Blog

Vdekja e Zezë - Nga Klodi Stralla

Nga historia e pandemive

Gjatë gjithë historisë, Njeriu dhe Sëmundja, kanë qenë dhe do të jenë bashkëudhëtarë me njeri-tjetrin. I pari përfaqëson jetën, e dyta vdekjen. Një luftë sa e vjetër aq edhe e ashpër, me dëme e viktima, por që ngahera është fituar nga Njeriu.

E tillë do të jetë edhe kjo e tanishmja ndaj Coronavirusit, një trup i vogël, submikroskopik, që mposht një qenie të gjallë si njeriu, disa miliarda herë më i madh se ai, në sajë të shumimit e përhapjes të shpejtë, por edhe të faktit që do të duhet pak kohë sa t’i gjendet vaksina-arma që do ta vrasë, siç vrau ndër shekuj, bacilet e tuberkulozit, malarjes, fruthit, lisë e shumë e shumë sëmundjeve të tjera ngjitëse, që merrnin jetën e miliona njerëzve.

Në Mesjetë, midis viteve 1347-1352, pothuaj gjysma e popullsisë europiane vdiq nga “Vdekja e Zezë”, një sëmundje ngjitëse që erdhi nga Azia. Miliona njerëz, mendohet rreth 25 milion, të varfër e të pasur, humbën jetën me dhimbje e vuajtje të llahtarshme. Një pamdemi shkatëruese nga çdo pikpamje, që i ndërroi faqen demografike dhe ekonomike një kontinenti të tërë.

Historianët tregojnë se ajo fillimisht u shfaq në stepat e Azisë, në ushtrinë mongole dhe mbërriti në Europë, në Itali, në Gjenovë kur mongolet rrethuan qytetin dhe hodhën aty disa kufoma të ushtarëve të tyre të infektuara. Natyrisht nuk ishte epidemia e parë që pësonte njerëzimi, por ishte më shkatërrimtarja e njohur deri atëherë.

Përhapja u bë me shpejtësi orteku, falë minjve që gjendeshin në çdo anije tregëtare gjenoveze. Po e tillë ishte edhe vetë shpejtësia e sëmundjes. Pas tre dite të shfaqjes të simptomave të para njeriu vdiste me dhimbje të padurueshme. Aq e shpejtë dhe masive qe sëmundja sa të vdekurit nuk varroseshin rregullisht, por hidheshin në gropa të përbashkëta.

Statistikat e vdekjeve nuk janë të sakta, por sot kemi një dëshmi të një prifti nga Burgonja (Francë), që mbante ditar. Në fshatin e tij me 1500 banorë vdiqën 643 persona, midis 1 gushtit dhe 15 nëntorit të vitit 1348.
Për epokën mesjetare kjo pandemi ishte përtej kapaciteteve të saj sanitare. Karantina (izolimi) ishte masa e vetme mbrojtëse. Veshjet dhe sendet që kish prekur i sëmuri digjeshin e shkatërroheshin.

Por ajo që ishte më shkatërrimtare ishte qëndrimi botëkuptimor ndaj sëmundjes. Ajo u interpretua si mallkim e ndëshkim hyjnor nga Zoti dhe filluan të kërkojnë fajtorët dhe përgjegjësit. Nuk vonoi që përgjegjës u shpallën, si gjithmonë, çifutët që u akuzuan se kishin helmuar ujin e puseve. Raprezaljet ndaj tyre ishin masive dhe po aq të dhimbshme sa vetë dëmet e sëmundjes.

U desh të vinte shekulli i 19-të që të kuptohej shkaku i vërtetë i saj dhe t’i gjendej vaksina e duhur.
Kështu do të ndodhë edhe kësaj here!