Blog

Gavrosh Levonja: Sot pseudo-opozitë, po nesër?

Beteja për kreun e grupit parlamentar të “opozitës” parlamentare filluar në gjirin e këtij grupthi, ka shkaktuar një “shqetësim” të konsiderueshëm në radhët e atyre që aspirojnë për një reformë zgjedhore, e cila do të zhbënte ato që u sanksionuan në vitin 2008 me marrëveshjen Berisha-Rama. Kjo për faktin se pothuaj gjithë deputetët e ardhur nga stoli i rezervave, me të zënë karriket e lëna bosh në parlament filluan të premtojnë poshtë e lart, duke filluar nga seancat e parlamentit për të vazhduar në daljet në televizione se do të “fundosnin” sistemin e tanishëm për t’i hapur rrugë një sistemi të ri i cili do t’u hiqte krerëve të partive të drejtën për të emëruar deputetët me lista të fshehta.

Si pasojë e duelit Rudina-Korab, i shpërthyer krejt papritur javën e kaluar, politika shqiptare ndodhet në “hall të madh” përsa i përket të ardhmes së reformës zgjedhore, e cila “nuk mund të bëhet realitet” pa “opozitën” parlamentare e në mënyrë të veçantë pa Rudinën, e cila edhe tani lëvizjen e fundit për zevendësimin e saj si kryetare e grupit parlamentar “demokrat” po e cilëson si një “përpjekje për të sabotuar” reformën zgjedhore. Mirëpo, në një parlament të dominuar nga ushtarët e Ramës asnjë hap nuk mund të hidhet pa dëshirën e këtij. Pra, edhe nëse kërkohet një reformë zgjedhore, ajo mund të bëhet realitet vetëm nëse do Edi Rama.

Eshtë pikërisht raporti i forcave në parlament shkaku i djegies së mandateve nga opozita reale. Duke lënë mënjanë këto, Rudina nuk mungon të akuzojë Korabin me shokë se po i “shërbejnë Ramës e Bashës”. Por, po të ndjekësh aktivitetin e zhvilluar nga kjo e ashtuquajtur “opozitë demokrate”, ai përmblidhet vetëm në gjoksrrahjet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, akuzat në adresë të Ramës e Bashës (disi më shumë ndaj këtij të dytit), votimin e ligjeve e projekteve të paraqitura nga shumica dërmuese rilindase, në kohën që asnjë fjalë për blerjet e votave të bëra publike deri dhe nga media të huaja, asnjë fjalë për tenderat e koncesionet korruptivë të qeverisë në kohën që vetë Rudina mori nën mbrojtje dhe ministren e Drejtësisë të akuzuar nga opozita joparlamentare për abuzim me shpenzimet gjatë aktivteteve jashtë vendit, a thua se Ramës nuk i mjaftonte detashmenti i grave të Rilindjes, të cilat për nga zelli barabiten vetëm me Taulant Ballën.

Nuk duhen harruar pa radhitur dhe nja dy darka të organizuara prej Rudinës me pjesëmarrjen e disa deputetëve të grupit të saj. Nga ana tjetër, duke shfrytëzuar takime e biseda me ndonjë të ardhur nga jashtë, Rudina e paraqet veten si të preferuarën e komunitetit ndërkombëtar gjë që e ripërsëriti edhe tani në kuadër të duelit me Korabin duke lënë të kuptohej se të huajt e konsiderojnë si të vetmen që mund të sigurojë realizimin e reformës zgjedhore. Gjithashtu, pak muaj më parë, ajo kishte deklaruar se “politikanët e tjerë i trembeshin duke qenë se ajo ishte e vetmja që i besonin të huajt, në radhë të parë amerikanët…”

Dhe, ndërsa lexoja këto, mendja më shkoi në vitin e largët 1991. Në stadiumin “Dinamo” të persekutuarit zhvillonin një miting ku natyrisht merrnin pjesë dhe udhëheqës të PD. Ndër të tjera, të persekutuarit kërkuan që për vuajtjet e tyre të vihej në dijeni dhe presidenti i atëhershëm amerikan, Geroge H. W. Bush. Menjëherë, një nga figurat kryesore të PD, kapi mikrofonin dhe premtoi se “po çe puna per Bushin, çysh neser e bie ktue…” duke çuar peshë entusiazmin e tyre. Mirëpo, të huajt dhe kushdo tjetër, nuk investojnë tek individë apo grupe që nuk kanë përfaqësim.

Njëzet vjet më parë, ndërkombëtarët po përgatisnin funeralin politik të Sali Berishës pas ngjarjeve të vitit 1997-1998, por duke qenë se grupi me të cilin tentuan të zevendësonin Berishën u pa që nuk kishte mbështetje në popull, në radhë të parë brenda radhëve të opozitës, nuk u desh shumë kohë dhe i u rikthyen sërish atij, pra Berishës duke e parë si variantin e vetëm të mundshëm për alternimin e pushtetit. Eshtë për këtë arsye që Rudina dhe Rudinët e tjerë, me të zënë karriken e deputetit duhej të kishin shkuar në bazën e partive të tyre për të parë shkallën e mbështetjes që gëzojnë. Në të kundërt, duke mos berë një lëvizje të tillë ata nuk mund të pretendojnë se përfaqsojnë dikë. Akoma më keq nëse bëhet fjalë për të ardhmen e tyre.

Pa një mbështetje të konsiderueshme nga strukturat në bazën e partisë, duke përjashtuar ata, partia e të cilëve është vetëm vetja e tyre, të tjerët, si puna e Rudinës politikisht do të jenë të vdekur, nëse nuk i bashkohen ndonjë partie fjala vjen si ajo e Astrit Patozit, pse jo edhe “Rilindjes”. Kështu edhe në rast të ndonjë ndryshimi të sistemit zgjedhor, të fituarit në krahun opozitar do të jenë krerët e opozitave aktualisht joparlamentare. Megjithatë, parë në një tjetër këndvështrim, Edi Rama duhet falenderuar, pasi me opozitën e stolit të rezervave krijoi një objekt argëtimi për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.