Blog

Big Brother në vend të Limoz Dizdarit - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Limoz Dizdarit, kompozitorit të mirënjohur që ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare, aq i dashur për publikun për krijimet e tij, ku veçojmë “Këputa një gjethe dafine”, në vend të kurorës me dafina të mirënjohjes, i zaptuan Teatrin e tij të ëndrrave “DEA” në Ksamil, për të ngritur kullën e radhës.

Kullomania për të fituar pa u bërë merak për vlerat që shkatërrojmë, Big Brother-i në vend të artit të vërtetë, po mbizotërojnë kudo. Kompozitori Dizdari kishte investuar në Teatrin “DEA” prej më shumë se 20 vitesh duke e kthyer në një oaz kulture, por kjo nuk mjaftonte për pushtetmbajtësit tanë.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si regjimi shkatëroi në mesnatë Teatrin Kombëtar, pa pyetur për shqetësimet e artistëve, historianëve e arkitektëve, që kërkonin ruajtjen e tij si një vlerë e çmuar e trashëgimisë sonë. Pa mëshirë, nën rrënojat e Teatrit u groposën shumë vlera memoriale të tij. Rekuizita shfaqjesh, shirita fonikë, kostume e suvenire të aktorëve. I gjithë ky shkatërim për t’i hapur rrugë kullave ftimprurëse.

Historia sërish përsëritet. Kompozitori Dizdari u përballë dje me një surprizë të pakëndëshme, kur teksa po kthehej nga një vizitë tek mjeku, e gjeti të zaptuar e të përdhunuar teatrin e tij të ëndrrave. Skulptura e piktura të përçunduara, rafte librash përtokë të shqyera dhe roje te porta që i ndaluan hyrjen. E gjithë kjo komedi e zezë kaloi pa bujë mediatike. Mediat ishin të zëna se si e tha batutën kryeministri apo kush hyri në Big Brother!?  Madje edhe eventi më i rëndësishëm muzikor i vendit “Festivali i Këngës”, i hapi portat për Big Brother-in.

Shoqëria shqiptare fatkeqësisht po bigbrotherizohet. Me një opozitë të preokupuar te lufta brenda vetes dhe ndrrimi i bravave, me media të vëna tërësisht në shërbim të regjimit, shkatërrimi i një teatri nuk përbën lajm. Lajm përbën nëse Donaldi puth Beatrix, Rama ka veshur shallvare, Lali Eri mbolli një fidan.

E kush do t’ia dijë nëse Limoz Dizdarit i prishin Teatrin “DEA”?  Fundja kemi Dea-n tjetër, atë të Butrintit. Ugolini e grabiti pasi e zbuloi në 1928, por fatmirësisht italianët na e kthyen në vitin 1981.

Dyzetë e dy letra dërgoi kompozitori Dizdari në të gjitha instancat e shtetit madje edhe tek ambasadorët që nuk lënë qokë pa evidentuar, por nuk mori asnjë përgjigje.

Heshtje dhe vetëm heshtje. Heshtje ndaj një kompozitori që do mbetet në memorien e kulturës së kombit. Heshtje ndaj një personaliteti që me notat muzikore pikturoi portretin më të bukur të atdheut tonë. Heshtje ndaj maestros që kompozoi simfoninë e alpeve kryelarta, pëshpërimën e gjetheve të dafinës kur era i përkund, zhurmën e harlisur të burimeve e krojeve kur bora shkrin dhe melodinë e tik-takut të zemrës së dashuruar. Heshtje edhe nga komuniteti i artistëve, përveç dirigjentit Bujar Llapaj.

Kompozitorit të famshëm të muzikës së dafinave Dizdari, tani nuk i mbetet veçse të kompozojë versionin e dytë të “Preludit të Vdekjes” të kompozitorit famoz Rahmaninov, si një etyd për vdekjen e drejtësisë dhe shtetit ligjor.

E teksa po shkruaja këto rreshta më erdhën ndër mend disa vargje nga poezia që shkrova kur u prish ndërtesa e Teatrit Kombëtar:

Edhe vetë Zeusi nga Olimpi këtë tragjedi po vështronte,

I’u dhimbs Prometeu që zinxhirësh rënkonte…

Një lot syrit i rrodhi si një shkrepëtimë,

Prometeut zinxhirët i këputi, i fali lirinë,

Ti veç zjarrin vodhe…

Këta kulturës i vodhën flakën!

Pluhuri i memories në qerpikët e qytetit ra,

Qyteti u zgjua po Teatër më nuk pa!

©Ilir Gjini