Blog

Big Brother-i ynë kombëtar - Nga Ylli Pango

Përse Big Brother, ka sukses jo vetëm këtu? Sepse ju e dini që është franchise (ekskluzivitet) e blerë dhe e imituar apo dhe adaptuar sadopak, si format show në mjaft vende. Edhe në vende europiane me popuj më me nivel se ne si Gjermania, Italia, Spanja, UK. Shfaqja e parë e këtij reality show u realizua me sukses në Hollandë, pasi u krijua nga produktori hollandez Xhon de Mol në 1997. E më pas fitoi popullaritet në jo pak vende edhe europiane. Në ca nga këto vende ështe anulluar e prapë rikthyer se ndiqet. Pse?

A mund t’ia vini krejt fajin injorancës, vulgut në shumicë, nivelit të ulët kulturor të miliona shikuesve edhe atje? Mund të jetë edhe ky shkak. Madje më i larti në përqindje ndofta. Por ka edhe më. Më në detaje. Dhe te detajet ju e dini, aty fshihet mjellma e zezë…

Andaj le të mos luajmë kukafshehtazi as me tjetrin, por sidomos as me veten. Sepse ka mes jush dhe jo pak, si ju a miq a të afërm tuaj, që nuk janë vulg por që e shohin qe ç’ke me të B.B.V. Pse?

Ja disa arsye “modeste”:

1- B.B.V. kënaq vuajerizmin (dëshira a praktikimi i përgjimit, shikimit të jetës private deri të raporteve intime të të tjerëve). E po shumica e shqiptarëve, ka qejf të dijë a të përgjojë intimitetet e tjetrit. Madje edhe thashethemi aq i dashur tek ne, një lloj a derivat i vuajerizmit është. Përtyp me ushqimin, pi me kafen, me llafen, çdo ditë, jetën e tjetrit. Deri në grimca. Sado i sajuar si intimitet, BBV prapë e kënaq këte dëshirë të kahershme tuajën por edhe njerëzore. Ç’bën tjetri? Si e bën tjetri? Tjetra? Si i tha? Si e puthi? Deri në… Si përgjuesit e çifteve dikur… Po ka dhe raste kur ky fenomen, që në rastin e tij ekstrem, në psikologji cilësohet edhe parafili, të jetë edhe thjesht kuriozitet: si vepron ai tjetri kur është i përgjuar.

2- Ne këtu në këtë vend, kemi dhe një derivat politik, zakonor, gati specifik kombëtar të vuajerizmit si fenomen psikologjik. Trashëguar nga 45 vjet Big Brother-Komunizëm që na e nguliti. Kemi psikologjinë, mentalitetin e përgjimit e të modelit të vëllait të madh parti-spiun-shtet që na rrinte sipër kreje vigjilent. E na përgjonte deri te shtrati bashkëshortor. E komandonte duke u mbajtur, ushqyer, “forcuar”, sidomos duke spiunuar. E kemi pra edhe ca si për xhins a trashëgimi këtu Big Brotherizmin, në përgjithësi.

3- B.B.V. kënaq dëshirën tuaj për fame (të jesh dikushi) projektuar te Big Brothers-at që shihni. Sidomos tek disa dëshira për të kapërcyer nga anonimati në VIP-ëri, edhe pa bërë asgjë, është mani. Sot tek ne kthyer gati në çmenduri. Secili gjen disi (virtualisht), edhe veten, kur sheh që dikush nga askush apo edhe nga dikush, kalon në famoz. Famën dhuruar nga kush (do pyesni)? Nga votat e kujt? Nga vulgu? Po cili njeri nga ata që këndojne, shkruajne, pikturojnë, bëjnë art etj., nuk do ta donte duartrokitjen edhe të cilitdo qoftë, e jo vetëm të njeriut me nivel? A të jep lavdi? Para? E sidomos, a të bën të ndjehesh mire?

4- Famën e B.B.V. nganjëherë e kanë zili dhe më të famshmit. A kanë hyrë edhe syresh në BBV? Këtu e në botë. Artistë, këngëtarë etj.

5- Po B.B.V. ka dhe vlera pragmatike në ca raste. Sepse Big Brothersi (disa), kur del nga ngujimi, gjen dhe punë, sidomos në TV e i ndryshon jeta. Edhe po nuk fitoi. Ai që i sheh, i mendon këto dhe si për vete. Ia vlen.

6- Tifozeria. Populli ka edhe nevojë thjesht për tifozeri. Dynjaja bëhen me Juven a me Argjentinën në skajin tjetër të globit, jo vetëm se ata atje larg, luajnë bukur futboll, por edhe se do të identifikohet me një fitues. Me atë fitues që i mungon tek vetja.

7- B.B.V. në fund të fundit është një copë imitim jete mpiksur në TV në kohë e në hapësirë të kufizuar. Copë jete mpiksur (në të dy kuptimet), me hipokrizitë e saj, intrigat, meskinitetin, miqesitë e pse jo dashuritë aty brenda. Mini jetë. Pra në këtë aspekt disa e shohin B.B.V. edhe kryesisht si teatër, ku aktorët kanë secili një rol. Të vetes, por dhe të asaj që do publiku. Rol që kush e luan më bukur e kush nuk di ta luajë. Kush e realizon më bukur (mes konkurencës) merr edhe “Oscar”-in e vet 100.000 euro plus lavdi. Ai që i sheh, sheh dhe një mini-Oscar në Shqipëri. Përfytyroni pastaj të hynin në B.B.V. Al Paçino, Robert de Niro, Meryl Streep. Mos t’ju duket çudi. Sidomos po t’u paguhej mirë do hynin. Edhe për pare edhe për gallatë. Në fund të fundit aktorë do jenë dhe aty. Ju garantoj shikueshmëri qindra milionash. Pyetja më interesante do ishte:

“Ore po si do dalin ata star-ët e Hollywood-it, aty vërtet? Cilin karakter do japin? Cila është vetja e tyre? Krahasuar me galerinë e super-roleve që kanë luajtur”.

P.S. Unë nuk jam tifoz i B.B.V. Me interesoi thjesht pikpamja psikologjike (e individit) e social-psikologjike (e raporteve të individëve), e këtij show, për disa aq “problematik”. Por edhe sepse, dhe sidomos:

Ju lutem mos prisni rrezatimin e dritës së diturisë e as të moralit tē pastër (që ende e doni proletar) nga atje.

As mos u fokusoni te vulgariteti e injoranca e spektatorëve dhe e një shumice Bigbrother-sash atje brenda.  Sepse… Po pse atje vetëm? Apo se ai show atje është i mpiksur në kohë e hapësirë e pompohet në ekrane?

Mos u indinjoni dhe aq sepse edhe ne injorancën e vulgun i kemi të shkrirë, të hapërdarë, tretësirë e koncentrat në jetën tonë, me shumicë. Pastaj kur kërkoni atë aspektin edukativ e ndrisni fare. Edhe ku? Këtu ku kemi kaq TV-ëra plot me vulgaritet e injorancë, vulg-parlament, e palo analistë, silikonse e sa shumë gjëra të tjera, të shitura, të pavlera, e të blera me shumicë nga po ne…

© Ylli Pango