“Helmeta dhe kunadhja pa bisht"- Nga Leon Mirakaj
Një Tare, i ndihmuar nga një Vehbi, ka publikuar një shkrim, ku rreket të arsyetojë, me disa fletë bakalli, që i shet për dokumente të rëndësishme, se dy nga letrarët më të mirë të të gjithë hapësirës shqiptare ndër vite, ishin agjentë të rrezikshëm, poliagjentë, poli-poli agjentë e ca më shumë.
Ishin aq shumë agjentë e të aq shumë shërbimeve, sa në një pikë të “studimit”, Tarja e humb fillin.
I dalin agjentura tepër; i përplasen amerikanët me sllavët, rusët me gjermanët, italianët me austriakët e të gjithë këta, nën kontrollin e rreptë të syrit vigjilent të Sigurimit të Shtetit.
Loja bëhet interesante.
Tare, me helmetë në kokë ose me kokën helmetë, para një PC fillon të rreshtojë “faktet”. Ia fillon herët.
Një mësues 20 vjeçar, nga Prekali i Shkodrës, thirret në hetuesi nga një super agjent i Sigurimit.
Një farë Kapisyzi.
Një Zherzhinsk shqiptar, krahë të marra borxh nga Sigurimi, zejeve të qilim-punuesve.
Ky tipi, - mbasi kish torturuar, dhunuar, lënë pa krahë e këmbë disa prifëtrinj katolikë, dhunuar muhamedanë, orthodhoksë, gra e të rinj shqiptarë, - thërret në zyrë edhe mësuesin e ri.
Mes intelektualit të përpunimit të leshit dhe mësuesit të ri, biseda duhet të ketë qenë kështu:
“Mos u ul!
Pis!
M’nigio (për absurd, kafsha e leshit fliste gegnisht), kam me ta rrjep likurën e me ta mush me lesh dhije (i vetmi asortiment që xhironte në kokën e sigurimsit të leshit).Ja ti m’tregon se me kê doni me na rrxu pushtetin e dalun prej gryks pushkës, ja vallahi, lej nam n’ty e n’tan fisin!
Ju mysi krejt e ju rrjepi likurën si berret.”
Nuk di ça i ka thënë mësuesi i ri kafshës, por, mbas disa ditësh, me një grup burrash me mustakë e me dy prej atyre që ishte dashtë me i paditë, doli matanë kufirit të ruajtur nga oficeri i leshit.
Në Jugosllavi.
Këtu Tarja heq helmetën me gjith kokë e fillon me lodru me ment’ e mbetun mbas qafe.
Së pari i bën llogaritë në xhep mësuesit të ri, që, ndërkohë, edhe për çudi të studiuesit kokë-helmetë, kish kërkuar e filluar të... studionte.
Në mendjen e shkëputur nga shpatullat të studiuesit, kjo ishte një çudi!
“Si gjeti bursë me studiu një emigrant politik!?
Pse shteti jugosllav ia dha bursën kur, qartë dihet se te ne, kush arratisej nuk merrte bursë, bile as kunati i burrit të motrës”?!
Hajde thuaji Tares se në Jugosllavi, edhe nëse i fusnin në burg prindërit si irredentistë, si antikomunistë, a si ballistë, fëmijët merrnin bursa studimi.
“E kuptova - thotë Tarja, - që nuk qenë njësoj sistemet, edhe pse ishin komunista andej e këndej por... bursën nuk kuptova pse ia dhanë”!?
Ky ishte armik!
Nejse Tare, vazhdo.
“Ai - thotë “helmeta”, - u martua me një vajzë serbe.
Bile e një familjeje të fuqishme të nomenklaturës.
Si ndodhi kjo?
Ça të ishte mbas kësaj?
Të qe Sigurimi i Shtetit, që e kish rekrutuar apo UDB-ja?
Kisha katolike apo shërbimi informativ kinez, i cili, edhe pse joprezent në studimin e Tares, një farë ngacmimi ia jep, ndërsa fantazon.
Po.
Kinezët duhet të kenë pasë dorë në këtë martesë.
A nuk janë ata që shtohen si lepujt?
A nuk është katolik Camaj?
A nuk thot Bibla: ”tani u trashëgofshi. Shkoni e shumohuni”.
“Poo, ja ku duallën edhe kinezët!”
Iso-fonia e Tares kthehet në dialektale e merr drejtqëndrim.
Natyrisht as në mend nuk i shkon që një mashkull 1:90 cm i gjatë, i pashëm si Apollon, i zgjuar, emigrant e për këtë edhe më tërheqës në zemrën delikate të një femre (edhe pse serbe, ajo o Tare, është femër) e për më shumë, poet, mund të bëjë të dashurohet një femër!
“Hoopa njëherë ti aty!
Ça dashuri thua!?
Un po shkruaj studim me ashtu, me James Bond-a.
Aty femrat përdoren nga 001, oopss më falni. Jam mësuar me atë xhipsin antiparti, xhips rus me një llaf.
E kisha fjalën që 007 i përdorin femrat.
Në film me ta nuk ka dashuri.
Në filmat me spiuna e kam llafin”.
