Blog

Turma dhe Shoqëria civile - Nga Klodi Stralla

Refleksione

Nëse analizojmë format e qeverisjes në këto 3000 vjetët e fundit, nuk do ta kemi të vështirë të konstatojmë që forma demokratike e qeverisjes është një dukuri e rrallë. Ajo u shfaq 2300 vjet më parë në Athinën e Perikliut dhe mandej u rishfaq në Europën Perëndimore në fillimet e shekullit 20-të dhe në atë Lindore vetëm në fund të këtij shekulli. Në vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine ishte një dukuri e rrallë deri para disa dhjetëvjeçarësh. Përkundrazi format diktatoriale dhe autoritare kanë qenë mbizotëruese. Natyrshëm mund të pyesim: Pse forma demokratike e qeverisjes është një dukuri e paqëndrueshme, e brishtë dhe cënohet lehtë me krizën më të parë?

Unë mendoj se ka një korelacion (ndërvarësi) midis formës së qeverisjes dhe nivelit në të cilin është popullata që qeveriset - është në nivelin e një Turme apo në nivelin e Shoqërisë civile?

Çfarë është Turma? Është vështirë të japim një përkufizim kategorik por është më lehtë të tregojmë psikologjinë e saj, pra si mendojnë dhe si sillen njerëzit kur janë në gjendjen e turmës? Njerëzit e turmës janë nga më të ndryshmit, si në karakter, temperament, njohuri, në cilësitë fizike dhe morale të tyre dhe megjithatë, kur ndodhen në turmë, ata ndjejnë dhe veprojnë njëlloj. Turma sillet si të ishte një qënie e vetme. Vullneti dhe arsyeja kritike zhduken dhe ia lenë vendin emocionit.

Turma është impulsive, e levizshme, e irrituar; ajo udhëhiqet thuajse vetëm nga e pavetëdishmja, nga instiktet; nuk ka asgjë të paramenduar në veprimet e saj; edhe nëse ajo i do gjerat me pasion kjo nuk ndodh për një kohë të gjatë sepse ajo është e paaftë të ketë një vullnet të qëndrushem; ajo ka ndjenjën e të gjithfuqishmes. Për individin në turmë nocioni i të pamundurës zhduket. Turma është tepër e sugjestionueshme; ajo beson me lehtësi dhe është e zhveshur nga shpirti kritik; ajo kalon menjëherë nga ekstremi në ekstrem; adhuron forcën; nga heronjtë e saj ajo kërkon forcë dhe madje ashpërsi.

Njerëzit në turmë, ashtu si në kope, vendosen instiktivisht nën autoritetin e një shefi; ajo është një kope që nuk mund të jetojë pa zotëri; ajo ka etje për t’iu bindur dhe nënshtruar dikujt, të cilin e përfytyron si zotërinë e vet. Ajo sugjestionohet nga lideri karizmatik që me forcën e fjalës dhe gjesteve i paralizon asaj arsyen dhe vullnetin. Kjo është Turma!

Perkundrazi një Shoqëri civile është një bashkësi individësh që lidhen e ndërveprojnë mes tyre të udhëhequr nga një interes ose ideal i arsyeshëm dhe i dobishem; ajo është e qendrushme dhe krijohet për një qëllim të caktuar publik. Individët që e përbëjnë janë njerëz të lirë, ata i janë bashkuar komunitetit vullnetarisht, me vetëdije dhe mund të shkëputen prej tij sa herë të kenë një mendim të ndryshëm apo të kenë përfunduar misionin për të cilin janë bashkuar. Ajo i zgjedh drejtuesit e vet në bazë të meritës dhe i revokon sa herë ata nuk përmbushin pritshmërinë për të cilën janë zgjedhur.

Të tilla janë sot në vendet demokratike partitë politike, OJF-të që lobojnë pranë pushtetit politik për çështje të rëndësishme si mbrojtja e mjedisit, pabarazia gjinore, diskriminimi racor, mbrojtja e shëndetit të nënës dhe fëmijës, mbrojtja e trashëgimisë kulturore etj. Këto rëndom i quajmë edhe grupe interesi. Ata ndikojnë në vendim-marrjen politike, si oponencë e saj.

Nëse duam të dimë se çfarë forme qeverisje ka realisht një vend, nuk mjaftojnë institucionet e tij në letër (Kushtetuta) por niveli social i popullsisë të tij - është Turmë apo Shoqëri civile? Për sa kohë popullsia do të shfaqë tiparet e turmës forma e qeverisjes do të jetë diktatoriale, autoritare ose anarkike dhe sa më afër t’i afrohet ajo shoqerisë civile aq më demokratike do të jetë forma e saj e qeverisjes. Nëse një turme i imponohet nga jashtë një formë qeverisjeje demokratike ajo nuk do të jetë gjë tjetër veç karikatura e saj.

© Klodi Stralla