Blog

Çabej dhe çafkat - Nga Ylli Pango

Ylli Pango

Më rezulton se shumica e atyre që e përmendin, thjesht e përmendin (jo citojnë). Nuk e kanë, jo lexuar, por as prekur me dore Çabejin. Një pakicë e ka fshikur po pa vullnetin e mjaftueshëm për t’i hyrë thellë. Po ç’thellë? Deri diku poshtë gjurit së paku. Nuk e kanë cikur, natyrisht jo e jo, as super patriotët e tryezave të kafeve patriotiko-mediatike. As pseudo-historianët a pseudo të gjithë-diturit mediatikë. Pa le më “kritikët” a gjenitë që po “zbulojnë” a kanë “zbuluar” ato që nuk i sosi dot Çabej. Ata që na argumentojnë pa argumente se Ne jemi krijuesit e gjithë qytetërimeve. Sigurisht: gjithologët. Ndjekin rrugën e lehtë si gjithnjë: Përmendin Çabejin në logoretë e tyre dhe “janë brenda”. Për më shumë nuk duhen lodhur mendt’ e krese. Nuk është kollaj vërtet të bësh shkencë. Të lash gojën me të, po…

...Gjitholog, nuk të mbajnë dot mbi vete ujërat e cekëta. Të thellat të mbysin. Vetëm ai që mëson mire not u a del mbanë e del ne breg. Është ca si i vështirë Çabej. Lodhen ta lexojnë të ngeshmit. Të cekëtit.

Vetëm referenca autoresh të huaj, sa janë ne veprën e madhe të tij! Albanologë që i kanë kushtuar jetën shqipes e shqiptarëve e origjinës së tyre, e që rrallë shqiptar i ka lexuar. Sa argumente! Ç’thellësi gjykimi e ç’kulturë shume dimensionale. Ç’logjikë.

Jo, jo. Nuk kanë faj këta që nuk arrijnë as ta lexojnë dot. Pastaj veç vështirësisë, ka dhe një pengesë. Këta marrin bekimet për paditurinë, e për të vazhduar allasoj kinse në udhë të Çabejit, nëpër studio televizive ku shpallen gjeni, elegantë, super-intelektualë, befasues. Ca i marrin bekimet në rrjetet sociale. Kryesisht nga vetja, por edhe nga ndonjë tufë e vogël budallenjsh, që i duartroket e i propozon madje…edhe për presidentë.

Po, po. Është ca i vështirë Çabej. Është më kollaj t’ia fusësh kot vetë dhe të “fusësh” aty, ashtu kot, edhe Çabejin, diku. Sigurisht përsëri pa referenca. Ose ashtu në përgjithësi duke marrë ndonjë tezë, sigurisht të vulgarizuar, që e mollois edhe bufi.  

Çabej për kulturën e gjuhën shqipe, historinë e saj, ka diçka si prej dielli. Të gjithë e dinë që ai është, i ngroh e ndriçon të gjithë. E pranojnë se nuk kanë ç’i bëjnë edhe të duan. Se e ka kaluar prej kohësh pragun e xhelozive e rreziqeve që kalon çdo i vdekshëm i madh, që para vdekjes. Ka shkuar tej kësaj. Larg. Shumë lart. Shumica e kalon atë prag pas vdekjes.

Prandaj urdia pa fund e mediokërve tanë, e përdor si krahasim, gjoja burim frymëzimi (për “shkencë” të lehte) a show banal TV. Po nuk i afrohen dot kurrkund. Jo shkencërisht që jo e jo. As si lexues. Është shumë kërkues edhe ta lexosh. Po ishe i pa ngrohur nga rrezet e diellit, të djeg. Të skuq. Andaj i largohen dhe vetëm thonë: “Dielli, dielli...”

Çabej mbetet për fat të mire dhe të keq, me i madhi i asaj mbretërie të bukur pa fund plot visare ende të pazbuluar, që identifikoi, po dhe i mbeti shume për të identifikuar siç e pranon vetë, për lashtësinë, autoktoninë e madhështinë e shkuar, të harruar e të mohuar të këtij populli që i përkasim e sidomos të kësaj gjuhe që flasim.