“Duhet të gjej një spiun që ta bëj më të besueshëm këtë poliagjentin”- mendoi uniforma pa grada.
Ku më mirë se një njohje e vjetër e shqiptarëve.
“E gjeta” - mendoi.
Eureka!
Jo, më mirë jo eureka, se do dyshojnë që jam spiun grek.
E gërmoi Tarja, e gërmoi dhe gjeti qeni e ngordhur çalaman.
Dushan Mugoshën.
Ky dushman-Dushani, do merrte nën sqetull e ta bënte agjent poetin për ta hedhur në shërbime kundër atdheut.
Këtu ngeci pak Studiuesi ynë.
“Po sikur të ma marrë për keq shoqja Nexhmije, po Ai që ka vdekur, që e kishte shok e mësues këtë e që me të vrau e preu ç‘i doli shqiptar përpara?
Po shoku Mehmet, shoku Hysni, Shefqet, Kadri, Koçi (jo, ky në të sëmës, se ka vdekur), po këta ça do thonë, nëse ua prek Çalamanin!?...
Ai i mësoi e i lazdroi, i bëri të vrisnin e shkatërronin Shqipërinë, i bëri njerëz, si unë me një llaf,
hë, çfarë do mendonin ata!?
Se më duket pa kuptim që ai, i cili bëri spiunë e kriminelë tërë këta këndej, të marrë një poet njomëzak e ta hedhë nga andej, këndej, për të rrëzuar ata... këndej.
U ngatërrua puna.
E la Tarja shkrimin.
Qe bërë natë e, ndërsa hëna binte, ai vishte rroba e polumbarit e shkonte të vidhte ndonjë metalik në anijet e mbytura përgjatë luftërave.
Shpresa e tij e vërtetë ishte të gjente ndonjë radiogram çeliku e të pa dëmtuar, ku anglezët pranonin se kishin minuar vetë anijet e tyre në kanalin e Korfuzit.
Edhe pse kish nxjerrë bajoneta të ndryshkura, hanxharë turq e amfora të thyera greke, radiogrami nuk dukej gjëkundi.
Polumbari ynë ama nuk e humbte durimin.
Netët janë të gjata.
Në mëngjes iu rivu punës.
“Camaj - Mugosha, Camaj - Mugosha. Po sikur të fusim në lojë agjenturat amerikane? Ato ruse po se po. E bëjnë më të besueshme.
Kinezët.
Ja, prapë me dalin këta kinezët.
Më janë bërë si virus.
Tanimë poeti i ri nuk kish shpëtim. Amerikanët, rusët, serbët dhe 5 repubikat e tjera po e rekrutonin. Ziheshin kush e kush t’i merrte info më parë. Ai ndërkohë kish filluar të shkruante, bile shuuumë bukur.
Po ky është “detaj” për helmetën tonë.
“E pastaj!? Edhe unë shkruaj, po kjo nuk më ndalon të jem spiun a ku e di unë ça më vjen në mend”.
Për çudi - thotë Tarja, - Camaj mbaron studimet.
Për çudi fillon e boton, për çudi flet edhe te radio Beogradi shqip.
Çuditet, me të drejtë.
Gjithçka ndodh jashtë kufijve të Shqipërisë së asaj kohe, për Taren, kohët e arsyetimit nuk kanë ndryshuar. Janë ngjarje e fenomene të pa kapshme nga të gjithë ata që jetonin në Shqipëri, imagjinoni për studiuesin tonë.
E megjithatë diçka ngecte në studim.
Spiuni spiunonte rëndë, por ku merrte info?
Ku i çonte?
Jetonte me gruan e të spiunonte atë ishte normal për takëmin e studiuesit tonë, por jo për poetin.
Atëherë i duhej gjetur një humus.
Duhet katapultuar në një tjetër ambient, pranë një babai të spiunazhit.
Një me cilësi më të larta në spiunim.
Dikush i lidhur me shtatë a tetë agjentura.
Një që urrente egër Shqipërinë, dikush që ta kish urryer aq shumë sa t’i kish bërë ca shkrime për të që njerëzia të qante nga dëshira për t’i lexuar.
Të reflektonte (pra një fenomen armiqësor) mbi ç‘është atdheu! (Ky koncept borgjezo-revizionist).
Bile, mundësisht, dikush që kish pikëpamje shovinisto-nacionalisto-patriotike.
Nga ato pikëpamje që janë si helm në sy tek shkrimet e Atija.
Dikush që kish punuar që Kosova të bashkohej për herë të parë e të vetme (deri më tash) me Shqipërinë.
Te fashisto, hitlerjano, amerikano, sllavo-ruso, kinezo... oopss, prap kjo! Kina nonën!
Koliqit!!
E gjeti më në fund.
Ky po që i ngjiste në studim, se ishte i përdorur si emër në shumë dokumente.
Ka qenë ministër, ka qenë ama ambasador.
Jo nuk ka qenë.
E mirë, duhet të ketë qenë.
Kur je spiun i shtatë a tetë vendeve, ça vlere ka për historinë e të vërtetën, po nuk vure që ka qenë edhe spiun, agjent e ambasador i Vatikanit.
