Mëmëdheu - Nga Ylli Pango
Mëmëdheu është ai turku me origjinë shqiptare, në Turqi (e shihja në një ekran tv tonin), me familje emigruar nga Arbëria atje, qindra vjet më parë, që hapte një sënduk të vjetër, nxirrte s’andejmi ca relike shqiptare të gjysh katragjyshit e tek i tregonte, i dridhej zëri e i dilnin lot… Qindra vjet...!
Mëmëdheu janë ata arbëreshët që na përqafonin e na flisnin në gluhën tënë të shprishur e na mbusheshin neve sytë me lot kur shkuam në Vaccarizzo Albanese të Kozencës në Kalabri, ku u vendos busti i Skënderbeut.
Mëmëdheu ishte ai poshtë nga avioni, tek kthehesha nga një udhëtim disa pak javësh, nga Amerika, në fillim të viteve ‘90, e shihja ato shtëpitë e vogla e të mjera, ndërtuar shtremba shtremba, pa rregull, që qerthullonin Tiranën e që më bënin të ndjeja sa më kish marrë malli.
Mëmëdheu është ai miku im i ngushtë në Francë, që i lindi vajza në Paris, e nisi t’i mësojë shqip që në belbëzimet e para, e që ndonëse lindi e u rrit atje franceze, sjell çdo vit shokët e shkollës e më pas të universitetit në Shqipëri, e ua tregon me krenari e i bën edhe ata ta adhurojnë këtë vend.
Mëmëdheu është ai që kur më telefonoi Lorenc Bejko nga Québec në Kanada e më tha: “Profesor fituam, edhe Berati u përfshi në listën e UNESCO-s si site i trashëgimisë botërore”, mua mu drodh shpirti (na ish thënë se edhe mund të mos pranohej) dhe u përqafuam e kërcyem përpjetë me miqtë e bashkëpunëtorët përreth, sikur të kish shënuar gol Broja (edhe ky i fundit është mëmëdheu).
Mëmëdheu janë miliona emigrantët nëpër botë, që mbetën me sytë e me zemren kēndej, ndonëse vitet ikin e ikin e ata “nuk zenë mend” ta harrojnë mëmëdhenë, kudo që janë.
Mëmëdheu është ndjesi e këto janë ndjesi të miat. Vetëm ca pak syresh, se kam shumë e më shumë. Secili nga ju me siguri ka të tijat…
Veç për të gjithë ne që vazhdojmë të jetojmë e do të vdesim në këtë vend, mëmëdheu është edhe një ndjesi e përbashkët. Ajo e rrënjës që ze fill në këtë tokë, e bimës që hedh shtat këtu, filiz i ri e pasi rritet e rritet si pemë e gjelbër, së fundmi edhe thahet, bie, kalbet, por tretet ama në po këtë dhé. Përzjehet e bëhet pjesë e këtij dheu, ku treten e do të treten të tjerë e të tjerë…pjesë e dheut të Mëmëdheut…
©Ylli Pango





















