Blog

Dua, nuk po du mo me t'pa! - Nga Alba Kepi

Alba Kepi - Itali

Ka një teh delikat mes artit e politikës, artit e ironisë, artit e rrymave të ndryshme të tij, reales e surreales, që quhet elegancë intelektuale, e që për këtë DUA të kësaj dite (lutje e Zotit) mbrëmë u shfaq kaq trashanike, dhunuese e dështuese sa marketingu i një artisti në armët e para, që pështyn dhe veten për të tërhequr vëmendjen.

E publiku delironte nga kënaqësia!

Për një Dua (lutje) besimtarë myslimanë, katolikë, ortodoks, bektashinj shqiptarë janë burgosur, vrarë e internuar.

Bashkë me ta klerikë hoxhallarë, priftërinjë, murgesha e njerëz të zotit u torturuan, u ekzekutuan e sot janë martirë e hyjnorë viktimë të një prej diktaturave më të egra në Ballkan e Europë.

Për një fjalë "Dua", shqiptarë të lirë që shprehnin mendimin, kritikën, gjykimin e tyre u pushkatuan, mbetën pa varr, o u dërguan në gulagët mizorë të komunizmit.

"Dua liri", "Dua jetë", "Dua të shprehem", "Dua të lëviz", "Dua Beatles-at, Çelentanon e Battisti", "Dua të marr frymë", "Dua bukë, mish, fruta...", "Dua dashurinë", "Dua Kosovën", e sa dua njerëzore u përdorën për të vrarë e zhdukur dashurine njerëzore!

Mund të jesh një artist i mire, i talentuar e karizmatik, global o lokal, mund të jesh miliarder o mik i ngushtë i pushtetit ku sjell artin, por askush nuk të ligjëron të keqpërdorësh historinë, sensibilitetin, dinjitetin, qytetin e kombin për qëllimet e politikës.

Dhushëm si drama e një gruaje të përdhunuar në dhomat e sigurimit për burrin në burg, si vrasja e fëmijës së armikut të pushtetit, si varret masive të masakrave komuniste u shfaq ylli i Duas në mes të Tiranës!?

E publiku para kësaj skene delironte nga kënaqësia!?

Kjo është drama brenda dramës që po jeton sot kombi.

Pa histori, pa kulturë historike, pa gjurmë historike, pa koshiencë historike, pa përgjegjësi historike rrezikojmë sot të jemi kombi antikomb.

Mikrofoni, studio, analiza, historia, intervista, gazetaria, arti i është dorëzuar çdokujt, pa kriter, pa etikë, pa përgjegjësi, nga banali hajdut që vjedh mendime djathtas e majtas, tek karagjozi që në Facebook ka marrë kenaqësinë e frustrimeve të jetës.

E duket si një aksion i pilotuar antikomb; të krijoj rrumpallën mbi rrumpallën. Antiprofesionizmi të mund profesionin. Banaliteti të sundojë thellësinë, origjinalen, akuten, inovacionin.

Askush në atë shesh mes Tirane nuk kuptoi se ç'ndodhi, se delirimi i antikombit ka çuar të harrojmë ku ishim, çfarë vuajtëm e ç'po vuajmë.

Çdo ndodhte nëse në mes të Berlinit të shfaqej kryqi nazist o në mes të Romës, përshëndetja romane?

Artistja do të ishte fishkëllyer, të rinjtë do të boshatisnin sheshin duke kënduar himnin kombëtar me simbolin e demokracisë lart me shenjën e duarve.

Ky nuk është art, as ironi, as video komike e datuar, është me fjalë të thjeshta e të vërteta një simbol antikombëtar i dënuar nga Kushtetuta.

Përgjegjësitë janë të dokumentuara e institutet shqiptare që mbrojnë e kujdesen për viktimat e simbologjisë së këtij sistemi antijetë, kanë të drejtën për të paditur dhunimin e fyerjen ndaj tyre.

E atyre që sot nxjerrin videot e datuara për ta justifikuar i pyes: Pse nuk përdorët pas komicitetit të saj dhe fotografinë e asaj foshnje në djep pushkatuar në emër të këtij ylli? Pse nuk u shfaq një diell mbi flamur kaq me kuptim për eventin tuaj?!

Dua, për këtë Dua të kësaj dite, mund të kesh miliarda dollarë e miliona fansa, por fjalës së bukur shqipe Dua, ia ke shkelur kuptimin.

Dua, nuk po du mo me t'pa!

©Alba Kepi