Historia lëpin plagët dhe rënkon - Nga Pëllumb Kulla
Sikur të gërmonim në fusha të tjera, aq sa gërmojmë në të kaluarën tonë, kushedi ç’minerale, kushedi ç’ujë dhe naftë, kushedi se ç’vend i begatë do të bëhej Shqipëria!
Kur njerëzit nuk janë në gjendje të ndreqin të tashmen dhe të venë themelet për të ndërtuar të ardhmen, kthehen me zell të ndezur të ndreqin të kaluarën.
Meremetimi i të kaluarës është tepër joshës, për nevojtarët. Kjo vjen ngaqë e kaluara jonë ka qenë aq e shëmtuar, sa tani të gjithë nxitohen të punojnë në të: të zhdukin, të fshehin, të dëshmojnë, të përkujtojnë, vetëm e vetëm që të zbukurojnë! Prishen e rikonstruktohen muzerat, pastrohen arkivat, qërohen dosjet, dëshmitë e filmuara…
Shkojnë në karton librat e vjetra të historisë, abetaret, rafte të tërë bibliotekash. Vetë autorë librash heqin fashikuj të plotë nga vepra e tyre, ndërhyjnë në paragrafe dhe fraza të veçanta. Ata e duan pasaportën e qytetarit legjitim të Europës dhe mendojnë se, për të rregulluar të tashmen, duhen futur duart në të kaluarën.
Nevoja për të operuar me të kaluarën pjell shoqata, lëvizje, protesta. Propozimet për dekorata, urdhëra e medalje vërshojnë lumë në drejtim të Presidencës. I shpjenë në komision të dekorimeve gra të veshura në të zeza për burrat e tyre të vdekur, bij hijerëndë që me kursimet e pakta kanë botuar ditarët e baballarëve, - baballarë më së shumti njerëz të zakonshëm, - që bijtë kursimtarë mundohen t’i nxjerrin në dukje pa qënë ata kurrë më parë, në dritë në të gjallë të tyre.
Libra, libra, libra!
Kot u bien më qafë firmave të ndërtimeve! Tek ne epërsinë e kanë marrë ndërmarrjet e botimeve!
Avlemendi i historisë nuk ka të ndalur. Natë e ditë këtu endet histori. Nuk hapen fronte pune, nuk përkujdeset për prodhimet e fushës që të frenohet importi i prodhimeve bujqësore nga jashtë. Në Shqipëri punohet dhe përpunohet historia. Vetjakja dhe e përgjithshmja.
Të mrekullon zelli i ca individëve që kaluan dhjetëvjeçarë, rehatuar në prehërin e regjimit hoxhist dhe tani, siç edhe pritej, jo vetëm ndreqin të shkuarën e tyre, por janë kritikët e përshkruesit më të ashpër dhe më egërshanë të diktaturës sē tyre. Bile, deri në ato shkallë që ajo nuk ka i ka pasë zbritur. Ata e ngarkojnë dhe e rëndojnë prehërin ku u përkundën duke “kujtuar” për veshët dhe sytë e të rinjve të sotëm, në të vërtetë duke shitur për heroizma leximet fshehurazi, të Fishtës, Frojdit, Niçes, Dostojevskit e deri nganjëherë dhe Shekspirit! Shteti komunist vërtet nuk i duronte dot këta emra, por mijëra e mijëra shqiptarë, pa puthjen e lamtumirës me mamatë e tyre shkonin dhe i gjenin lehtë këta autorë të papëlqyer të regjimit.
Kish plot njerëz që pa shumë drojë të thonin përmendsh qindra vargje të Fishtës. Unë mbaj mend që lexoja Frojdin në pikë të diellit shtrirë në rërën e plazhit të Vlorës, studentët e shkollës teatrale “Aleksandër Mojsiu” përkthenin, dramatizonin dhe përgatisnin për provimet e Mjeshtërisë së Aktorit copëza nga Karamazovët e Dostojevskit. Për të mos thënë, pastaj, që Teatri Popullor vinte radhë tragjeditë dhe komeditë e anglezit të pavdekshëm.
Janë të shumtë ish-komunistët, që me zell marrin hua jetën e kinezëve të Revolucionit Kulturor dhe e transplatojnë në Shqipërinë e Hoxhalisë. Nxitojnë ta bëjnë këtë se e duan që ta tundin si persekutimin e tyre intelektual, ngaqë persekutim tjetër, të gjorët, nuk patën. Nevojat paskomuniste stërstërnxijnë realitetin dhe ndohtin të vërtetën historike, inflacionojnë dëshmitë e tmerreve që gjithsesi ajo kohë i pati me bollëk.
Përpunimi i të kaluarës tek ne, në fakt, nuk është një shpikje e re e nevojave të ditëve sot. Nuk është se meremetimi i historisë po ndodh vetëm tani, pasi u përmbys diktatura. Ky vesi i meremetimit të historisë është trashëgimia më e pastër e saj.
Qëkur diktatura shaloi jetët e shqiptarëve, historia u bë toka më e lëruar e më e mbjellë se hapësirat e Myzeqesë. Diktatori vetë ishte punëtori më i zellshëm dhe bujku më i dalluar. Ngjarje të ndryshme vlerësoheshin dhe zhvlerësoheshin sipas nevojave dhe mendjeshkrepjeve të tij. Persona të gjallë dhe të vdekur ngriheshin në qiell, pas vitesh flakeshin për tokë dhe nuk vononin të ngriheshin prapë, pa skrupullin më të vogël. Priteshin shirita manjetofonësh me fjalime që nevoja nuk ua deshte më. Gërshërët e fotografëve, qëronin nga mbledhjet festive të luftës, pranitë e Sejfulla Malëshovës, Abaz Kupit, Popoviçëve, Tuk Jakovës, Mehmet Shehut, Nako Spirut e plot të tjerëve. Ishin nga ata, që pas tridhjetë vjetësh do të pushkatoheshin. Arrihej e u vihej gërshëra anëtarëve të Byrosë Politike të Stalinit dhe krerëve të ftuar nga shtete të tjerë, ngaqë në tribunën në Sheshin e Kuq, të gjorëve, ua patën caktuar vendet mes kreut të Moskës dhe Enverit tonë, i cili kish nevojë të dukej sa më afër carit të Kremlinit.
Emërtime sheshesh e rrugësh të qyteteve shqiptare viheshin dhe hiqeshin sipas drithërimave të trurit të Sëmurit të Madh.
Besnikët dhe bashkëpunëtorët e tij pasqyronin në shkrimet e tyre memorialistike tërë ndryshimet që, në një çast të caktuar, ndërmerrte i pari i tyre. Askush nuk habitej dhe nuk ngrinte zërin, kur një komandant, për të njëjtat merita lufte merrte Medaljen e Trimërisë dhe pastaj, pas ca vjetësh, merrte Urdhërin e Flamurit dhe kur mbushte 50 vjetët, shpallej Hero i Popullit! Edhe pse meritat tashmë qenë po ato, të asaj medaljes së parë.
Dukej sikur bëhej një herë lufta, e pastaj bëhej heroizmi për atë luftë!
Ja pra, e kaluara, me vlerat dhe bukuritë e saj, me dramat e tragjeditë që patën ndodhur tek ne, me përpjekjet e betejat, me vringëllimat e shpatave, me zhurmën e topave dhe mitralozëve me trokun e kuajve, me jehonat e hurrave, me të vdekurit e saj të lavdishëm dhe banalë, nuk gjen që nuk gjen dot prehje në përjetësinë që i takon! Dhe historia lëpin plagët dhe rënkon.





