Pra Koliqi, me agjentët e tij, merr Camajn në Itali, i bën një kurs rekrutimi 6 mujor te “Plepat” e, - mbasi e detyron të shkruajë më mirë se kërkush që të mbulojë gjurmët, - e vë edhe të drejtojë një nga revistat më interesante të botës së emigracionit shqiptar. Më interesanten e më të mirën.
“Shêjzat”.
Revistë kjo... dëgjoni pak njerëz!
E drejtuar direkt nga Presidenti i Amerikës, i cili, për të mos u kuptuar që e financonte në dhé të huaj e që të mos e kuptonte CIA e FBI amerikane, i vidhte paratë nga kuleta e gruas dhe mbante Camajn, Koliqin, revistën e ca agjentë të tjerë, që emrat i kanë ngatërruar apo të fshirë me tutkall.
“Tutkall!”
“Pse më është i njohur ky emër”- mendoi studjuesi ynë!?
Nejse. Të vemë përpara.
Agjent nuk bëhesh.
Lind.
E Koliqi qe i tillë.
Në revolucionin rus, qe në krah të Denikinit.
Në kryengritjen e Mynihut, i rekrutuar nga shërbimi i Kajzerit e i infiltruar në rrethet gjermano-çifute të letërsisë.
Në Spanjë, pranë vullnetarëve komunistë ku rekruton Petro Markon, të cilin më vonë e shpëton në Romë nga nazistët, shokët e tij. Mbasi lidh Hitlerin me Papën, i var kollaren Churchill-it e ia fut Musolinit, bashkëpunon me Stalinin për t’u infiltruar për hesap të tij si pjesëtar i “Gladio”-s.
Imagjinoj që çdo kaptinë, me mend në kokë, do qe lodhur e do kish humbur fillin.
Veç koka-helmetë rri stoike në llogoren e krijuar prej asaj vetë.
Ushtari bjond japonez nuk heq dorë.
Populli ynë ka nevojë për spiunë e unë spiunë do t’i gjej.
Kanë qenë shkrimtarë të mirë?
Kanë qenë më të mirët?
Kanë ndihmuar Shqipërinë me sa kanë mundur, kanë dashur e janë urryer!?
E pastaj!?
Po pse, ku do t’i gjej spiunët unë që të lexohet studimi im në portalin e spiunëve?
Mos i intereson më njeriu ça bëri Kapisyzi i leshit, Kadriu që shkoi për lesh, Temja që shkoi si qeni në vresht se Enveri mendonte që: ai e Mehmeti, të mbështetur nga Beqiri, nën syrvejimin e Hysniut, për konto të Koçit, i cili qe lidhur me jugosllavët e që ata nëpërmjet rusëve, i thanë se Mehmeti qe i inglizit, por Kadriu qe i yni, ndësa jugosllavët përplaseshin me... kinezët... ah këtu me rri, që Fiqereti e Nexhmia ishin të tyret!?
Jo ore, se më lodhen njerëzia me këto gjëra!
Plus që këta ishin gjithë nga ana e drejtë e luftës.
Luftuan me vrull e furi nën urdhrat e Mugoshës, sa i qinë tëmën Shqipërisë, vetes e ne të tjerëve.
Po!
Më në fund, mbasi u bën një nekrologji poetëve shkrimtarë e spiunë, Studiuesi vendos një pikë.
I vë dhe gishtin sipër për ta firmosur.
Një gisht gjithë bojë, llum monedhash të ndryshkura e yndyrë pilafi kinez ngjeshet mbi emrat e Camajt e Koliqit.
Tani ai është i qetë.
Puna u krye me sukses.
I takon “dhelprës pa bisht” që të vazhdojë lojën me spiunë.
Ai e ka më me zell, edhe pse zellin e mbulon nën gëzof.
Eshtë nga ata... si quhen!?
Kritik.
Nga ata që dëshirojnë, por dështojnë të shkruajnë, sepse janë të paaftë.
Nga ata që, si teneqexhinjtë që u bënë sigurimsa, kur u ranë në dorë intelektualët, i groposën së gjalli, bile iu prenë edhe krahët, sepse menduan që me krahë e me kokë, edhe pa penë, gjymat e kazanët mund t’i bënin edhe më mirë se ata që ishin marrë me atë punë gjithë jetës.
E imagjinoi Studiuesi ynë bashkëpunëtorin.
Strukur diku në dhé të huaj, si brejtës, me fara luledielli në xhep, tek fërkonte atë mjekrrën e pa qime, si të një shitësi lakuriqësh nate, kinez, në tregun e Wuhanit.
Ja aty, tek i gëzohet studimit.
“Oh edhe sot, si punuesi i leshit Kapisyz, i vramë nja dy poetë, nja dy patriotë, nja dy nga ata të mëdhenjtë fare.
Nesër, me kësmet...” ndoca të tjerë.
Ndërsa helmeta pa kokë shkoi të zhytej në kërkim të radiogramit, “kunadhja pa bisht” (ndryshonte pseudonim çdo 12 orë), qe mbledhur kutullaç në banjo.
Kish ngrënë shumë e qe radha e tij të shkruante...





















