Prangat e pushtetit dhe halabakët me uniformë polici - Nga Ilir Gjini
Dikur, një i afërmi im, Petro Kavo me profesion mësues, u arrestua pasi u shpreh se ishte e padrejtë që fshatarët (kooperativistët) edhe pse e prodhonin vetë grurin, ishin të privuar dhe duhet të hanin vetëm bukë misri, ndërsa qytetarët ishin të privilegjuar dhe konsumonin bukë gruri.
Megjithë shfajsimet e Petros, gjyqtari e dënoi me tetë vite burg, pasi sipas tij ishte e pafalshme për një mësues të stimulonte “armiqësinë” midis fshatarësisë kooperativiste dhe klasës punëtore. Por edhe i shkreti Petro që bëri tetë vite burg për një fjalë goje, u tmerrua kur pa që artistë e intelektualë u tërhoqën zvarrë dhe u dhunuan në stacionet policore, pasi po stimulonin “armiqësinë” ndërmjet policisë dhe publikut, duke filmuar e pastaj shpërndarë në rrjetet sociale “zdrugimin” që policia jonë shëmbullore iu bën qytetarëve.
Sociologu Ergys Mërtiri dhe arkitekti Astrit Seranaj provuan arrestimin e dhunshëm vetëm se po filmonin dhunën policore, ndërsa koreografit Donald Martini, meqënëse përdor shumë këmbët në artin e tij të kërcimit, policia iu përgjigj po me këmbë duke demostruar artin e karatesë.
Pyetja që lind teksa shohim këto veprime tejet të dhunshme madje dhe të dënueshme penalisht është: ku e gjejnë kurajon këta halabakë me uniforma policie të ushtrojnë dhunë? Ku e gjen kurajon një inspektor krimesh që për dhunën e ushtruar brenda ambienteve të komisariatit të gënjejë duke thënë që janë plagë të shkaktuara më parë?
Përgjigja nuk është e vështirë për tu kuptuar. Deri më sot kemi një armatë të dënuarish për tubime të paligjshme, por jo policë që dhunojnë qytetarët, artistët që mbrojnë teatrin, apo edhe gazetarët që arrestohen sikundër ishte edhe rasti i kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë.
Trimërimi i policëve dhunues vjen nga filozofia e dhunës që predikojnë te ata shefat e tyre e deri tek kryepolici Ardi Veliu, e madje edhe Kryeministri Rama. Kryepolici Veliu e “hëngri turpin me bukë” kur mbronte dhunën e policisë me një video filmash, ndërsa Kryeministri “sade” kur u kërkonte policëve që pas pune të hiqnin kapelet dhe të mblidhnin vota për Partinë Socialiste. Kushtrimin e të parëve e dëgjoi edhe Robert Aga, ish shef i Komisariatit të Dibrës, që në përgjime dëgjohet se kërkon poste të rëndësishme në këmbim të mbështetjes për partinë.
Në këtë rast nuk po bëhej ndonjë qamet i madh, pasi vetë Kryeministri tha se të gjithë ata që nuk votojnë PS-në janë dele. Këtë të dhënë duhet ta ketë parasysh Ministria e Bujqësisë, që kur të përpilojë statistikat, numrit të përgjithshëm të të imtave t’i shtojë edhe 500 mijë delet e popullit opozitar. Vetëm se edhe delet kur ndjejnë rrezik, mbidhen bashkë dhe ndonjëherë godasin edhe me brirë. Prandaj mos t’i lemë të na shumohen, se video-bërësit janë edhe më keq se brirët e opozitës.
Britmat e shoqërisë civile dhe popullit opozitar nga dhuna policore, nuk dëgjohen deri në olimpin qeverisës. Por çudia më e madhe është se nuk po dëgjohen as kur vijnë nga Komisioneria e KE-së për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatovic! Kryeministri apo Odiseu ynë, është tepër i angazhuar për ta drejtuar anijen qeverisëse drejt gjirit të BE-së dhe ka zënë veshët me dyll për mos dëgjuar sirenat opozitare që e “joshin” për ta braktisur atë, me qëllim që t’i vënë vendin e kapitenit.
Vetëm se dhuna e verbër policore si ajo që la vraga në portretin e Donald Martinit, apo prangat në duart e gazetarit Qamil Xhani teksa filmonte dhunën policore, me siguri do t’ia prishin drejtimin busullës dhe ndërsa presim të mbrrijmë në brigjet e Europës do shohim brigjet e Algjerisë nga ku Kryeministri postoi edhe videon e famshme të dajakut të “policisë spanjolle” mbi qytetarët që thyenin orën policore!
©Ilir Gjini



