Pse Çabej mbetet më i madhi për fat të mirë? Se me të e kemi akoma një të madh që ndriçon mbi gjithë këtë aradhe të madhe sharlatanizmi që ka pushtuar vendin e që lejon në kohë të kohërave, thjesht duke ju referuar veprës se tij, të nxjerrë në pah sa të vegjël e qesharakë janë albanologët tanë amatorë a pseudopatriotët e tryezave mediatiko-patriotike. Është aq i madh sa që madje nuk e godet dot as më i ligu e as me llafazani i amatorëve mediatikë.

Çabej mbetet më i madhi edhe për fat të keq, sepse do të donim të ishin sa më të shumtë ndjekësit e tij. Pasuesit e brezave më të rinj janë të rrallë dhe me dhimbje e them që punën e tyre të çmuar që duhet respektuar shumë ua lenë në hije. Nuk iu ve dot faj se nuk mund të marrin shpatën e të luftojnë me mullinjtë e zhurmshëm që bluajnë e bluajnë pa fund tallash pseudoshkencor patriotiko-mediatik. Studiuesit e vërtetë (të paktë) punojnë kokëulur e tek ne as njihen nga shumica e as shpërblehen e stimulohen siç e meritojnë.

Problemi pra nuk është te sharlatanët, por te mungesa e pasuesve të Çabejit. Dhe që ta dini se pse e pata tërë këtë duf. (Po duke qenë lexues i duruar e jo pak i regjur në lëmë të dijes). E pata dufin duke rilexuar por edhe lexuar Çabejin e duke mu fanepsur para sysh gjithë profanitë e pallavrat që ka vite kanë pushtuar media e media sociale nga albanologo-patriotët amatorë. E po na rokanisin kokën. E po mashtrojnë shqiptarët që në shumicë kanë burim dije median vulgare e rrjetet sociale. Sidomos duan të merren e u duket e lehtë të merren gjoja me “Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes” se iu duket shkenca më e lehtë. Ajo e sajimit duke lexuar një fjalë e duke iu shkrepur:

“E gjeta. Excalibur (shpata legjendare e mbretit britanik Artur) si fjalë e pashpjeguar deri më sot, vjen veçse nga shqipja e do të thotë “Eh s’ka lindur burrë...” (që ta ngrejë de!?). E dini sa budallallëqe të tilla e sa budallenj ka, që i thonë këto nëpër ekrane por edhe i shkruajnë në “libra”?

E edhe këtu “fajin” ma pati Çabej. Se dritë e diturisë e mençurisë së tij sikur m'i nxori para sysh më qartë pluhurin e tezave a pseudo-tezave të përsëritura e shkëlqimin e varaktë të gjoja tezave të reja të gjithologëve albanologë.

Dhe ndonjë ditë, do t’jua them të tëra në rubrikën “Çabej” me referenca të sakta se ç’ka shkruar Çabej e ç’kanë thënë e po thonë sharlatanët. Thjesht për t’i përqasur. Dhe jo për hir të sharlatanëve (ç’merresh me ta, kur s’merren as albanologet vete). Jo or jo. Jo për ata. Po për të mos u mashtruar më tej shqiptaret e thjeshtë. Për t’i ndihmuar po mundëm, t’i kthejnë sadopak projektorët nga Çabej, nga e vërteta. Andaj ja vlen të bëhet edhe si rubrike: “ÇABEJ”.

Në vend të BIBLIOGRAFI: “Simbolik për vlerësimin e jashtëzakonshëm të veprës shkencore dhe atdhetare të Çabejit në Kosovë ishte jo vetëm botimi i serisë prej 6 vëllimesh të veprës së tij, që i parapriu me dekada botimit të serisë 7-vëllimëshe të “Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes” në Shqipëri, por edhe pritja madhështore që i bëri atij bota shkencore dhe populli i Kosovës në fillimin e viteve 70-të…”. Autor i mbi 200 titujve.

©Ylli Pango