese e pleniume ku njerëzit gjakosnin duart, duke duartrokitur të ekzaltuar deri në marrëzi. Një nga mitet që ai krijoi duke vendosur veten në qendër të tij është numri i dëshmorëve të rënë në Luftën e Dytë Botërore nga formacionet luftarake të forcave çlirimtare shqiptare. Ky numër është sa i falsifikuar aq dhe qesharak. Mijëra këngë u krijuan për partizanët çlirimtare, ku merita kryesore padrejtësisht i vishej vetëm Enverit. Djem e vajza të reja dolën partizanë për një luftë të shenjtë siç është ajo për çlirimin e Shqipërisë. Dhe kjo u arrit. Gjithë ata dëshmorë do të kenë respektin e popullit shqiptar e do të nderohen përjetësisht. Gjithçka që ndodhi pas viteve 1944 dhe vendosjen e diktaturës nuk ka të bëjë me ata që dhanë jetën për çlirim. Ideali i tyre ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike dhe jo një diktaturë gjakatare komuniste. Po le të kthehemi te numri i dëshmorëve të rënë gjatë luftës së Dytët Botërore.

Në vitin 2012, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ministria e Mbrojtjes, nën kujdesin e ministrit Arben Imami, botoi librin “Dëshmorët e Atdheut”, “Real-Stamp”, Tiranë 2012. Autorët e librit janë: Kolonel Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Nënkolonel (R) Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj dhe Alida Vrioni.  Në këtë libër, janë publikuar të gjithë dëshmorët e Atdheut të tri periudhave: 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939, 7 prill 1939 deri më 31 dhjetor 1944 dhe të periudhës nga 1 janar 1945 deri ditët e sotme, të ndarë sipas qarqeve të vendit. Dëshmorët e Atdheut janë identifikuar me emrin, atësinë dhe mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen si dhe datën dhe vendin ku kanë rënë dëshmor.

Sipas këtij libri, janë evidentuar mbi bazën e dokumentave, dëshmorët sipas qarqeve të vendit: Berati 570 dëshmorë, Dibra 252, Durrësi 138, Elbasani 451, Fieri 886, Gjirokastra 1077, Korça 1058, Kukësi 210, Lezha 38, Shkodra 180, Tirana 506, Vlora 1424 dëshmorë. Shuma e përgjithshme në Republikën e Shqipërisë arrin në 6790 dëshmorë. Po t’u shtojmë këtyre edhe dëshmorët me kombësi italiane të përmendur në këtë libër, 114 dëshmorë, shuma gjithsej shkon në 6904 dëshmorë. Le t’u japim fund miteve të krijuara nga sundimi i Enver Hoxhës dhe të jemi të vërtetë me historinë tonë. Mitet dhe glorifikimet vetëm sa na bëjnë qesharakë dhe na ushqejnë me trimërira e heroizma të paqena.

© Gëzim Zilja